Shumë kompani italiane të tekstileve po braktisin Kinën dhe vendet e Lindjes së Mesme për t’iu rikthyer Ballkanit. Sa po i tërheqim këta investitorë dhe si mund t’i nxisim në një kohë kur eksportet e tekstileve po shënojnë rënie
Nga Laura Çela
Numri i kompanive italiane të tekstileve që po kërkojnë partnerë në Shqipëri sa vjen dhe rritet. Në muajt e fundit, fasonistët shqiptarë kanë shtuar takimet me “italianët” dhe disa prej tyre kanë nisur edhe bashkëpunimin.
Flamur Hoxha, drejtues i “Kler”, tregon se tashmë ka lidhur kontratë me një prej grupeve më të mëdha të veshjeve në Itali, “Ittierre”, duke i ofruar një produkt të plotë, që nga pëlhura, prerja, qepja e hekurosja.
Të gjithë “suksesin”, z. Hoxha ia atribuon investimeve të vazhdueshme dhe ofrimit të një produkti final për porositësit.
“Unë e4 kam bërë të ditur tendencën për të kaluar te produkti përfundimtar. Këtë vit kam 3-4 klientë të tjerë, që fillimisht lidhën kontratë me mua për punë me fason, por tashmë i ofrojmë produktin final”, thotë ai.
Në “Kler”, puna nis që nga blerja e pëlhurës kryesisht në Turqi dhe vende të ndryshme europiane, përgatitja e modelit apo prototipit, qepja dhe deri në realizimin e plotë të koleksionit, ku përfshihen edhe aksesorët.
“Kjo është ajo çfarë kërkohet tashmë nga shumica e firmave italiane. Me grupin ‘Ittierre’, që është edhe një nga partnerët e mi më të mëdhenj, kemi prezantuar 10-15 marka të ndryshme”, thotë administratori Flamur Hoxha.
Por z. Hoxha nuk është i vetmi ku kanë “trokitur” kompanitë italiane të tekstileve. Vitin e fundit po shtohet gjithnjë e më shumë numri i firmave nga ky shtet, që po lënë Kinën dhe po i rikthehen rajonit.
Dhe për pjesën më të madhe të tyre, ndalesa e parë është Shqipëria. Sipas fasonistëve, të gjithë “italianët” që kanë punuar këtu në vitet ‘95-‘96 dhe e njohin vendin, po kërkojnë të rikthehen dhe të spostojnë këtu pjesën më të madhe të prodhimit.
“Ka mjaft negociata me firmat që kanë ikur nga Kina, Tunizia dhe Libia”, shpjegon Bardhi Sejdarasi, drejtor ekzekutiv i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve (DHKPV).
Pse rikthehen
Rritja e çmimeve në Kinë është një nga shkaqet kryesore të largimit të firmave europiane të tekstileve nga ky vend. Për vendet e Lindjes së Mesme, shkaku unik është paqëndrueshmëria politike.
Rritja e çmimeve nuk ka ndodhur vetëm në “punën” që ato realizojnë për kompanitë e huaja, por edhe në lëndën e parë. “Çmimi i lëndës së parë në Kinë është rritur deri në 50%, kjo sepse tashmë ndërmarrjet duhet të përballojnë vetë të gjitha shpenzimet. Kjo po nxit shumë firma ndërkombëtare që të kërkojnë tregje jo vetëm për të qepur porositë e tyre, por edhe për lëndën e parë.
Shkaku kryesor që po i orienton drejt Shqipërisë është ulja e numrit të porosive në sasi të mëdha dhe preferenca gjithnjë e më shumë e sasive të vogla. Kriza globale financiare që përfshiu ekonominë europiane detyroi edhe kompanitë e veshjeve që të bëheshin sa më atraktive për klientët e tyre. Një nga hapat që ato ndërmorën është ofrimi i sa më shumë modeleve dhe larmive në veshje e këpucë për konsumatorët, duket shmangur modelet e njëjta, por të shumta në numër. Shumëllojshmëria e modeleve duket se ishte një nga “çelësat” e përdorur nga ndërmarrjet europiane për t’i bërë ballë krizës.
“Nëse firma e njohur ‘Armani’ më parë realizonte 10 mijë copë për model, sot kjo shifër është ulur me disa herë. Vetë kriza, tregu dhe konsumatorët nuk janë ata të para dhjetë viteve, ndaj të gjithëve u është dashur të përshtaten”, thotë z. Hoxha.
Dhe është pikërisht kjo që duket në favor të ndërmarrjeve shqiptare, të cilat punojnë të gjitha me sasi të vogla dhe dorëzojnë porositë në një kohë të shkurtër duke pasur një avantazh konkurrues ndaj ndërmarrjeve kineze që prodhojnë sasi të mëdha dhe në afate të gjata dorëzimi.
Avantazhi tjetër është afërsia gjeografike dhe transporti i shpejtë. Përveçse rruga është më e gjatë në Kinë apo në vendet Lindjes, çdo kompani europiane duhet të paguajë deri në 50% të mallit që merr nga ndërmarrjet kineze, që në momentin kur bën porosinë. Më pas, për të marrë sasinë e porositur, sipërmarrësi europian paguan edhe pjesën tjetër të çmimit dhe vetëm pas kësaj, sasia niset drejt BE-së, kur pritet të arrijë për rreth dy muaj.
Sa konkurrojmë
Por a po përfitojnë kompanitë shqiptare nga kjo mundësi?
Z. Hoxha tregon se tashmë 20% e prodhimit të tij nuk është më fason, por një produkt përfundimtar.
“Duke parë që konkurrenca e vendeve të tjera në rajon ofron produkt përfundimtar, investova dhe përqendrova kapitalet në realizimin e produktit final. Këto produkte kanë një vlerë 3-4 herë më të lartë se ato me fason dhe si rrjedhojë, edhe fitimet rriten”.
Ky fakt konfirmohet edhe nga DHKPV-ja. Sot, kompanitë e huaja kërkojnë nga partnerët e tyre që të realizojnë ciklin e mbyllur për të prodhuar një veshje, ndërkohë që ata sjellin vetëm modelin.
“Ka ardhur një fazë kur duhet të gjejmë një zgjidhje për të siguruar një kapital të lirë për të blerë lëndën e parë. Meqenëse bankat nuk ofrojnë kredi, duhet zgjidhje që të jepen kredi për blerjen e lëndëve të para, qoftë nga fondet e veçanta. Një pjesë e kompanive kanë investuar, por u mungon kapitali për lëndën e parë. Nëse kjo industri do të mbështetet, numri i të punësuarve do të rritet deri në 10 mijë veta”, thotë Sejdarasi.
Konkurrentet më të mëdha të Shqipërisë në rajon janë Serbia, Rumania dhe Bullgaria, megjithëse këto të fundit kanë hyrë në BE dhe kanë kosto më të lartë për fuqi punëtore. Këto shtete e kanë mbështetur industrinë tekstile dhe kanë arritur të tërheqin gjigantë tekstilesh duke garantuar rritjen e punësimit dhe të biznesit.
Në këtë drejtim, Shqipëria mbetet ende mbrapa, megjithëse shansi tashmë po troket.
Fasonistët kërkojnë që të nxiten përmes lehtësimit të taksave, sidomos te punonjësit e rinj, si dhe në importimin e pëlhurave ku kërkohet dogana 0 me Egjiptin, një nga prodhuesit më të mëdhenj të pëlhurave në botë.
Problematika
-Vetë biznesi duhet të orientohet drejt mbylljes së ciklit të prodhimit
-Në momentin që qeveria ka futur në fuqi makineri e pajisje, deri më sot asnjë nuk sjell më 0 TVSH dhe nuk janë bërë aktet nënligjore, plus është edhe një listë e përcaktuar.
-Heqja e tatimit mbi fitimin nuk ka shumë efekt
-Për punëtorët e rinj që për tre muaj nuk paguajnë, kjo nuk zbatohet.
-Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia, po ofrojnë shumë lehtësi: për punonjësit e rinj nuk paguhen sigurimet deri në dy vjet, falje tre vjet i tatimfitimit për kompanitë e huaja, pagesë për çdo vend pune të ri
Avantazhet
-Shqipëria është vendi me vendndodhje konkurruese në Europë për prodhimin e veshjeve. Me një vlerë prej 200-250 eurosh në muaj, kostoja e punës në sektorin e fasonit dhe prodhimit për eksport të veshjeve është gati sa një e dhjeta e Italisë dhe sa një e pesta e kostos së punës në Greqi.
-Fuqia punëtore shqiptare është e qëndrueshme dhe besnike.
-Të dhënat tregojnë se 50% e punëtorëve në firmat lidere të prodhimit të veshjeve kanë punuar në këto firma për më shumë sesa pesë vite
-Afërsia gjeografike
-Cilësia e mirë
-Magazinim i shpejtë
-Kosto e lirë transporti
-Hyrja në fuqi e marrëveshjes së kumulimit triangolar Turqi-Shqipëri-BE dhe si pasojë, eliminimi i taksës doganore prej 12.5%
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.