Inercia e lartë e normave të interesit të kredisë reflekton sjelljen e kujdesshme të bankave në kreditim dhe rrezikun më të lartë të kredisë të perceptuar prej tyre…
Kredia për ekonominë ndaj prodhimit të brendshëm bruto rezulton në rreth 40.6% në fund të
tremujorit të tretë, ose 1.8 pikë përqindje më pak se një viti më parë, sipas analizës së fundit të Ndërmjetësimit Financiar, me autore Erjona Suljoti, Sofika Note, Olta Manjani në Departamentin e Politikave Monetare të Bankës së Shqipërisë.
Kredia për ekonominë ka pësuar ngadalësim të përshkallëzuar, duke kaluar në territor negativ në gjysmën e dytë të vitit dhe duke shënuar një ndryshim vjetor prej -2.4% në muajin nëntor. Ritmet e kreditimit të ekonomisë kanë vijuar të ndikohen nga të njëjtat probleme të kërkesës dhe ofertës, të cilat janë bartur edhe gjatë tremujorit të katërt. Aktiviteti i plogësht ekonomik dhe pasiguria për zhvillimet ekonomike në të ardhmen kanë kushtëzuar kërkesën e ulët si të individëve ashtu edhe të bizneseve për mjete financiare. Kjo, e kombinuar dhe me sjelljen e kujdesshme të bankave në vazhdimësi në përzgjedhjen e klientëve dhe projekteve që financojnë kanë ndikuar në përkeqësimin e aktivitetit kreditues në vend edhe gjatë tremujorit të fundit të vitit. Njëkohësisht, tkurrja e portofolit të kredisë, reflekton në një masë të madhe edhe pastrimin e kredive me probleme nga bilancet e bankave.
Rritet kosto e ndërmjetësimit
Sipas analizës, kostoja e ndërmjetësimit në lekë në muajt tetor dhe nëntor rezultoi mesatarisht 6.93 pikë përqindje, duke shënuar rritje mbi nivelin mesatar prej 6.73% të dy tremujorëve të mëparshëm. Ajo mbetet e luhatshme ndër muaj si rrjedhojë e luhatshmërisë më të lartë të normave të interesit të kredisë. Këto të fundit, në kushtet e nivelit të ulët të kredisë së re, ndikohen ndjeshëm nga normat preferenciale për kredi të veçanta. Në krahasim me një vit më parë, kostoja e ndërmjetësimit rezulton e rritur, si në terma mesatarë për të gjithë vitin, ashtu edhe për tremujorin e fundit të vitit. Kjo sjellje është diktuar nga rënia e shpejtë e normave të interesit të depozitave, veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit 2013, në ndjekje të sinjaleve lehtësuese të politikës monetare.
Në muajin nëntor, norma mesatare e ponderuar e interesit për depozitat në lekë rezultoi 2.51%, duke rënë me 1.31 pikë përqindje kundrejt fundit të gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Në krahasim me një vit më parë, ajo është 2.02 pikë përqindje më e ulët. Nga ana tjetër, normat e interesit të kredisë kanë përcjellë më pak dhe më ngadalë uljen e normës bazë. Ato kanë filluar të bien në pjesën e dytë të vitit, duke zbritur në nivelin 9.36% në muajin nëntor, nga 10.73% që shënonin në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2013.
Normat e interesit të kredisë në lekë mbeten ndjeshëm më të larta se yieldet e bonove të thesarit 12-mujore, të cilat merren shpesh edhe si normë referencë në përcaktimin e çmimit të kredive. Diferenca mes tyre është thelluar në periudhën shtator-nëntor, si rrjedhojë e rënies së shpejtë të yield-eve në
këta muaj. Këto të fundit, për maturitetin 12-mujor, shënuan 3.41% në muajin nëntor, duke rënë me përkatësisht 1.2 pikë përqindje dhe 1.6 pikë përqindje kundrejt fundit të gjashtëmujorit të parë të vitit 2013 dhe kundrejt një viti më parë. Inercia e lartë e normave të interesit të kredisë reflekton sjelljen e kujdesshme të bankave në kreditim dhe rrezikun më të lartë të kredisë të perceptuar prej tyre.