Sports Business Group i Deloitte publikoi edhe në vitin 2023, Football Money League (edicioni i 26-të), një analizë e klubeve që qarkullojnë më shumë para në futbollin botëror.
Nga studimi, i cili kurorëzon edhe një herë Premier League, dalin disa të dhëna interesante në sektorë specifikë të biznesit të futbollit.
Sipas raportit të publikuar të enjten, të ardhurat totale të 20 klubeve kryesore që gjenerojnë të ardhura u rritën afër niveleve të para pandemisë (9,2 miliardë euro) në sezonin 2021/22.
Kjo vjen kryesisht prej rritjes me 13% nga të ardhurat nga matchday (ndeshja e ditës), nga 111 milionë euro në 1.4 miliardë euro, pas dy sezonesh të prekura nga kufizimet e koronavirusit
Të ardhurat tregtare u rritën me 8% krahasuar me një vit më parë (nga 3,5 miliardë euro në 3,8 miliardë euro), por efekti i tyre është kompensuar nga rënia 11% (485 milionë euro) nga të drejtat televizive.
Falë rritjes së shitjeve nga të drejtat televizive ndërkombëtare dhe rritjes së fortë tregtare, për herë të parë në Top 20, bëjnë pjesë 11 klube të Premier League.
Leeds dhe Newcastle kanë zëvendësuar Wolves dhe Zenit St Petersburg në ndryshimet e fundit në top 20 krahasuar me sezonin e kaluar.
Të ardhurat e Manchester City u rritën me 13%, duke arritur në 731 milionë euro, duke kryesuar ndaj kampionëve të Europës, Real Madrid (714 milionë euro).
Liverpool renditet i treti, pozicioni më i lartë në historinë e Money League, duke lënë pas për herë të parë Manchester United, falë arritjes në finalen e Champions League, me 702 milionë euro.
Manchester United (689 milionë euro) renditet i katërti, para Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich (të dy me 654 milionë euro).
Barcelona, që dy vite më parë kryesonte në Money League, ka zbritur në vendin e shtatë (638 milionë euro), pasi u eliminua nga Champions League në fazën e grupeve dhe pasi regjistroi një rritje tregtare më të ngadaltë krahasuar me klubet e tjera.
Chelsea, Tottenham e Arsenal mbyllin dhjetë vendet e para të renditjes.
“Epërsia financiare e Premier League nuk ka gjasa të sfidohet në sezonet e ardhshme” – thotë Sam Boor, drejtor i Sports Business Group të Deloitte.
“Tani ka të ngjarë që jo nëse, por kur, të 20 klubet e Premier League të shfaqen në top 30 të Money League”.