Gjatë takimit të sotëm me sipërmarrësit, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar largimin e të gjithë personave të paautorizuar, që bëjnë ndërmjetësin në Dogana.
“Të mos i pranoni në zyrë kur ju vijnë në zyrë ashtu me bluxhins. Kur të vijnë, nxirrini nga zyra, vijnë me shapka dhe mbajnë në presion kompanitë më të mëdha, dhe me ato çantat që nuk kuptohet ça kanë pistoleta, cigare apo bukë me vete!” u shpreh kryeministri.
Kryeministri Rama tha se miku i vetëm për sipërmarrësit duhet të jetë qeveria dhe se brenda 100 ditësh do të largohen nga Dogana, ata të cilët kryeministri i konsideron si “sekserë”.
Kryeministri gjithashtu bëri me dije se brenda javës së ardhshme do publikohet platforma online e bashkëqeverisjes, që do të ketë një dritare të veçantë për biznesin. “Çdo biznes do të ketë linjë direkte me këtë godinë në kohë reale për çdo lloj cenimi apo sjellje të padenjë të kujtdo që i shkon në derë, qoftë edhe një bukëshitës në fshat.”- tha kryeministri.
Kryeministri ka njoftuar gjithashtu se do të bëhet “një ristrukturim radikal të inspektorateve që e vërteta është që janë banda që lëshohen në emër të mjedisit.”
Rama ka njoftuar gjatë takimit edhe prezantimin e një pakete të re fiskale për turizmin.
“Do të lançojmë një paketë të re për turizmin, duke vendosur një sistem pa taksa për çdo investim që në turizëm që do të ketë një certifikim dhe operim nga një prej firmave globale, që do të thotë 5 yje të certifikuara me operatorë globalë. Na duhet turizmi i nivelit të lartë që lë shumë para në vend. Këtë vit kemi pasur shumë më tepër kërkesë se çfarë ne mund të ofrojmë”- deklaroi Rama.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Te gjitha keto jane tema qe prej vitesh kane preokupuar biznesin dhe sipermarrjet dhe me vjen shume mire qe me ne fund ankesat e tyre nuk kane rene ne vesh te shurdhet, I vleresoj shume nismat qe po ndermerr qeveria ne kuader te lehtesimit te bizneseve dhe krijimit te nje klime te favorshme per investime, te cilat ne nje te ardhme do te ndikojne pozitivisht ne klimen ekonomike.