Shumë punë do të zëvendësohen nga Inteligjenca Artificiale. Por Inteligjenca Artificiale nuk do të jetë shkatërruese për shoqërinë. Dhe për këtë kemi shumë shembuj nga historia e kohëve të fundit.
Javën e kaluar, presidenti i Microsoft, Brad Smith, foli përballë studentëve të Politeknikut të Milanos, duke u përpjekur të zbutë tonet negative rreth përhapjes së Inteligjencës Artificiale. Ai nuk e mohoi faktin që puna do të ndryshojë, por këtë situatë, qeniet njerëzore e kanë jetuar edhe në të shkuarën; makinat zëvendësuan kuajt, kompjuterët i zunë vendin makinave të shkrimit.
“Teknologjia ka pasur ndikim në shoqëri edhe në të shkuarën” – tha Smith. “Janë zhdukur disa punë dhe kanë lindur të tjera”. Kur kuajt nuk u përdorën më si mjet kryesor për transportin, për shembull, nuk ishin më të nevojshëm gjithë ata njerëz që duheshin për t’i menaxhuar, ata që u jepnin për të ngrënë, ata që pastronin rrugët. Nga ana tjetër, përhapja e makinave bëri që të lindnin punë të reja: prodhimi i gomave, mekanikët, pikat e karburantit.
E njëjta gjë ndodhi edhe me përdorimin e kompjuterëve. “Njerëzve iu desh të mësonin aftësi të reja, të specializoheshin sërish” – theksoi Smith. Këto shembuj në histori “mund të na mësojnë se si mund të ndryshojë bota e punës”. Në këtë pikë, është hapi tjetër: cilat punë do të zëvendësohen nga Inteligjenca Artificiale? Cilat do të shpëtojnë?
Në mënyrë të pashmangshme do të goditen punët më të thjeshta për t’u automatizuar. “Një ndër punët që do të zhduket për shkak të Inteligjencës Artificiale do të jetë radiologjia. Ose Call Center. Në çdo rast, do të duhet kohë, megjithatë, duhet të mendojmë për të ardhmen që sot” – thekson Smith.
“Por disa punë nuk do të zëvendësohen, për shkak të ndjeshmërisë që kërkojnë” – thotë Smith. “Punët në të cilat është e nevojshme ndjeshmëria njerëzore – infermierë, mësues, asistentë socialë – nuk do të zëvendësohen, por do ta përdorin Inteligjencën Artificiale. Të gjithë profesionet që kanë diçka njerëzore do të përdorin Inteligjencën Artificiale”.
Dhe do të krijohen fusha të tjera: njohja e fytyrës, njerëz që do t’u mësojnë të tjerëve si të përdorin një makinë me vetëdrejtim, arkitektë të gjeneratës së ardhshme. Me fjalë të tjera, një transformim dhe jo shkatërrim. Gjatë këtij procesi do të nevojiten më shumë aftësi dixhitale, mbi të gjitha në segmente si analiza e të dhënave për Internetin e Gjërave, zhvillimi i Inteligjencave Artificiale. Por edhe në fushën etike.
“Kush ju garanton – thotë Smith – që kompjuterët do të funksionojnë në mënyrë të përgjegjshme ndaj njerëzve. Këto disiplina do të menaxhohen nga njerëz me aftësi dhe parime etike, jo vetëm inxhinierë dhe shkencëtarë të dhënash”. “Nëse mendojmë të ardhmen, nuk është vetëm shkencë, inxhinieri dhe teknologji. Shumë punë teknologjike do të kërkojnë një background të tipit social” – nënvizon drejtuesi i Microsoft.
Jo vetëm të rinjtë, të gjithë punonjësit duhet të përshtaten në mënyrë që aftësitë e tyre dixhitale të evoluojnë. Ky është një vizion i parashikuar nga shumë ekspertë: ne duhet të vazhdojmë të mësojmë dhe të njohim gjëra të reja për t’iu përshtatur botës dixhitale. “Kjo do të ndryshojë rrugëtimin e karrierës, rregullat e botës së punës – thekson Smith. – Të gjithë duhet të mësojmë gjëra të reja, jo vetëm të rinjtë.”
“Të ndërtosh mbi të shkuarën, duke eksploruar të ardhmen” – është motoja e Smith. Inteligjenca Artificiale do të ndikojë te të gjithë punët; pasojat te disa do të jenë më të mëdha se disa të tjerë. Shumë shpejt, kjo qasje do të përshpejtohet nga Inteligjenca Artificiale (edhe pse është e pamundur të bëhen parashikime mbi kohën). Për këtë arsye, Microsoft po punon aktivisht me shkollat në të gjithë botën deri sa “njerëzit të mësojnë aftësi të reja për të menaxhuar Inteligjencën Artificiale”. Sigurisht është i nevojshëm “kontributi i të gjithëve, jo vetëm teknologjisë”.
Burimi: Forbes