Kryeministri Rama, në një inspektim të punimeve në vijim në qytetin e Durrësit, u shpreh se investimet e shumta të bëra do të vijojnë, për përmirësimin e jetesës së qytetarëve.
“Në bazë të zotimit tonë, këtu në Durrës, që në katër vjet do bëjmë për Durrësin sa nuk është bërë në 20 vjet të marra së bashku. Dhe praktikisht me këto kantiere, ne që vitin e parë po bëjmë për Durrësin sa ç’nuk është bërë në 20 vjet të marra së bashku, nga pikëpamja e volumit të investimeve dhe nga pikëpamja e impaktit që këto investime do të kenë drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve. Për të vazhduar me një ndërhyrje urbane shumë kuptimplotë në vijim dhe për të ecur më tutje me fazën e dytë që çelet pas pak javësh, me një numër si asnjëherë më parë në një zonë informale, kantieresh për urbanizimin e Durrësit të ri, apo siç e quani ju të ish kënetës së Durrësit. Të gjitha këto projekte janë një premisë e jashtëzakonshme për një transformim rrënjësor. Dhe transformimi rrënjësor që ne kemi premtuar ka nisur”, tha ndër të tjera Rama.
Sakaq, kryeministri nuk la pa përmendur edhe operacionin kundër vjedhësve së energjisë, ku sipas tij, poi jepet fund epokës së vjedhësve.
13 milionë dollarë janë akorduar nga qeveria, për bashkinë e Durrësit për vitin 2014 do të jetësohen në një sërë projektesh të rëndësishme, duke krijuar më shumë hapësira publike dhe gjallëri në lëvizjen e komunikimin mes njerëzve. Projekti për rikualifikimin e nënkalimit të zonës së Plepave është një investim që shtrihet në një sipërfaqe prej 30 mijë metra katrorë, pa harruar edhe projektin e madh të urës së Dajlanit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.