Tregu shqiptar po ndjek të njëjtën prirje që kohët e fundit vërehet edhe në vendet e zhvilluara të botës, atë të forcimit të tregtisë së jashtme me vendet më të afërta. E ndikuar nga çmimet e larta të karburanteve dhe njëkohësisht nga zbehja e kërkesës në tregjet e Bashkimit Europian, Shqipëria zhvilloi më shumë tregti gjatë vitit të kaluar me vendet fqinje në Ballkan me të cilat kemi nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë. Sipas të dhënave doganore, në gjashtë vendet e Ballkanit eksportuam 47% më shumë se në vitin 2010, duke arritur vlerën e 24.6 miliardë lekëve. Krahasuar me eksportet totale të vitit të kaluar, pesha e eksporteve drejt këtij rajoni u rrit me gati 2 pikë përqindje, duke zënë 13% të totalit të eksporteve.
Në të njëjtën kohë, edhe importet nga vendet fqinje në Ballkan u rritën, por me ritme më të ngadalta (vetëm 8) duke bërë të mundur që deficiti tregtar të përmirësohet ndjeshëm. Vlera e deficitit ishte 22 miliardë lekë ose 19% më e ulët se një vit më parë. Shkëmbimet tregtare me këto vende patën një performancë më të mirë se ajo që karakterizoi tregtinë e jashtme shqiptare në tërësi. Pesha e rajonit të CEFTA-s në importet tona ra 0.5%, duke zënë 11.7% të totalit të importeve.
Rritja e shkëmbimeve tregtare erdhi më së shumti nga shtimi i volumit në tregtisë me këto vende. Maqedonia, Kosova e Serbia u bënë destinacioni kryesor i metaleve të çelikut. Sipas të dhënave doganoer, eksporti i tyre vlerësohet të ketë qenë rreth 50% më i lartë se një vit më parë. Më pak ndikim pozitiv dhanë eksportet e prodhimeve bujqësore, të destinuara veçanërisht në Maqedoni e Kroaci.
Produktet e metalit janë më të tregtuarat mes vendit tonë e rajonit, pasi edhe në importe ato zënë një peshë të konsiderueshme. Pavarësisht se në vend gjendet një ndër përpunuesit më të mëdhenj të çelikut në rajon, Shqipëria është destinacion i mirë edhe për pajisjet e shufrat e çelikut të Maqedonisë e Bullgarisë. Vitin e kaluar, importi i tyre ra ndjeshëm krahasuar me një vit më parë (për shkak edhe të kërkesës së ulët të brendshme), gjithsesi ato ruajnë peshë të madhe në importet tona nga vendet e CEFTA-s, duke zënë gati 20% të totalit të importit. Vitin e kaluar, një rritje të madhe të importit shënuan edhe mallrat ushqimore. Vlera e tyre u rrit 25% krahasuar me një vit më parë. Rritjen më të madhe e dhanë shtimi i importit nga Kosova për prodhime bulmeti e produkte ushqimore si lëngje frutash, patatina, biskota e madje edhe makarona.
Edhe gjatë këtij viti, eksportet pritet të ecin me ritme më të shpejta ndaj vendeve fqinje në Ballkan, krahasuar me ato të rajoneve të tjera. Sipas përfaqësuesve të Shoqatës së Eksportuesve, vendet e Ballkanit ofrojnë çmime më të lira blerje, por aktualisht na mundësojnë të kemi një shitje të sigurt, veçanërisht për produktet e freskëta e gjysmë të përpunuara.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.