Punonjësit me arsim të lartë paguhen 110% më shumë se ata me fillore

01/03/2021 10:00 AM 0 komente

Arsimi i lartë është një investim i mirë. Të ardhurat nga puna pas studimeve janë shumë më të larta se ato të personave me nivel më të ulët arsimor.

Një anketë e posaçme e INSTAT ka gjetur se, të ardhurat nga puna të punonjësve me arsim të lartë ishin 110% më të larta se të personave me arsim 8-9-vjeçar në vitin 2018. Gjithashtu të ardhurat mujore ishin 76% më të larta se ato të një personi me arsim të mesëm.

Sipas sektorëve, diferencat janë edhe më të larta. Në sektorin financiar, paga e një personi me arsim të lartë është 211% më e lartë se, paga mesatare e punonjësve me nivele të ulëta të arsimit. Gjithashtu në sektorin e pasurive të paluajtshme, pagat në nivelin e lartë të arsimit janë 171% më të larta se ato të arsimit të ulët.
Anketa tregon se diferenca ndërmjet niveleve arsimore është e lartë edhe për industrinë nxjerrëse me 194%, në sektorët e TIK me 133%, industrinë e përpunimit, me 119%.

Vetëm në bizneset e artit, argëtimit dhe çlodhjes punonjësit me arsim 8-9-vjeçar kanë të ardhura 6% më të larta se ata me arsim të lartë. Diferencat janë më të ngushta në sektorët e shëndetësisë dhe shërbimeve administrative, ku punonjësit me arsim të lartë marrin përkatësisht 36 dhe 53% më shumë e ata me edukim të ulët. Në sektorin e arsimit, diferenca është 89%.

Në sektorin e hoteleve dhe restoranteve, punonjësit me arsim të lartë marrin vetëm 51% më shumë se ata me arsim të mesëm. Por, ndryshe nga shumë vende të botës së zhvilluar, ku jetojmë, papunësia në Shqipëri është tipar i njerëzve të shkolluar. Sipas një studimi të thelluar të INSTAT, mbi tregun e punës në vitin 2019, shihet se pjesa më e madhe e të papunëve janë me arsim të mesëm dhe të lartë, teksa fenomeni është më pak i përhapur te personat me arsim të ulët.

Duke analizuar shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimor në vitin 2019, vihet re që shkalla e papunësisë është më e lartë te personat me arsim të mesëm (14,4%) ndjekur nga ata me arsim të lartë (12,3%). Gjatë vitit 2019, krahasuar me vitin e mëparshëm, pati një rënie të shkallës së papunësisë te personat me arsim 8-9-vjeçar me 1,2 pikë përqindje dhe për personat me arsim të lartë me 1,7 pikë përqindje. Ndërsa te personat me arsim të mesëm, pati një rritje të shkallës së papunësisë me 0,1 pikë përqindje.

Ndërsa në mesin e atyre që punojnë, pjesa më e madhe, më shumë se gjyma janë me arsim 8-9-vjeçar. Sipas indikatorit e zhvillimit botëror, të azhurnuar nga Banka Botërore, rezulton se Shqipëria ka rreth 50% të forcës së punës me arsim 8-vjeçar më 2017. Në vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë, forca e punës dominohet nga niveli i mesëm dhe i lartë i arsimit./B.Hoxha

Burimi: INSTAT

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of