Tomi Kola: “Mund të themi se tendenca për të hapur biznese të reja nga ana e emigrantëve ka qenë më e ulët nga sa pritej për shkak të krizës në vendet fqinje, si Greqia, Italia apo edhe më gjerë”…
Sipas një raporti nga Qendra Shqiptare për Konkurueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare (ACIT), 18 deri në 22 përqind e emigrantëve shqiptarë që kanë jetuar dhe punuar në Greqi janë kthyer në Shqipëri, rreth 180,000 njerëz.
Ndonëse një pjesë e madhe e të kthyerve kanë krijuar tashmë një capital dhe kanë fituar përvojë pune në Greqi, duket se ata nuk po arrijnë të integrohen aq sa priteshin me biznese në vendin mëmë. Kriza, që ka prekur edhe Shqipërinë, por edhe konkurrenca e madhe mes bizneseve të vogla, iu a ka bërë të vështirë të arrijnë të menaxhojnë me sukses një biznes.
Tendenca konfirmohet për Monitor dhe nga drejtori i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tomi Kola. “Mund të themi se tendenca për të hapur biznese të reja nga ana e emigrantëve ka qenë më e ulët nga sa pritej për shkak të krizës në vendet fqinje, si Greqia, Italia apo edhe më gjerë”, pohon ai.
Lidhur me faktin nëse kthimi i përhershëm i një pjese të emigrantëve nga vendet e prekura më shumë nga kriza ka ndikuar në hapjen e bizneseve të reja (edhe pse statistikat nuk japin të dhëna, drejtori i QKR-së thotë se është realizuar një anketim për të parë një tendencë të tillë.
“ QKR realizoi një sondazh për përdorim të brendshëm, në një moment kur edhe media filloi të fliste për hapjen e bizneseve nga ana e emigrantëve, por u konstatua se ra shumë shpejt si tendencë. Për rreth dy muaj rresht u pyetën ata që vinin për të marrë shërbime në QKR, nëse vinin ose jo nga emigracioni, por çuditërisht në shumicën e rasteve, emigrantët nuk dëshironin të identifikoheshin si të tillë”, pohon ai.
Kthimi
Media greke Ta Nea, duke vënë në dukje fenomenin e kthimit të emigrantëve nga Greqia, raportoi se taksat e larta dhe një kosto e papërballueshme e jetesës, së bashku me mundësitë e kufizuara dhe normën rekord të papunësisë prej 27.4 përqind të Greqisë ishin nga arsyet kryesore. “Kriza financiare i detyron shqiptarët e vendit tonë të riatdhesohen në një vend të cilin nuk e kanë pare kurrë. Pas një qëndrimi shumëvjeçar në Greqi, adaptimi në atdheun e tyre nuk është i lehtë për të gjithë shqiptarët”, i referohej ajo një raporti të ACIT.
“Disa vjet më parë, autoritetet shqiptare u përpoqën ta bëjnë procesin e integrimit më të lehtë për të rinjtë që ishin kthyer pas një qëndrimi të gjatë në Greqi,” shtoi artikulli. “Zyrat të migracionit u hapën në çdo qark dhe u vendos të ofrohej një ndihmë mujore financiare prej 8,000 lekë (rreth 60 euro) për familje. Vetëm 5 për qind e të riatdhesuarve bëri kërkesë dhe arriti ta marrë këtë asistencë mujore’, sikundër shpjegohet në gazetë.
ACIT theksoi se kjo valë e rikthimit të emigrantëve pritet të ushtrojë presion të fortë në shërbimet publike të vendit dhe kryesisht në sistemin arsimor dhe shëndetësor. “Shumica e njerëzve kërkojnë punë në ‘mjeshtëritë’ që kanë mësuar në Greqi” dhe kryesisht në prodhimin bujqësor, ku është aktivizuar pjesa më e madhe (25 për qind).
Duke pasur parasysh krizën që godet vendin fqinj në fusha të tjera, si konstruksioni (punë ndërtimi dhe të tjera), shumica e shqiptarëve – pothuajse të ‘helenizuar’ pas kaq shumë vitesh qëndrimi në Greqi – duhet të përballen me vështirësitë jashtëzakonisht të mëdha në lidhje me integrimin dhe adaptimin e‘shëndetshëm’ në situatën e re, ndërkohë që kësaj gjendjeje i shtohen edhe kostoja e ‘dështimit’ që i shoqëron dhe emocionet e forta që rëndojnë shumë prej tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.