Në sezonin 2021-‘22, klubet e Bundesliga-s regjistruan rënie të të ardhurave nga sponsorizimi prej 9.4%, ndërsa të ardhurat nga të drejtat televizive kombëtare regjistruan rënie prej 400 milionë dollarësh në katër vjet.
Sipas GlobalData, shoqëri lider në analizimin e të dhënave, këto të dhëna u hapin dyert investimeve të kapitalit privat (private equity investments) në kampionatin gjerman.
Raporti i fundit i GlobalData, “Business of the Bundesliga 2021/22”, tregon se të ardhurat totale nga sponsorizimet e klubeve ranë në 805 milionë dollarë, ndërsa ato nga të drejtat televizive kombëtare me 7.5%, duke i bërë kushtet më të përshtatshme për bisedime me fonde investimesh.
Patrick Kinch, analist sportiv në GlobalData, thotë se “në këtë sezon, klubet gjermane kanë pësuar rënie të të ardhurave nga sponsorizimi nga 889 milionë dollarë në 805 milionë dollarë, pavarësisht rritjes së tregjeve të furnizuesve të fanellave, duke konfirmuar se tregu i Bundesliga-s është ende në rrugën e rimëkëmbjes nga pandemia”.
“Bundesliga po përjeton edhe një rënie të të ardhurave nga shitja e biletave, për shkak të masave kufizuese dhe distancimit social, që vlerësohen më shumë se 256 milionë dollarë dhe një cikël të të drejtave televizive kombëtare që ka rënë me 100 milionë dollarë në vit deri në 2025 krahasuar me ciklin e mëparshëm”.
Në muajt e fundit, Bundesliga ka zhvilluar bisedime për të lejuar një konsorcium të udhëhequr nga një fond privat që të merrte përsipër menaxhimin e të drejtave televizive ndërkombëtare, në këmbim të një pjese prej 25% nga këto të ardhura. Për këtë arsye, klubet bllokuan negociatat, por situata e krizës dhe rënies së të ardhurave mund të nxisë rihapjen e bisedimeve.
“Nëse humbjet do të vijojnë, Bundesliga mund të marrë edhe një herë në konsideratë mundësinë investimeve me kapital privat, për mirëqenien në afat të gjatë të kampionatit dhe rritjen e saj në tregjet në zgjerim” – thotë në fund Kinch.
/Market Screener