Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Shpallja e rezultateve dhe certifikimi do t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja. Përveç rezultateve të partive, KQZ ka publikuar edhe votat e kandidatëve për kryeministër.
Në bazë të rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje, ka marrë 26.12 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës 24.45 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 21.16 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në koalicion me Partinë Socialdemokrate ka marrë 11.47 për qind, Lista Serbe 6.74 për qind të votave dhe Nisma Socialdemokrate 4.98 për qind.
Bazuar në numrin e votave të fituara, Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 32 deputetë në Kuvendin e Kosovës, LDK-ja 29, PDK-ja, 25 deputetë, koalicioni AAK-PSD, 14, Lista Serbe 10 deputetë, si dhe 10 vende kanë fituar së bashku të gjitha partitë e minoriteteve.
Pas përfundimit të afatit prej 24 orësh për ankesa, ky Komision do ta bëjë certifikimin e rezultateve.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se shpallja e këtyre rezultateve vjen pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotimeve dhe QNR.
Daka ka thënë se janë rinumëruar rreth 850 vendvotimeve.
“Sot po ashtu shpallim rezultatet përfundimtare pasi që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe Gjykata Supreme nuk kanë pasur ndonjë çështje për të shqyrtuar”, ka thënë Daka.
Ajo ka thënë se pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet e 6 tetorit ishte 44,72%.
Përveç rezultateve të partive, KQZ-ja i ka publikuar edhe votat e kandidatëve për kryeministër që i kanë fituar votat e mjaftueshme për të marrë një mandat në legjislativ.
E prej kandidatëve për kryeministër që ishin edhe bartës të listës së partive përkatësve, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, është kandidati më i votuar duke marrë 183 mijë e 868 vota.
Pas tij renditet Vjosa Osmani e LDK-së që mori 176 mijë e 188 vota.
Kurse kryetari i PDK-se, Kadri Veseli me 146 mijë është renditur i treti, ndërsa kryeministri në detyrë dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj mori 75 mijë e 917 vota.
/Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.