Flet për revistën “Monitor”, Eduard Zaloshnja, statisticien
Statisticieni Eduard Zaloshnja thotë në një intervistë për revistën “Monitor” se ndryshimi i madh në rezultatet mes sondazheve të ndryshme në Shqipëri mund të jetë një përzierje e mosnjohjes së aktualitetit elektoral shqiptar nga kompanitë që kryejnë sondazhet me ndërhyrjen e pronarëve të mediave që i porositin këto sondazhe.
Sipas tij, intervistat e drejtpërdrejta në terren janë standardi i artë i sondazheve të opinionit, sepse shpërndarja gjeografike-demografike mund të paracaktohet, ndërkohë që me intervistim të drejtpërdrejtë mund të merren përgjigje edhe në rastet kur të anketuarit hezitojnë të tregojnë të vërtetën.
Çfarë kriteresh bazë duhet të përmbushë një sondazh opinioni për të qenë korrekt nga pikëpamja teknike?
Kriteri bazë i çdo sondazhi opinion është se duhet të bazohet në një kampion të balancuar, që përfaqëson sa më mirë popullsinë nga pikëpamja demografike, gjeografike dhe politike.
Në veçanti për sondazhet që tentojnë të fotografojnë votën apo preferencat politike, a ka elemente specifike që duhen ndjekur në këto sondazhe, apo teknikat e përdorura janë të njëjta, pavarësisht se cili mund të jetë qëllimi?
Në sondazhet elektorale, është e rëndësishme të pyeten të anketuarit për kë kanë votuar në zgjedhjet paraardhëse e për kë votojnë sot. Në këtë mënyrë mund të përllogaritet se sa më shumë apo më pak vota merr aktualisht njëra e tjetra parti, krahasuar me zgjedhjet paraardhëse.
Sidomos kur flasim për sondazhe sensitive, si ato që lidhen me votën, a është faktor me rëndësi teknika e intervistimit? A është i rëndësishëm fakti nëse ti e bën intervistën me telefon, online apo me intervistë direkte?
Intervistat e drejtpërdrejta në terren janë standardi i artë i sondazheve të opinionit, sepse shpërndarja gjeografike-demografike mund të paracaktohet, ndërkohë që me intervistim të drejtpërdrejtë mund të merren përgjigje edhe në rastet kur të anketuarit hezitojnë të tregojnë të vërtetën.
Në intervistat me telefon, apo me pyetësorët elektronikë, të anketuarit mund ta ndërpresin intervistën, kur pyeten se për kë duan të votojnë ose se për kë kanë votuar. Në këtë rast, personi që bën sondazhin duhet t’i marrë parasysh intervistat e ndërprera, duke përllogaritur përafërsisht orientimin e votës, në mënyrë probabilitare, bazuar në përgjigjet deri në ndërprerjen e intervistës.
Vërejmë që sondazhet parazgjedhore në Shqipëri shpesh kanë rezultate shumë të ndryshme dhe ndonjëherë të kundërta nga njëri-tjetri. Pse mund të ndodhë një gjë e tillë, për mendimin tuaj?
Mund të jetë një përzierje e mosnjohjes së aktualitetit elektoral shqiptar me ndërhyrjen e pronarëve të mediave, por nuk mund ta vë dot gishtin mbi njërën apo tjetrën, pa pasur informacione të brendshme. Sidoqoftë, secili sondazh parazgjedhor do të ballafaqohet me rezultatet pas zgjedhjeve.
Deri më sot, janë shënuar dy dështime spektakolare të sondazheve para zgjedhjeve; ai i Institutit “Gani Bobi”, para zgjedhjeve të vitit 2011 në Tiranë, që e kishte nxjerrë kandidatin Lulzim Basha me 58%, ndërkohë që pas zgjidhjeve ai mori më pak se 50%. Gjithashtu, ai i GfK-së para zgjedhjeve të 2017-s, që e nxirrte Partinë Demokratike si forcë të parë, por nga zgjedhjet ajo rezultoi me 310 mijë vota më pak se Partia Socialiste.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.