Në momentin që mosmarrëveshjet ndodhin në ambientin e punës, gjithkush do të mundohej t’i shmangte ato për të mos kaluar në një situatë edhe më të vështirë.
Konfliktet e shkaktuara mund të jenë nga më të ndryshmet, nga diçka relativisht e thjeshtë, si të mos jesh i ftuar në një takim ose të ndërpritesh gjatë një prezantimi, por mund të jenë edhe diçka më e madhe, si tërheqja e vëmendjes ose kritikimi përpara të tjerëve.
Emocionet shfaqen kudo në punë, dhe mënyra se si ne i përgjigjemi konfliktit, thotë Amina AlTai, shpesh reflekton hijen tonë – atë që Carl Jung e përshkroi si anën e errët të personalitetit tonë. AlTai i ndihmon njerëzit të zbulojnë se çfarë i bën ata të lumtur në punë në mënyrë që të mund të ndërtojnë karriera që përputhen me vlerat e tyre.
Për t’u ndier mirë në punë, shpjegon AlTai, njerëzit duhet të mësojnë të përballen me
konfliktin në vend që të kenë frikë nga ai. AlTai beson se anët e errëta të personalitetit tonë nuk shfaqen kurrë aq plotësisht sa shfaqen në vendin e punës dhe sidomos kur kemi të bëjmë me një konflikt.
Pra, zgjidhja e një mosmarrëveshje shpesh nuk ka të bëjë me atë se kush ka të drejtë dhe kush e ka gabim. Siç përshkruan AlTai më poshtë, është thelbësore të bësh paqe me konfliktin, të kërkosh të kuptosh perspektivën e personit tjetër, të njohësh mënyrën tënde të komunikimit, të integrosh pjesët e tua të hijes dhe të japësh reagime vepruese. Kjo, thotë ajo, mund të ndihmojë në përmirësimin e situatave të vështira dhe ta bëjë punën një vend ku mund të ndihemi më të plotë.
5 hapa për të kuptuar konfliktin në ambientin e punës
Nga Amina AlTai
- Pranojeni konfliktin
Shumë prej nesh dëgjojnë fjalën “konflikt” dhe menjëherë mendojnë dhe ndiejnë konotacione negative. Konflikti sugjeron një ndryshim në përvojë, i cili në thelb nuk është diçka domosdoshmërisht e keqe. Është një pjesë e natyrshme e ndërveprimit njerëzor dhe sa më shpejt të bëjmë paqe me të në vend që të kemi frikë prej tij, aq më mirë mund ta menaxhojmë kur të shfaqet.
- Mundohuni të kuptoni situatën, jo që të keni të drejtë
Kur përfshihemi në një konflikt, shpesh ndihemi që s’kemi pasur faj dhe instinkti ynë i parë mund të jetë të provojmë që kemi të drejtë. Ky është pikërisht momenti ku konflikti mund të përshkallëzohet, sepse ne nuk priremi të kuptojmë situatën por të provojmë që kemi të drejtë.
- Kuptoni pozicionin tuaj
Konflikti është si një tango që kurrë nuk mund të vallëzohet vetëm. Teksa analizojmë konfliktin ne duhet të analizojmë një herë veten, sjelljet tona karshi kolegut tjetër dhe pastaj të dalim në përfundime. Empatia është ajo që duhet të përdorni sa më shumë të mundeni në situata konfliktuale.
- Ana e errët e karakterit tuaj (hija juaj)
Koncepti i hijes u prezantua për herë të parë nga psikiatri dhe psikanalisti zviceran Carl Gustav Jung. Ai i referohet asaj si “ana e errët e panjohur e personalitetit”. Sipas z. Gustav Jung, në mjedisin e punës ne i takojmë më shpesh hijet e njëri-tjetrit.
Të gjithë ne, në një formë ose në një tjetër kemi hijet tona, por arritje është atëherë kur në nuk i nxjerrim ato dhe sidomos kur jemi të përfshirë në një konflikt.
- Mësoni si të jepni dhe të merrni feedback.
Shumë konflikte në vendin e punës lindin sepse drejtuesit nuk dinë gjithmonë sesi të udhëheqin. Menaxherët dhe anëtarët e tjerë të ekipit mund të mos jenë të trajnuar se si të përballojnë biseda të vështira apo konfliktet.
Feedback-u, në të vërtetë, është një dhuratë bujare nëse do të jemi të gatshëm ta shohim atë në këtë mënyrë. Kjo na lejon të rritemi profesionalisht dhe të jemi më të mirë sesa ishim dje. / Goop.com