Rajon, BERZH investon 42.5 mln euro në eurobonot e gjelbra nga CTP

17/07/2021 10:06 PM 0 komente

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim deklaroi se do të investojë 42.5 milionë euro (50.7 milionë dollarë) në emetimin e eurobonove të gjelbra me vlerë 500 milionë euro nga kompania çeke CTP, për të mbështetur zgjerimin e CTP-së në Rumani, Serbi dhe tre vende të tjera europiane.

Të ardhurat nga investimi i bankës do të përdoren për të financuar zhvillimin dhe ndërtimin e parqeve të qëndrueshme industriale në Hungari, Poloni, Rumani, Serbi dhe Republikën Sllovake, tha BERZH në një njoftim për shtyp.

CTP është zhvilluesi më i madh i pronave industriale dhe logjistike në Europën Qendrore dhe Lindore, me një portofol prej 100 parqesh industriale në qendrat kryesore, sipas bankës.

“Investimi adreson sfidat në lidhje me zinxhirët e furnizimit dhe infrastrukturën logjistike në rajonet e BERZH, duke mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm të sektorit të logjistikës”, tha Vlaho Kojakovic, drejtori i BERZH për pronën dhe turizmin.

Si pjesë e investimit të BERZH, CTP po angazhohet të zvogëlojë emetimet e gazrave serë në zinxhirin e saj të furnizimit. Përveç kësaj, dhe me mbështetjen e BERZH, kompania synon të azhurnojë standardet dhe politikat në menaxhimin e pasurive të patundshme industriale, logjistikën dhe inxhinierinë.

Në mars, CTP tha se synon të përfundojë ndërtimin e ndërtesave të reja me një sipërfaqe totale prej 300,000 m2 në Rumani, deri në fund të vitit 2021, me investime të planifikuara që arrijnë në 200 milionë euro.

CTP është një zhvillues dhe menaxher europian, që ofron shërbime të plota në sektorin e pasurive të patundshme. CTP zotëron Rrjetin ctPark në Europën Qendrore dhe Lindore, me mbi 6 milionë m2 pasuri të patundshme të Klasit A, në më shumë se 100 vendndodhje strategjike në shtatë vende. Përveç Republikës Çeke, CTP është i pranishëm në Sllovaki, Hungari, Serbi, Rumani, Poloni dhe Bullgari.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of