Vazhdimi i reformës në drejtësi do të kërkojë fonde të tjera shtesa.
Në draft strategjinë sektoriale të drejtësisë 2021-2025, Ministria e Drejtësisë llogarit koston e investimeve të fazës së dytë të reformës në drejtësi sipas dy skenarëve.
Në draftin e hedhur për konsultim publik ngrihet edhe shqetësimi i zëvendësimit të vendeve të lira të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kaluan vetingun. Nëse do të merren masa për zëvendësimin e tyre parashikohet që vendet e lira në gjyqësor të jenë 50% dhe sistemin e prokurorisë 33%.
“Rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka pasur ndikim të konsiderueshëm në reduktimin e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë. Mungesat e krijuara janë shoqëruar dhe me vështirësi në zëvendësimin e tyre, për shkak të kapaciteteve të kufizuara të Shkollës së Magjistraturës.
Parashikimet tregojnë se nëse merren masa të qenësishme në lidhje me plotësimin e vendeve të lira, raporti i vendeve të lira në nivelet më të larta të sistemit të drejtësisë do të jetë 50% në gjyqësor dhe 33% në sistemin e prokurorisë në vitet 2023-2024. Në këto kushte, ka nevojë që Shkolla e Magjistraturës të rrisë numrin e pranimeve vjetore për të paktën 100 kandidatë magjistratë në vit.
Gjithashtu, Shkolla e Magjistraturës tashmë ka kaluar një zhvillim gjithëpërfshirës të kapaciteteve dhe programi fillestar i trajnimit është përditësuar. Megjithatë, ekziston nevoja për përditësimin e programit të trajnimit të vazhdueshëm të ofruar nga SHM. Gjithashtu, synohet krijimi i një qendre burimore në Shqipëri për të drejtën evropiane si dhe për të drejtat e njeriut si dhe rritjen e kapaciteteve kërkimore dhe numrit të publikimeve”, theksohet në draft.
Në draft thuhet se vlerësimi i reformës strategjike gjatë periudhës 2016-2020 (faza e parë e reformës në drejtësi) tregoi se krijimi i institucioneve të reja ishte i ngadalshëm për të materializuar rezultatet dhe institucionet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë u krijuan vetëm në fund të fazës së reformës së shkuar. “Në këtë fazë të dytë, institucionet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë janë themeluar dhe funksionojnë megjithëse ka ende nevojë për të bërë të mundur konsolidimin dhe funksionimin me kapacitet të plotë të tyre. Në këtë kuadër, pritet që institucionet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë të funksionojnë plotësisht dhe të konsolidohen në periudhën e ardhshme të strategjisë”.
Për sa i përket investimeve propozohet se nëse ato të sektorit të IT, për burimet njerëzore, ngritja e një qendre mjekësore për të dënuarit me probleme mendore llogariten 34 mln euro gjatë viteve 2021-2023. Për sa i përket investimeve madhore në gjykata dhe në sistemin penitenciar, duke marrë në konsideratë një skenar realist në kushtet e situatës së krijuar nga pandemia Covid 19 është menduar që të shtrihen për një periudhë 10 vjeçare. Kostot totale të procesit të reformës të përllogaritura vlerësohen të jenë 50-57 milion euro gjatë periudhës 5-vjeçare të reformës. “Shumica e investimeve të fokusuara në godinat e gjykatave, korpusi të ri të pallatit të drejtësisë, sistemit penitenciar dhe prokurorisë, në përmirësimin e dhënies së shërbimeve që i përkasin skenarit 1 propozohet që të realizohen në fazën finale të reformës në drejtësi, përkatësisht në periudhën 2026-2030”, thuhet në draft.
Ministria e Drejtësisë sakaq llogarit edhe një tjetër skenar atë të kryerjes të gjitha investimeve në një afat kohor 5 vjeçar me vlerë 54 mln euro. “I ngjashëm me opsionin 1, por parashikon realizimin e të gjithë investimeve të synuara për maksimizimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve në vetëm 5 (pesë) vjet (2021-2025) dhe jo në 10 vjet sikurse parashikohet në opsionin 1. Kostot e këtij opsioni llogariten të jenë të paktën 54 milion euro për 5 vjet ose 10 % e shpenzimeve të PBA për periudhën përkatëse (10% të PBA)”, citohet në draft./D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.