Kompania turke Kurum shpallet përfundimisht fituesi i tenderit për privatizimin e “HEC, Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, “HEC, Ulëz – Shkopet”, me një shumë totale të ofruar prej gati 110 milionë euro.
Qeveria në mbledhjen e fundit vendosi miratimin e ofertës së shoqërisë “Kurum International”, sh.a., si fituese për blerjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., me vlerë 52 000 000 (pesëdhjetë e dy milionë) euro.
Në të njëjtën kohë, qeveria vendosi miratimin e ofertës së shoqërisë “Kurum International”, sh.a., si fituese, për blerjen e 100 për qind të aksioneve të shoqërisë “HEC, Ulëz – Shkopet”, sh.a., me vlerë 57 500 000 (pesëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind mijë) euro.
Kurum dha ofertën më të lartë në tenderin për privatizimin e këtyre hidrocentraleve, zhvilluar në muajin dhjetor.
Sipas të dhënave nga Enti rregullator i Energjisë, hidrocentralet Bistrica 1 dhe 2 kanë përkatësisht nga 3 dhe 1 njësi dhe një kapacitet të instaluar prej përkatësisht 23.1 dhe 5MW.
HEC-i Ulëz Shkopet ka një kapacitet të instaluar prej 24MW.
Të tre hidrocentralet në shitje kanë një kapacitet të instaluar prej 52.1 MW, që përbën rreth 3.4% të totalit të kapacitetit të instaluar të hidrocentraleve shtetërore në vend.
Kurum
Kurum ka aktivitet në Shqipëri në fushën e metalurgjisë dhe është një ndër konsumatorët më të mëdhenj të energjisë në vend, me rreth 7% të totalit të konsumit. Që prej fillimit të vitit 2012, Kurum është licencuar si klient i kualifikuar, ku hyjnë klientët e lidhur me linjat e tensionit të lartë (110 kV dhe më lart) dhe klientët me një konsum vjetor më të madh se 50 milion kah. Ata kanë të drejtë që të unzohen nga furnizues të kualifikuar, që licencohen nga ERE, duke krijuar nj treg prej rreth 40-50 milion euro në vit (dhe duke ia hequr këtë shumë CEZ, që i furnizonte këta klientë përpara liberalizimit të pjesshëm të tregut).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.