Kuvendi i Shqipërisë, në orët e para të ditës së sotme votoi në unanimimet të plotë me 140 vota Pro, Reformën në Drejtësi.
Instucionet e rëndësishme ndërkombëtare, si Komisioni Europian, por edhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë, OSBE, etj vlerësuan me nota të larta konsensuin e arritur për reformën më të rëndësishme të hartuar në Shqipëri, përgjatë 25 viteve të fundit.
“Shtetet e Bashkuara janë krenare që kanë mbështetur hartimin dhe negocimin e kësaj pakete të reforme fortë dhe presim me kënaqësi të vazhdojmë partneritetin tonë jetëgjatë, e cila tani është shumë më e forte”, tha në mesazhin e tij ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Donald Lu.
Miratimin e përshëndeti edhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, eurodeputeti Knut Fleckenstain, dhe komisionari Johanes Hanh, i cili ka qenë negociatori i këtyre ditëve për të gjetur konsensus mes palëve. BE apeloi që zbatimi i reformës të nisë menjëherë me qëllim që shqiptarëve t’i shërbejë një sistem drejtësie që bazohet fort në standardet europiane.
Hartimi i Reformës së Drejtësi ishte një proces që zgjati për më shumë se 18 muajsh dhe u bë nën monitorimin e fortë të ndërkombëtarëve.
Por, cili do të jetë efekti që do të mund të sjellë në ekonomi, kjo reformë e shumë debatuar?
Akademikë dhe ekspertë të ekonomisë ndajë për “Monitor” një zëri opinionin se Reforma e sapo miratuar e Drejtësisë do t’i shërbejë në radhë të parë kthimit të besimit te shteti, te sistemi gjyqësor, përmirësimi i klimës së të bërit biznes, tërheqja e investimeve të huaja.
Për prof. Adrian Civicin: Reforma në drejtësi është edhe një fitore e mbështetje po aq e madhe për ekonominë dhe zhvillimin e vendit. Biznesi vendas, konsumi, Investimet e Huaja Direkte, investimet e brendshme, siguria e pronës etj., tashmë do të jenë më të sigurta, më të barabarta, më transparente përballë arbitraritetit, korrupsionit apo konflikteve të interesit.
Për sipërmarrësin dhe presidentin e Biznes Albania, Luan Bregasi: Reforma në Drejtësi nuk është vetëm një arritje politike, por edhe një arritje ekonomike. Ndër arritjet më të mëdha të shtetit shqiptar, ndoshta që nga shpallja e Pavarësissë në vitin 1912. Gjatë kësaj kohe, pretendimet që janë ngriur përmes sondazheve që janë realizuar nga insitucionet e sipërmarrjes të huaj, si dhomat e ndryshme kanë nxjerrë në pah problemet që ka vendi e që llidhen me drejtësinë, të drejtën mbi pronën, korrupsionin në gjykata etj.
Kjo reformë do të rrisë besimin te shteti shqiptar, te institucionet që presin të reformohen.
Do të sjellë një efekt tejet pozitiv dhe të prekshëm në rritjen e klimës te politika shqiptare një besim që ka munguar për një kohë të gjatë.
Kjo reformë, është një ngjarje tejet e rëndësishme dhe që do të mund të sigurojë më shumë drejtësi, stabilitet të ekonomisë, të financave publike, ndërsa do të përmirësojë ndjeshëm edhe klimën e të bërit biznes.
Prona dhe e drejta mbi pronën janë dy çështje që kanë mbajtur peng investimet dhe ne besojmë se kjo reformë do të mund të sigurojë zgjidhje me efet afatgjatë.
Për ekspertin e ekonomisë Selami Xhepa: Ndikimi i Reformës në Drejtësi është pozitiv. Sipas tij pritshmëritë më të larta janë kundrejt rritjes së eficiencës në sistemin e drejtësisë, gjë e cila ka munguar. Do të ulen kostot për qytetarët për proceset e stërzgjatura gjyqësore. Kjo Reformë do të japë sinjale në luftën kundër korrupsionit, do të sjellë përmirësim për klimën e të bërit biznes, si çështje shqetësuese të adresuara gjatë këtyre viteve nga sipërmarrjet e huaja dhe shqiptare. Këto janë sinjale të rëndësishme në parim për sistemin e drejtësisë shqiptare.
Por, sfida më e madhe do të jetë padyshim zbatimi i Reformës në Drejtësi, ku do të na duhet të presim sesi do të jetë kjo ecuri.
Për sipërmarrësin Alban Zusi: Ndikimi i parë që do të japë Reforma në Drejtësi do të jetë te investimet e huaja që nëse ajo nuk do të ishte miratuar do të ishin ndërprerë.
Që nga dita e sotme ndihet një klimë më e relaksuar, por efektet më të prekshme do të mund të shihen pas 6 apo 1 viti.
Reforma në Drejtësi do të mund të sigurojë më pak korrupsion, sistem administrativ më shumë të ‘lubrifikuar’, më pak burokratik me procedura më ë shkurtuara. Për ekonominë do të ketë më shumë shanse dhe më shumë besim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.