Një studim nga shoqëria e auditimit Pricewaterhouse Coopers analizoi situatën ekonomike të klubeve të divizionit të parë dhe të dytë në futbollin spanjoll. Sipas studimit, për sezonet 2019/20 dhe 2020/21 – për shkak të Covid-19, të ardhurat e munguara do të jenë më shumë se 2 miliardë euro.
Për sezonin 2019/20, të ardhurat e klubeve për divizionin e parë dhe të dytë u reduktuan me 366 milionë euro në total, 7% më pak krahasuar me totalin e vlerësuar prej 5,167 miliardë eurosh para pandemisë. Ndikimi neto, si pasojë e reduktimeve të shpenzimeve nga ana e klubeve, ishte 175 milionë euro.
Për sezonin 2020/21, i cili po zhvillohet pa tifozë, rënia e të ardhurave është rritur në 1,64 miliardë euro. Bëhet fjalë për 31% më pak të totalit prej 5.26 miliardë eurosh të vlerësuar pa emergjencën e koronavirusit. Për shkak të uljes së mëtejshme të kostove, ndikimi negativ neto duhet të jetë 854 milionë euro.
Sipas PwC, të ardhurat e kombinuara në dy sezone, do të ulen me 19%, me një impakt neto prej 1.03 miliardë eurosh. Sipas studimit, klubet ishin në gjendje të reduktonin shpenzimet në një total prej 766 milionë eurosh nga fillimi i pandemisë.
Duke parë zërat, rënia e të ardhurave ka qenë pak a shumë e rëndë:
- Të ardhura nga matchday (ndeshja e ditës): -17% për sezonin 2019/20 dhe -71% për sezonin 2020/21;
- Të ardhura nga të drejtat TV: -146 milionë euro në të dyja sezonet (-5% krahasuar me vlerësimet);
- Reklamat: pak ndikim në sezonin 2019/20 dhe -13% në sezonin 2020/21
Studimi i PwC vlerësoi se të ardhurat totale të klubeve do të rriteshin me 8.2% dhe 2% përkatësisht në sezonet 2019/20 dhe 2020/21.