Ekonomia pritet të përshpejtojë ritmet e rritjes gjatë vitit 2011. Por ky zgjerim mund të kufizohet nga pritshmëritë inflacioniste dhe kriza e likuiditetit të bizneseve
Ekonomia shqiptare pritet të vazhdojë rritjen me ritme të kënaqshme gjatë 2010-s, duke iu afruar ritmeve të rritjes së parakrizës, të konstatuara deri në vitin 2008,
kohë kur Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 5-7%. Rritja do të nxitet nga bizneset, që pas dy vjet stepjeje pohojnë se do t’u rikthehen investimeve,
rigjallërimit të kreditimit, të konstatuar në muajt e fundit të vitit të kaluar, ecurisë pozitive të pritshme të eksporteve.
Qeveria pritet të vazhdojë të konsolidojë bilancin e saj, ndonëse zgjedhjet lokale do të ushtrojnë presion për një përshpejtim të shpenzimeve qeveritare.
Ndonëse në vitin 2010 u bënë hapa para me reduktimin e deficitit buxhetor, niveli i lartë i borxhit publik në rreth 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) nuk krijon mundësi për një politikë fiskale zgjeruese.
Taksat e ulëta dhe përmirësimi i ambientit për të bërë biznes pritet të bëjnë punën e tyre në tërheqjen e investitorëve të huaj, që duket se u stepën disi me fillimin e krizës globale.
Tashmë që vëmendja e investitorëve ndërkombëtare po përqendrohet në vendet në zhvillim (të cilat pritet të udhëheqin rritjen globale këtë periudhë),
Shqipëria duhet të shfrytëzojë shansin për të tërhequr sa më shumë investitorë në sektorët ku ajo ka avantazhe konkurruese, si bujqësia, turizmi, agropërpunimi etj. Imazhi pozitiv i krijuar për Shqipërinë,
si ndër të paktat vende në Europë që kishin rritje të kënaqshme pozitive gjatë periudhës së krizës pritet të ndihmojë në këtë drejtim.
Zhvillimi teknologjik pritet të marrë hov të madh, duke pasur parasysh dhe bazën e ulët të nisjes. Nga njëra anë janë kompanitë celulare.
Maturimi i tregut të thirrjeve zanore, në një kohë që tregut do t’i shtohet dhe një operator i ri, do të bëjë që konkurrenca e tyre të përqendrohet në shërbime të tjera si interneti,
të dhënat, si dhe zbatimi i teknologjisë 3G. Nga ana tjetër, rritja e konkurrencës dhe maturimi i një pjese të tregjeve do shtojnë interesin e bizneseve për të investuar në risi dhe teknologji, që do të çojë në një shtim të produktivitetit në një afat të mesëm.
Pas dy viteve relativisht të vështira, ku bankat u përballën fillimisht me një fluks tërheqjesh depozitash dhe më pak me një ngadalësim të aktivitetit, rritje të kredive me probleme dhe ulje të fitimeve,
situata duket se po kthehet drejt normalitetit. Bankierët pohojnë se sistemi bankar i rezistoi mirë krizës dhe ai mbetet i qëndrueshëm.
Problem do të vijojnë të mbeten kreditë e këqija, por gjithsesi ato priten të mbahen nën kontroll, teksa bankat janë bërë më të kujdesshme në drejtim të cilësisë së portofolave të tyre dhe po seleksionojnë klientët,
duke e përqendruar huadhënien te klientët cilësorë. Ritmet e rritjes së kredidhënies pritet të përshpejtohen, por gjithsesi bankat tani do të jenë shumë më të kujdesshme në përzgjedhjen e kredimarrësve,
duke u përqendruar te klientët cilësorë. Një shtim i kredisë për individë (konsumatore e për shtëpi) pritet t’i japë nxitje konsumit të brendshëm konsumator dhe të gjallërojë sektorin e pasurive të paluajtshme e ndërtimit.
Ulja e interesave të kredive e konstatuar muajt e fundit, është një tjetër element që do të ndikojë pozitivisht në kërkesën për kredi, si nga bizneset, ashtu dhe konsumatorët.
Kriza solli një korrektim të kursit të këmbimit, me lekun që u zhvlerësua në një masë relativisht të ndjeshme ndaj euros. Njëkohësisht u shënua një përmirësim i deficitit tregtar gjatë periudhës 2009-2010.
Sidomos gjatë vitit 2010, deficiti tregtar u zvogëlua si rrjedhojë e rritjes së eksporteve me ritme më të larta se importet. Pritej një korrektim dhe në çmimet e pasurive të paluajtshme, por që realisht nuk ndodhi.
“Korrektimi” tjetër, që pritet të zgjasë më shumë në kohë, është ai i bizneseve që nuk do të arrijnë të përshtaten me konkurrencën, kushtet e reja të krijuara në treg si dhe nuk do të mund të menaxhojnë dot nivelet e larta të borxheve.
2010-a shënoi dhe një rifillim të rritjes së punësimit me ritme të moderuara, pas stanjacionit të 2009-s.
Numri i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor është rritur me rreth 6 mijë vetë në fund të tremujorit të tretë, në krahasim me fundin e 2009-s.
Kjo tendencë pozitive pritet të vijojë, porsa kohë që bizneset deklarojnë se po u rikthehen investimeve.
Rreziqet, inflacioni dhe kriza e likuiditeteve
Është e vërtetë që faktorët optimistë që nxisin rritjen ekonomike janë më të lartë në krahasim me dy vitet e fundit, por disa rreziqe mbeten të pranishme.
Më kryesori është ai i inflacionit, ku produktet ushqimore dhe karburantet parashikohet të kenë tendenca shtrenjtuese.
Rritja e inflacionit të importuar është e pashmangshme, duke pasur parasysh se Shqipëria është një vend importues neto për shumë produkte.
Koniunkturat shpesh të pafavorshme të tregut (infrastruktura e varfër, mungesa e konkurrencës, informaliteti, struktura të dobëta kontrolluese dhe detyruese shtetërore) e amplifikon efektin e inflacionit të importuar.
Kjo situatë do të çonte, si në një frenim të konsumit të brendshëm, ashtu dhe në rritje të kostos së lëndëve të para dhe transportit për shumë biznese prodhuese.
Nga ana tjetër, një rritje e lartë e inflacionit do ta detyronte Bankën e Shqipërisë të ndryshonte kahun e politikës monetare,
duke rifilluar një shtrëngim të saj, pikërisht në momentin që politika e saj lehtësuese sapo ka filluar të japë efekte. E kombinuar me një politikë më të shtrënguar fiskale, kjo do të ndikonte negativisht në ekonomi.
Dy vitet e fundit, biznesi ndjeu shtrëngime në flukset e rrjedhjes së parasë, teksa shitjet u tkurrën, kreditë bankare u reduktuan ndjeshëm dhe afatet e likuidimeve të faturave u zgjatën.
Ky ngërç likuiditeti pritet të vijojë të ndikojë bizneset edhe gjatë këtij viti, duke kufizuar disi rritjen ekonomike.
Ndërsa nga Italia ka sinjale se ecuria ekonomike do të jetë më pozitive, nuk ndodh e njëjta gjë me fqinjin tjetër Greqinë,
i cili pritet të ketë sërish rënie ekonomike në 2011-n dhe rritje të papunësisë, që do të japë ndikimin si tek emigrantët në shtetin fqinjë ashtu dhe bizneset e lidhura me tokën helene, kryesisht ato në Jug.
Pritshmëritë pozitive
-rikthim i bizneseve drejt investimeve
-përshpejtim i ritmeve të rritjes së kreditimit dhe ulje e interesave
-lek relativisht i qëndrueshëm
-interes i shtuar i investitorëve të huaj drejt tregjeve në zhvillim dhe i nxitur nga fakti që Shqipëria ka qenë ndër të paktat vende me rritje pozitive në kohën e krizës
-zgjedhjet lokale do të shoqërohen me rritje të shpenzimeve kapitale
-pritshmëri më pozitive e ekonomisë italiane dhe rritje e interesit të bizneseve fqinje për të punuar me kompanitë shqiptare
Rreziqet
-pritshmëritë inflacioniste të larta, që pritet të godasin konsumin dhe të shtrenjtojnë kostot e lëndëve të para për bizneset
-një rritje e lartë e inflacionit do ta detyronte Bankën e Shqipërisë të ndryshonte kahun e politikës monetare, duke rifilluar një shtrëngim të saj
-një kërkesë ende e dobët e brendshme
-bizneset do të vijojnë të vuajnë nga kriza e likuiditeteve
-rritje e borxhit publik mbi 60% të PBB-së
-vazhdimi i situatës së tensionuar politike
-ekonomia greke pritet të vijojë rënien ekonomike dhe rritjen e papunësisë
Bizneset rimarrin veten
Biznesi shqiptar duket se e ka hedhur pas periudhën e vështirë 2-vjeçare dhe i është rikthyer optimizmit.
Anketimet me përfaqësues të sektorëve të ndryshëm në vend konfirmojnë se tashmë sipërmarrësit janë më pozitivë dhe gati për të realizuar investime dhe punësime të reja.
Një vit i mbarë pritet të jetë për eksportuesit, të cilët që prej fundit të vitit 2001 kanë shtuar numrin e kontratave të lidhura me partnerët e huaj dhe presin rritjen e tyre në 2011-n.
Për sektorin që zë rreth 13% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërtimi, ky pritet të jetë një vit seleksionimi, ku kompanitë e vogla apo që kanë investuar “gabimisht” do të dalin nga tregu, ku pritet të mbijetojnë firmat më të konsoliduara.
Ndërkohë, nuk do të jenë të pakët bizneset që do të duhet të përballojnë “sfida”. Tregtia me pakicë do të jetë nën presionin e liberalizimit të vizave, pasi mjaft konsumatorë do të kenë tendencën për të kryer “pazaret” në Europë.
Kjo pritet të nxisë shumë tregtarë të ulin çmimet dhe fitimet e tyre për t’u bërë më konkurrues.
Ndërtimi, kompanitë “e paafta” drejt falimentimit
Megjithëse agjentët imobiliarë presin gjallërim të tregut të shitblerjeve të pasurive të patundshme, vetë ndërtuesit nuk janë shumë optimistë.
“Bllokimi për një periudhë trevjeçare i lejeve të ndërtimit nga Bashkia e Tiranës i ka dhënë një goditje shumë të madhe sektorit, duke shumëfishuar efektet e krizës ekonomike,
që sipas parashikimeve do të vazhdojë dhe në gjysmën e parë të 2011-s”, thotë nëndrejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve, Ilir Hebovija.
Ndonëse do të ketë kompani që do të vijojnë të punojnë dhe të realizojnë të ardhura dhe fitime, “dëmi” i shkaktuar nga mungesa e likuiditeteve ende është i vështirë të riparohet.
Por një risi që duket se do të prekë këtë sektor është “skarcimi” i mjaft firmave, të cilët në paaftësinë për realizuar fitime do të shpallin falimentin.
“Sot, shumë kompani kanë marrë me miliona euro kredi në banka dhe nuk janë në gjendje t’i shlyejnë, pasi kanë kryer investime të pastudiuara.
Kjo ka bërë që mjaft prej pasurive të tyre të merren në dorëzim nga bankat, duke çuar drejt mbylljes së aktivitetit.
Fakt, është që në fund të 2010-s dhe në vazhdimësi do të shohim kompani që do të falimentojnë duke lënë kështu në treg kompanitë e konsoliduara”, shpjegon kreu i “Konfindustrisë Shqiptare”, Hajredin Fratari.
Të njëjtin mendim e përforcon edhe përfaqësuesi i Shoqatës së Ndërtuesve, Hebovija, sipas të cilit shumë kompani të ndryshme do të bëjnë ristrukturime radikale për të shpëtuar nga falimenti,
ndërsa të tjera do të lëvizin drejt burimeve të tjera që gjenerojnë para, duke lënë përkohësisht apo përgjithmonë tregun e ndërtimit të banesave.
Nga ana tjetër, edhe ndërtuesit konfirmojnë rritjen e interesit për blerje apartamentesh, si pasojë e shtimit të kreditimit nga bankat private, por edhe kreditë me “garant” qeverinë, si p.sh. kredi për të pastrehët.
Ilir Hebovija
Tregu, i bllokuar deri në qershor
Industria e ndërtimit në të gjithë treguesit e saj nuk ka treguar shenjat e rimarrjes së vetes nga kriza e gjatë e 3 viteve të fundit. E njëjta situatë pritet të jetë edhe gjatë vitit 2011, për shkak të shumë faktorëve që kanë ndikim të dukshëm në këtë industri.
Duke i ndarë në dy sektorë kryesorë, atë të ndërtimit të banesave dhe të infrastrukturës, vihet re se, megjithëse me zhvillime të ndryshme, situata në fund të vitit do të jetë e njëjtë.
Tregu i banesave do të vazhdojë të tregojë shenja të dukshme të rënies së kërkesës, për shkak të mungesës së likuiditeteve, kreditimit me probleme dhe çmimeve që vazhdojnë të jenë në të njëjtin nivel.
Sipas shumë parashikimeve, situata monetare në vend do të jetë e paqëndrueshme, me një dobësim të ndjeshëm të lekut dhe sigurisht në këtë terren do të jetë e pamundur riaktivizimi i tregut të banesave.
Mungesa e garancive të nevojshme për të financuar blerje në shtrirje në kohë, siç janë banesat, e mban këtë treg në nivele minimaliste.
Mundet që kompani të ndryshme të bëjnë ristrukturime radikale, për të shpëtuar nga falimenti, ndërsa të tjera të lëvizin drejt burimeve që gjenerojnë para, duke lënë përkohësisht apo përgjithmonë tregun e ndërtimit të banesave.
Kjo sigurisht do të shoqërohet me rënie të ndjeshme të numrit të të papunëve, po ashtu dhe të dëmtimit të inventarit të mjeteve të rënda që kompanitë kanë në zotërim. Ky inventar kap një shifër prej disa qindra miliona eurosh.
Situata do të jetë e njëjtë dhe për ata qindra nënkontraktorë apo përfitues nga zhvillimi i sektorit të real-estate.
Nëse dikur kompanitë e vogla dhe bizneset që lidheshin me sektorin e ndërtimit, që janë rreth 128, merrnin porosi grosiste, tashmë ato janë të orientuar drejt tregut me pakicë.
Të gjitha këto lëvizje i shërbejnë qëllimit të mbijetesës, pa mundur që kompanitë të kenë fitime të mjaftueshme për riinvestime në sektorin e banesave apo në sektorë të tjerë.
Mungesa të ndjeshme pritet të ketë dhe buxheti i shtetit, i cili që tani ka parashikuar të ardhura me rënie nga sektori i ndërtimit, krahasuar edhe me buxhetin e vitit 2010.
Me shpresën që fundi i vitit 2011 të japë shenja të qarta të një tendence për rritje të sektorit të ndërtimit të banesave dhe një gjallërim të tij në vitin 2012.
Situata në sektorin e infrastrukturës, megjithëse ka nota më pozitive, rrezikon të kthehet në një problem serioz për shkak të disa ngjarjeve të rëndësishme politike të vitit 2011.
Prej kohësh, ky sektor ka dy tendenca të rëndësishme, atë të fronteve të shumta të punës. Nga ana tjetër, mospagimin e detyrimeve për punën e bërë nga ana e buxhetit të shtetit.
Vlerës prej 100 milionë USD të akumuluar nga viti 2011 do t’i shtohet po ashtu edhe një vlerë tjetër e madhe për shkak të zgjedhjeve që zhvillohen këtë vit.
Prej rreth 20 vitesh, zgjedhjet janë shoqëruar me një fuqizim të trendit të punëve publike, me hapjen e investimeve të reja, por që në të shumtën e rasteve janë të pambështetura me fonde nga buxheti.
Edhe këtë vit, nga qeverisja qendrore dhe ajo lokale, tendenca për të kryer sa më shumë punë publike në prag të zgjedhjeve duket të jetë e lartë.
Kompanitë e ndërtimit do të përfshihen në këto punime, duke pasur si garant institucionet. Fakti është që qeveria (qendrore dhe vendore) ka paaftësi pagese në një situatë normale,
siç janë vitet 2009 dhe 2010 dhe kjo paaftësi do të rritet edhe në 2011-n. Ndërtuesit në këto 10 vitet e fundit kanë pasur vështirësi të shumta për të marrë paratë për punimet e kryera në tenderët e fushatave.
Financimi që shërben edhe si “karrem” për kompanitë e ndërtimit është minimumi i fondit të duhur për të përfunduar gjithë objektin. Kjo do të thotë që, nëse vlera totale e projektit është 100 milionë, tenderi fillimisht hapet vetëm me 1 milion.
Por nëse kjo strategji ishte deri-diku e vlefshme, sepse pagesat bëheshin në fund të vitit, tani është e rrezikshme. Akumulimi i një borxhi të madh dhe me tendencë rritjeje riskon shumë,
jo vetëm kompanitë e ndërtimit, por edhe investimet publike, për shkak të pamundësisë së realizimit të tyre.
Për eksportet, një vit i mbarë
Eksportuesit shqiptarë duken entuziastë për këtë vit. Të dhënat nga disa kompani eksportuese në vend konfirmojnë se do të lidhen më shumë kontrata dhe më shumë partnerë të huaj do të mbërrijnë në Shqipëri.
Kreu i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, vë në dukje se vendi ynë po bëhet gjithnjë e më shumë konkurrues dhe si pasojë, shumë tërheqës për kompanitë europiane.
“Që në muajt e fundit të 2010-s, numri i kontratave është rritur ndjeshëm, ndërkohë që kështu pritet të vazhdojnë edhe më tej në 2011-n.
Prodhuesit europianë preferojnë një vend afër Europës për të kryer partneritet, sesa një vend të largët”, shpjegon Zusi.
Një faktor pozitiv që duket se do të nxisë edhe më shumë ardhjen e kompanive europiane është edhe ulja e konkurrueshmërisë nga Kina, fakt ky që konfirmohet nga të gjitha industritë eksportuese shqiptare.
“Kina ka shtuar pakënaqësitë në radhët e industrialistëve europianë, duke mos qenë korrekte me partnerët dhe duke pasur edhe probleme të ndryshme ligjore”, shpjegon Alban Zusi.
Edhe përfaqësuesit e fasonit vërejnë se Kina tashmë po kthehet vetë në një prodhuese, duke tentuar kështu t’u marrë tregun kompanive të mëdha të veshjeve dhe kjo ka shtyrë shumë drejtues firmash që të largohen prej saj, në përpjekje për të “ruajtur” investimet e veta.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e kompanive eksportuese, sidomos ato me material porositës, të kontaktuar nga “Monitor”, konfirmuan se janë në presion për largim të punonjësve, të cilët duken të gatshëm për të punuar në vendet e BE-së gjatë kohës së lejes së qëndrimit, ndonëse ligjërisht nuk do të mund dot ta bëjnë këtë.
Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Zusi, thotë se nga kontaktet që kanë me punonjësit e tyre vihet re dëshira e tyre për të dalë jashtë vendit, kryesisht në Itali dhe Greqi,
për të punuar gjatë kohës së lejuar për qëndrim dhe kjo pritet që të ndikojë në numrin e të punësuarave në këto ndërmarrje.
Fasoni, pritet rritje e ndjeshme e volumit
Sektori që zë rreth 32% të totalit të eksporteve shqiptare për 11-mujorin e vitit 2010, duket se pret një vit të mbarë. Përfaqësuesit e disa ndërmarrjeve në vend,
si dhe presidenti i Dhomës Kombëtare të Prodhimit të Veshjeve, Flamur Hoxha, janë optimistë për ecurinë e 2011-s.
Prej gjysmës së dytë të 2010-s porositë nga partnerët janë shtuar, tendencë kjo që pritet të thellohet në muajt në vazhdim.
“Me krizën që kaluan, shumë kompani të huaja nisën të kërkonin partnerë të rinj për të prodhuar me kosto sa më të ulët dhe kjo është arsyeja që gjithnjë e më shumë firma ndërkombëtare,
sidomos ato italiane u drejtuan tek ne. Shumë e njohin Shqipërinë si emër dhe kanë krijuar një përshtypje negative, por tashmë që kanë ardhur dhe kanë kontaktuar me kompani shqiptare,
po ndryshojnë mendim dhe po interesohen për të lidhur partneritet me ne”, thotë Hoxha.
Edhe në 2011-n duket se partnerët kryesorë do të vijojnë të mbeten kompanitë italiane dhe më pak do të jenë ato që vijnë nga vendet e tjera të Europës.
Ato që do të drejtohen më së shumti drejt Shqipërisë janë kompanitë e mesme apo të vogla italiane, që sipas Flamur Hoxhës, janë rritur shumë në numër dy vitet e fundit.
“Ajo që po ndodh në Itali është se grupe të fuqishme veshjesh janë në rënie dhe janë shtuar kryesisht grupet e vogla dhe janë pikërisht këto që përbëjnë potencial për fasonin shqiptar”, thotë presidenti i Dhomës Kombëtare të Prodhimit të Veshjeve.
Por çfarë pritet në tekstilin italian?
Në 2009-n, sektori i tekstile-veshjeve ka marrë rol mbrojtës: kriza i kishte trembur industrialistët në pikën sa mbetën thuajse “të paralizuar”.
Në vitin 2010, përkundrazi kanë rigjetur pak besim, si pasojë e sinjaleve për rimëkëmbje ekonomike.
Në 2011-n, megjithëse shumë të panjohura, industria do të vijojë në këtë rrugë, sepse ka “çelësin” për të vijuar të jetë lider në nivel global.
Michele Tronconi, presidenti i “Sistema moda Italia”, sintetizon kështu shpirtin me të cilin ndërmarrjet e sektorit përballojnë vitin e ri,
që në muajt e parë do të pasohet me ngjarje të rëndësishme: nga 11-14 janari, me panairin më të rëndësishëm të veshjeve mashkullore,
vitrinë strategjike për të gjithë zinxhirin prodhues, jo vetëm për produktin final. Menjëherë më pas, në datat 15-18 janar,
Milano do të hapë sfilatat e meshkujve, ndërsa në shkurt do të bëhen sfilatat e koleksioneve të femrave, thuajse njëherësh me Milano Unica, panairi i madh i tekstileve luksoze, vitrina tjetër tepër e rëndësishme për “made in Italy”.
Në 2009-n, sektori i tekstile-veshjeve ra me 15%: “Ka qenë vërtet një vit i tmerrshëm, por në 2010-n ka pasur rimëkëmbje, edhe pse jo i gjithi”, thotë Tronconi.
Xhiro është rritur me 4.6%, por ky nivel është gjithsesi larg nivelit të prodhimit të viteve të kaluara.
E panjohur për 2011-n mbeten çmimet e lëndëve të para, të cilat që në fund të 2010-s kanë shkaktuar ngadalësimin e prodhimit krahasuar me 10 muajt e parë të vitit.
Në një vit, kostoja e pambukut dhe e lëndëve të tjera bazë të zinxhirit, si leshi, mëndafshi, kashmiri dhe të tjerë materiale, janë dyfishuar në çmim.
Dhe e ardhmja, siç demonstrojnë të dhënat e javëve të fundit, nuk duket shumë e mbarë.
“Në këtë aspekt, kujton presidenti i SMI ishtë një vit i shënuar: kostot e prodhimit do të mbeten të larta ndërkohë që parashikojmë edhe mangësi në dorëzime.
Pika ku do të mbështetemi është reputacioni i markës “made in Italy”. Kina është fabrika e botës, supermarketi i botës dhe po shndërrohet në një treg të rëndësishëm për rritjen e kompanive italiane të veshjeve.
Por shpejt edhe kinezët do të shfrytëzojnë stilistë dhe krijues të çdo lloji. Ne italianët, në ide mbetemi gjithsesi të pamposhtur, sepse kapaciteti ynë bazohet në tradita shekullore,
që kanë rrënjë të thella, jo vetëm në kulturën e së bukurës por edhe të “know how” të artizanatit. Pikërisht këtu duhet të investojmë dhe për këtë qëllim,
industria tekstile duhet ruajtur me çdo kusht”, shton Michele Tronconi, presidenti i “Sistema moda Italia”.
Tregtia me pakicë, efekt negativ
Ndryshe nga pjesa dërrmuese e bizneseve shqiptare që janë optimistë për ecurinë e këtij viti, kjo nuk duket për tregtinë me pakicë.
Faktori kryesor që do të ndikojë negativisht është hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave me vendet “Shengen”,
që do t’u mundësojë konsumatorëve shqiptarë të lëvizin lirshëm në shtetet europiane, duke shfrytëzuar sidomos uljet.
Sipas përfaqësuesve të sektorit, tregtarët e veshjeve do të kenë konkurrencën më të madhe, sepse në të dyja vendet fqinje, Itali dhe Greqi, periudha e “skontove” është e ndjeshme.
“Sigurisht që për tregtarët e veshjeve do të ketë rënie të shitjeve, sepse njerëzit jo vetëm do të shkojnë për të takuar familjarët e tyre, por edhe do të bëjnë blerjet e tyre.
Kjo padyshim që do t’i bëjë tregtarët të bien me këmbë në tokë dhe të jenë shumë më konkurrues”, shprehet Stela Dhami, menaxhere për Shqipërinë e agjencisë ndërkombëtare të real-estate “Colliers International”.
Në fakt, në Itali dhe Greqi periudha e uljes së çmimeve është dy herë në vit dhe uljet janë të mëdha. Edhe sot, njerëzit që kanë pasur mundësi të lëvizin lirisht, kanë preferuar që t’i blejnë veshjet e tyre jashtë dhe fakti që tashmë të gjithë do të kenë mundësinë të udhëtojnë, jo të gjithë, por një pjesë e mirë e njerëzve, do të blejnë në vitrinat e Italisë, Greqisë apo Gjermanisë.
“Padyshim ata që do ta ndiejnë më shumë do të jenë dyqanet e veçanta që shesin me çmime të larta, sesa qendrat tregtare.
Por edhe njësitë tregtuese, që janë përfaqësi të markave të huaja në Shqipëri, do të detyrohen të ulin çmimet, sepse do të kenë presion më të madh”, thotë Dhami.
Edhe administratorët e dy qendrave më të mëdha tregtare në vend konfirmojnë opinionin e menaxheres së “Colliers”.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të “CityPark”, Genti Çela, hapja e kufijve me Europën do të shërbejë në rregullimin e mëtejshëm të tregut të veshjeve në Shqipëri.
“Ne nuk presim ndonjë efekt negativ nga liberalizimi i vizave. Ajo që pritet të ndodhë do të ketë dy anë: ne nuk presim që kjo lëvizje të keqpërdoret nga ana e shqiptarëve dhe nga ana tjetër konsumatorët,
pasi të vizitojnë edhe vitrinat në Europë do të ndërgjegjësohen se çmimet janë njësoj. Njëherësh me këtë do të ketë presion edhe për tregtarët abuzivë me çmimet dhe cilësinë”, thotë Çela.
Edhe Samir Mane, i Qendrës Tregtare Univers, thotë se padyshim që do të ketë interes të konsumatorëve për të dalë dhe për të bërë shopping jashtë dhe kjo pritet të reflektohet negativisht në muajt e parë të liberalizimit të vizave.
“Ajo që ne presim është rënia e shitjeve në dy-tre muajt e parë. Pasi njerëzit të kenë dalë jashtë dhe të konstatojnë se çmimet që janë të njëjtat me ato në njësitë tona tregtuese,
sidomos të atyre që janë përfaqësi e markave të njohura ndërkombëtare, do të kthehen sërish që të blejnë këtu”, thotë Mane.
Megjithëse tregtarët e elektroshtëpiakeve nuk pritet të kenë efekt aq të madh negativ sa ato të veshjeve dhe këpucëve, edhe kjo degë pritet të “vuajë” ulje të shitjeve, kjo sepse në total do të bjerë fuqia blerëse.
Industria agroushqimore, vit pozitiv
Edhe për industrinë agroushqimore, ky vit pritet të jetë më pozitiv. Drejtuesit e kompanive janë më optimistë, kjo sepse vihet re një “lëshim” i kredive nga ana e bankave.
“Nuk mund të themi se tashmë kriza është kaluar plotësisht, por jemi në prag të daljes prej saj. Një nga faktorët kryesorë që ndikon është lirimi i kredive bankare,
që pritet të nxisë më shumë ekonominë në përgjithësi”, thotë Sami Gjergji, administrator i kompanisë së prodhimit dhe tregtimit të vezëve “Floryhen”.
Gjergji thotë se është duke përfunduar realizimin e një investimi prej rreth 3 milionë eurosh për ngritjen e një fabrike të përpunimit të qumështit,
ku pritet të punësojë më shumë se 100 punonjës. Kjo fabrikë pritet të nisë nga puna në muajin mars me një kapacitet prodhues prej 6,000 l/qumësht në orë.
Administratori i “Floryhen” shpjegon se po vijon investimin në një kohë kur duket se situata negative është lënë tashmë pas krahëve.
“Jemi duke punuar tashmë edhe për certifikimin që të kemi mundësinë të dalin menjëherë edhe për eksport”, thotë Sami Gjergji.
Parashikimet-ekspertët
Një vit më i mbarë
Viti që filluam pritet të jetë më i mbarë për ekonominë shqiptare. Disa prej treguesve makroekonomikë, të përmirësuar gjatë vitit që shkoi,
janë premisë për vazhdimin e përmirësimit të ekonomisë shqiptare edhe gjatë këtij viti
Ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare janë optimistë kur flitet për zhvillimet ekonomike në Shqipëri për 2011-ën.
Ata parashikojnë se tregu do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e presioneve të tregjeve ndërkombëtare dhe veçanërisht të zhvillimeve ekonomike të tregjeve fqinje si Greqia.
Megjithatë, sipas tyre, ka ardhur koha të mendohet për plane afatgjata të zhvillimit të ekonomisë shqiptare.
Perspektivë më e mirë për 2011-n
Intervistë me Kseniya Lvovsky, menaxhere e zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë
Si e karakterizon Banka Botërore zhvillimin ekonomik shqiptar në vitin 2010?
Pasi përjetoi një periudhë të shkurtër tkurrjeje në gjysmën e dytë të vitit 2009, ekonomia shqiptare tregoi shenja të qarta të rimëkëmbjes në 2010-n.
Rimëkëmbja në vitin e kaluar shihet më së shumti në shërbimet që rifilluan shpejt pas periudhës së shkurtër të ngadalësimit në gjysmën e dytë të vitit 2009, që sinjalizoi rritje të kërkesës së brendshme.
Rritja e fuqishme në industrinë nxjerrëse reflektoi rritjen e çmimeve të produkteve. Në të njëjtën kohë, sektorë si ndërtimi dhe disa industri përpunuese po shënojnë një normë negative rritjeje.
Depozitat rifituan nivelin e tyre normal të rritjes dhe huatë e reja nuk janë larg trendit historik. Me të drejtë, gjithsesi, bankat mbeten të kujdesshme në lidhje me gjendjen e portofolit të kredive të pakthyera dhe situatës së jashtme.
Në përgjithësi, perspektiva për të ardhmen është pozitive, e varur në kushtet e ekonomive të Europës Perëndimore, të cilat janë destinacionet kryesore të eksporteve shqiptare dhe strehojnë pjesën më të madhe të emigrantëve shqiptarë.
Cilat janë problemet dhe zhvillimet më të rëndësime?
Arritja më e rëndësishme do të ishte kalimi i krizës globale financiare me ndikim relativisht të përmbajtur në ekonominë shqiptare. Shqipëria është ndër të paktat vende në Europë që ruajti një normë pozitive rritjeje në 2009-n.
Ky ishte një kombinim i sektorit të shëndoshë të saj bankar dhe stimujve fiskalë. Përshpejtimi i investimeve publike çoi në një ndryshim të trendit të reduktimit, si të borxhit fiskal, edhe të borxhit publik.
Kjo kërkon edhe rritjen e përpjekjeve për përmirësimin e kushteve fiskale. Rregullimet fiskale në mes të vitit 2010 ishin një hap në drejtimin e duhur për të ruajtur disiplinën fiskale dhe për të shmangur rritje të mëtejshme të borxhit publik.
Sfida që gjendet përpara është që të sigurohet një rrugë për uljen e borxhit pa ndërhyrje të papritura, që mund të prekë shërbime publike kyçe përmes zhvillimit të një sistemi buxhetor afatmesëm.
Si e vlerësoni klimën e biznesit për 2010-n dhe si mund të përmirësohet ajo?
Sipas treguesve të raportit “Të bësh Biznes”, Shqipëria ka bërë progres në administrimin e taksave.
Në përputhje me nevojat për të ruajtur një strukturë të qëndrueshme makroekonomike në një klimë të jashtme më të ashpër, Shqipëria përballet me sfidën për të rritur suksesin e zhvillimit ekonomik.
Progresi i arritur dekadën e kaluar nënkupton se do të nevojiten kushte më të mëdha për inputet e nevojshme në procesin e zhvillimit.
Analiza e raportit tonë të fundit “The New Growth Agenda” tregon se presionet më të ngutshme janë në hapësirat e kapitalit njerëzor (veçanërisht aftësitë e tregtueshme)
dhe infrastrukturë (lidhje interneti, furnizimi me energji dhe transport). Këto detyra janë bërë më të rëndësishme në vitet e fundit,
kur niveli i të ardhurave është rritur dhe kërkesa për të mira e shërbime cilësore është rritur.
Për një vend me të ardhura mesatare do të jetë e vështirë të jetë konkurrues dhe të kthehet në mbështetje të rritjes nëse këto faktorë dalin në krahë.
Për më tepër, infrastruktura institucionale duke përfshirë “Rule of law”, sigurisht sistemi rregullator dhe aftësia për të implementuar ligjet dhe politikat bëhet kritike.
Nëse bëni një parashikim, cili prisni të jetë zhvillimi ekonomik për këtë vit? Cilët janë sektorët që duhet të zhvillohen më tej? Në ç’nivel mendoni se do të vazhdojnë efektet e krizës financiare?
Rritja pritet të mbetet e moderuar me rreth 3% për 2010-n, me një përmirësim të mëtejshëm në vitin 2011.
Ne presim rritje të fortë për të kaluar trendin e para krizës me rreth 6% në terma mesatarë, me kusht që shërimi global dhe rajonal nga kriza financiare të mbetet i qëndrueshëm.
Siç e përmenda më sipër, edukimi dhe aftësitë, ashtu si edhe baza e infrastrukturës – Teknologjia Informatike e Komunikimit- janë vendimtare për zhvillimin e Shqipërisë në të ardhmen,
së bashku me një përmirësim të mëtejshëm të administrimit publik, të të drejtave të pronësisë së tokës dhe rregullat e biznesit.
Kriza globale ka reduktuar në mënyrë të dukshme oreksin e investitorëve të huaj të ndërmarrin riskun, kapitalet kanë të ngjarë të jenë të kufizuara në pak vitet në vazhdim.
Përshpejtimi i ritmit të reformave në këto fusha do të rrisë konkurrueshmërinë shqiptare si destinacion i hyrjeve të reja kapitale.
Koha për të përcaktuar objektivat afatgjatë
Ismail Beka, GTZ Tiranë
Në këndvështrimin tuaj, si do ta përkufizonit ecurinë e ekonomisë shqiptare në vitin 2010?
Ekonomia shqiptare gjatë vitit 2010 i përballoi më lehtë se sa ishte menduar pasojat e krizës ekonomike ndërkombëtare, veçanërisht në fushën e ekonomisë së jashtme.
Rritja ekonomike e pritshme pozitive me mbi 3% edhe për vitin 2010 i dedikohet edhe zhvillimeve pozitive të tregtisë së jashtme
dhe veçanërisht kur bëhet fjalë për rritjen e eksporteve (deri në fund të muajit nëntor 2011 me mbi 58%) si dhe me ulje të deficitit tregtar me rreth 4%.
Aktualisht raporti eksport-import është reduktuar nën 1:3, ndërkohë që një vit më parë ishte 1:4.
Ecuria pozitive ekonomike edhe në këto vite të krizës globale i dha mundësi Shqipërisë për t’u transformuar nga një vend me të ardhura të ulëta në një vend me të ardhura të mesme.
Megjithatë, viti 2010 nuk e plotësoi pritshmërinë e qeverisë për sa i përket treguesve të rritjes ekonomike dhe për pasojë të ardhurat ndikuan në uljen e ndjeshme të buxhetit të shtetit,
çka e detyruan qeverinë të bëjë në mes të vitit 2010 në Parlament reduktimin e buxhetit, kryesisht në zërin e shpenzimeve dhe investimeve, duke cenuar rëndë mjaft sektorë të ekonomisë,
përfshirë edhe ata më jetikët si arsimi, bujqësia, infrastruktura etj.
Viti 2010 mund të quhet si rruga europiane “gjysmë e realizuar” për Shqipërinë me viza të liberalizuara dhe pa statusin kandidat të vendit.
Është arritje e madhe që edhe shqiptarët e gëzuan fundin e vitit 2010 me lirinë e vizave për në vendet e “Shengen”,
që edhe biznesmenët shqiptarë tashmë janë të lirë e të barabartë me kolegët e tyre të rajonit për të shkuar kur të duhet dhe për të bashkëpunuar për interesat e tyre të biznesit me bizneset europiane.
Raporti Europian për Shqipërinë vlerësoi se “Për sa i përket kriterit ekonomik, Shqipëria ka arritur, deri në njëfarë mase, stabilitet makroekonomik.
Sidoqoftë, për t’u bërë ekonomi tregu funksionale siç e përcaktoi Këshilli Europian në Kopenhagën në vitin 1993,
Shqipëria duhet të forcojë edhe më tepër qeverisjen, të përmirësojë performancën e tregut të punës, të garantojë njohjen e të drejtave të pronësisë, si dhe të forcojë shtetin e së drejtës”.
Gjatë vitit 2010 u hap tuneli i Kalimashit e me këtë rast u vu në funksionim të plotë vepra më e madhe e infrastrukturës rrugore shqiptare. Por, viti 2010 pati shumë më pak investime publike të mëdha të infrastrukturës,
krahasuar me vitin 2009, si pasojë e përkeqësimit të borxhit që krijoi buxheti i shtetit. Ndërkohë, mbeten ende të papaguara shuma të mëdha financiare, për punime të kryera nga firmat e ndërtimit.
(në shifra prej 70-80 miliardë lekësh, sipas Shoqatës së Ndërtuesve), që do të duhet të paguhen pjesërisht edhe me burimet financiare të vitit 2011.
Ishte një vit shumë i veçantë për bankat shqiptare. Ky vit tregoi se bankat duhen vetëmenaxhuar më mirë dhe se duhet të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre me klientët.
Njerëzit e kthyen besimin dhe adresuan kursimet e tyre në banka (çka u rritën ndjeshëm gjatë vitit 2010), por bankat patën vështirësi serioze në trajtimin e kredive me probleme,
që me sa duket është bërë një problem shqetësues jo vetëm për kreditorët ekzistues, por ka kufizuar dhe shtrënguar shumë kriteret për dhënie kredie të re, si për bizneset, ashtu edhe konsumatorët.
Qe një vit që na la një përmbytje të dyfishtë të Shkodrës dhe zonave, por edhe të mjaft zonave të tjera të vendit. Përmbytja për herë të dytë në Shkodër, në mbi 14 mijë hektarë,
tregoi krahas ndikimeve në natyrë edhe “fjetje” të institucioneve përgjegjëse gjatë gjithë vitit 2010 dhe nga ana tjetër domosdoshmëri për t’i orientuar më mirë investimet publike në zonat rurale.
Fundi i vitit 2010 u sjell familjeve shqiptare një shtrenjtim të ndjeshëm të shportës kryesore të konsumit. Banka e Shqipërisë deklaron ulje të indeksit të konsumit si nga ana e biznesit,
ashtu edhe e konsumatorit. Kjo edhe për faktin se është shtrenjtuar niveli i jetesës si pasojë e rritjes së çmimeve të mallrave dhe shërbimeve kryesore të nevojës jetike.
(Edhe pse indeksi vjetor i çmimeve të konsumit është rritur 2,8%) për ushqimet rritja është 3,6%, për energjinë dhe karburantet 10% dhe për ujin 28%.(INSTAT).
Kjo ndihet shumë më tepër tek popullsia me nivel të ulët të ardhurash, si dhe nga ato familje që mbahen nga të ardhurat nga emigracioni, pasi edhe këto të fundit pësuan ulje të ndjeshme.
Edhe këtë vit nuk u filluan shumë projekte të investimeve të huaja në Shqipëri, veçanërisht në fushën energjetike, nga era te qymyri, nga parqet e mëdha energjetike, por që në rrugën e realizimit do të kenë shumë për të mbërritur.
Financuesit e këtyre projekteve mesa duket nuk po i nxisin kompanitë në investime të mëdha.
Kaluam 20 vjet në tranzicion, por me siguri nuk kemi mbyllur tranzicionin e zhvillimit të vendit veçanërisht kur flasim për zhvillimin e zonave rurale,
e në mënyrë të veçantë për ato malorë, ku cilësia e jetës është ende shumë nën nivelin mesatar të shoqërisë shqiptare.
Kemi mjaft rajone të tilla në zonat rurale, me nivel shumë të ulët të arsimit, kujdesit shëndetësor dhe të infrastrukturës.
Qe një fundviti që e la politikën shqiptare në mosmarrëveshjet e saj më të mëdha.
Përveç acarimit politik ajo krijoi edhe probleme në klimën e biznesit dhe të ekonomisë shqiptare. Por gjithashtu një vit që nuk e përfundoi një ligj për gjykatën administrative të biznesit.
Cilat rendisni problemet më të mprehta dhe cilat rendisni si zhvillimet kryesore pozitive?
Pa diskutim rritja ekonomike e qëndrueshme pozitive, por me një vëmendje shumë më të madhe për të ruajtur nivelin e borxhit publik,
i cili u rrit shumë në vitin 2009 dhe për pasojë kërkoi masa të forta shtrënguese buxhetore gjatë mesit të vitit 2010, si dhe një planifikim më të vëmendshëm në planin e 2011-s.
Në qoftë se analizojmë se si janë realizuar disa nga objektivat kryesore të programit ekonomik të qeverisë, me siguri që ka shumë për të bërë.
Mbetet ende shumë i largët objektivi i qeverisë për të hapur 160 mijë vende pune të reja gjatë këtij mandati qeverisës.
Tregu i punës, duke filluar nga fundi i vitit 2009 deri në fund të vitit 2010, ka njohur ndryshime krejt të vogla.
Kështu, raportohet rritja e punësimit me rreth 16 mijë vetë, nga të cilët rreth 10,500 (ose 65% e kësaj rritjeje) i faturohet bujqësisë private. (INSTAT Tabela 1).
Ka shumë për të bërë në vitin 2011 veçanërisht me turizmin. Është pa diskutim sektori që vlerësohet me potencial të lartë dhe ka njohur rritje të numrit të vizitorëve edhe gjatë vitit 2010.
Por më e rëndësishme është që Shqipëria, edhe në nivel ndërkombëtar, po renditet si një ndër top-destinacionet e rekomanduara.
Është shumë e rëndësishme që t’i shikojmë në sy problemet e këtij sektori dhe të mos mburremi vetëm në numrat e mbërritjeve prej 3.5 milionësh në vitin 2010,
që për ngatërresë statistikash konsiderohet si 10 herë më i madh se ai i vitit 2005. Në fakt kjo rritje është pak më shumë se dy herë.
Ky keqinterpretim shifrash vjen nga fakti që INSTAT në shifrat e publikuara deri në vitin 2008 ka dhënë shifrat vetëm për vizitorët e huaj dhe jo në total të vizitorëve në përgjithësi,
ku hyjnë edhe emigrantët shqiptarë që janë të përfshirë në statistikat e vitit 2009 dhe 2010.
Turizmi – ka problemin më të madh sezonalitetin e kufizuar, pasi 50% e turistëve janë në muajt korrik-gusht si dhe rajonalizimin (rreth 50% e turistëve të huaj janë kosovarë dhe maqedonas).
Problemi madhor për turizmin është situata me plehrat dhe mjedisin në të gjitha zonat turistike dhe në të gjithë territorin e vendit.
Me gjithë prioritetin që ka turizmi, promovimi i tij mbështetet me shumë pak fonde nga buxheti i shtetit. Buxheti mesatar vjetor për Agjencinë Kombëtare të Turizmit është rreth 300 mijë euro (shumë i ulët krahasuar me praktikat e vendeve të tjera,
ku për promovimin e turizmit shpenzohen 1-1,5% të të ardhurave nga turizmi. (Në Shqipëri vlerësohen rreth 1 miliard euro të ardhura vjetore nga turizmi që do të thotë duhet të financohej me rreth 10 milionë euro për promovimin e turizmit).
Bujqësia, sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, vazhdon të mbetet sektori me rritjen më të ulët krahasuar me rritjen mesatare të ekonomisë së vendit. Kjo dëshmohet edhe me treguesit e përkeqësuar të tregtisë së jashtme për produktet agro-ushqimore,
që shkojnë në drejtim të kundërt me ato të ekonomisë shqiptare. Me shifrat e 11- mujorit 2010, vazhdojnë të thellojnë gjithnjë e më shumë deficitin ushqimor,
duke sfiduar çdo rritje të parashikuar të këtij sektori. Deficiti ushqimor është thelluar 14,5% (deficiti i 11-mujorit ishte 70 miliardë lekë) dhe përbën aktualisht 25% të deficitit të përgjithshëm tregtar.
Çdo shqiptar konsumon mesatarisht 200 euro ushqime importi në vit.
Përmbytjet e mëdha dhe të përsëritura të zonave fushore e të përsëritura, që ndikohen edhe nga ndryshimet klimaterike, kërkojnë që qeveria ta trajtojë me më shumë përparësi orientimin e buxhetit
dhe të kapaciteteve administrative e menaxhuese, te kullimi dhe mbrojta e tokës.
Si ishte klima e biznesit vitin e kaluar. Ku mund të përmirësohet ajo dhe në ç’formë?
Qe një vit kur u ndie efekti pozitiv i institucioneve që lehtësojnë regjistrimin e biznesit dhe dhënien e licencave për to. Ndërkohë që pritet të reformohet edhe sistemi i inspektimit të biznesit dhe pritet të fillojë punën AIDA.
Edhe në vitin 2010 nuk fituam shumë pikë rritje në indekset e klimës së biznesit nga institucionet ndërkombëtare, veçanërisht në çështjet që lidhen me të drejtën e pronësisë, lejeve të ndërtimit si dhe me korrupsionin.
Mungesë konsensusi politik edhe për institucionet e biznesit, veçanërisht për miratimin e ligjit për gjykatën administrative të biznesit. Ndikim shumë negativ tek klima e biznesit ka edhe gjuha e shumë politikanëve të opozitës dhe pozitës qeverisëse.
Vazhdoi të jetë një vit ku vetë politika e mbylli me akuzat më të pazakonta për mafie pushteti të lidhur me biznesin, duke e përkeqësuar edhe më tej perceptimin për Shqipërinë.
U bënë shumë deklarata mediatike për “babëzi” në marrje koncesionesh energjetike nga të afërm të politikanëve e qeveritarëve e të tjera si këto e ulin kredibilitetin investues të vendit.
Si parashikohet të jetë ecuria e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2011?
Pa diskutim që viti 2010 i ka krijuar premisat për një rritje të qëndrueshme edhe për vitin 2011 dhe nuk ka asnjë arsye për të pasur ndryshime negative.
Rruga më e vështirë do të jetë ajo e konkurrueshmërisë së biznesit të vogël e të mesëm në radhë të parë në tregun e brendshëm.
Politikës i mbetet shumë për të bërë, në këtë vit elektoral që të mos pengojnë klimën e biznesit.
Objektivat për të përmirësuar institucionet dhe përafrimi europian do të jenë sfida kryesore e vitit 2011, që në mbyllje të vitit të përfitojmë statusin e vendit kandidat.
Çfarë duhet të përmirësohet këtë vit dhe a pritet të vazhdojmë të ndiejmë efektet e krizës financiare?
Vazhdimi i menaxhimit shumë të kujdesshëm të treguesve makroekonomikë dhe veçanërisht kontrollit mbi borxhin, duke siguruar të ardhurat e nevojshme në buxhet dhe shpenzime të kontrolluara.
Një vit që për sa i përket investimeve të infrastrukturës publike do të tregohet më racional, veçanërisht në përfundimin e të gjithë veprave madhore të nisura, që na la pa përfunduar viti 2010,
por edhe një riprogramim të mundshëm jo në nivelin e eliminimit të dëmeve të përmbytjeve, por në radhë të parë në investime përmirësuese të kësaj infrastrukture.
Të dalim tej objektivave ekonomikë të deritanishme dhe të përcaktojmë disa objektiva afatgjatë ekonomikë. Shqipëria ka nevojë për të gjetur profilin e saj ekonomik të zhvillimit përtej tranzicionit me një vizion të paktën për vitet 2020.
Në kuadër të debatit për modelin ekonomik, ku mendoni se duhet të përqendrohet zhvillimi i ekonomisë?
Kam ndjekur me mjaft interes zhvillimet e debatit për modelin ekonomik. Kam marrë pjesë edhe në diskutime e konferenca të organizuara për këtë qëllim apo në debatet e organizuara nga media.
Është krejt e qartë se Shqipëria e ka zgjedhur rrugën e zhvillimit ekonomik, atë të ekonomisë së hapur e liberale të tregut dhe kjo ka dhënë suksese në zhvillim.
Por, është krejtësisht e pamjaftueshme të diskutosh që ekonomia shqiptare do të zhvillohet vetëm me këtë model, pa ndërtuar politika zhvillimi sektoriale e rajonale.
Problemi më i vështirë në Shqipëri është që edhe debati për politikat ekonomike nga politika shqiptare bëhet “bardhe e zi-blu e kuq” dhe kjo e bën shumë më të vështirë debatin e strukturuar ekonomik.
Hapi i rëndësishëm për analiza të detajuara do të ishte edhe prodhimi i raporteve ekonomike vjetore të qeverisë dhe ministrive, si dhe e statistikave ekonomike të detajuara,
pasi në shumë raste janë zëvendësuar me intervista e komunikime për shtyp, që shpeshherë japin shumë të fragmentizuara opinione politike dhe jo analiza.
Rruga europiane ku kërkojmë të integrohemi, si dhe statusi në të cilin ka arritur ekonomia shqiptare (vendi me të ardhura të mesme)
shtron sfida të reja konkurruese jo vetëm me vende të tjera të varfra, të cilat kanë përparësinë e pagave të ulëta, po edhe me vendet e pasura, që kanë burime më të mëdha dhe kapacitete drejt inovimit.
Analizat mbi bazën e këtyre problematikave dhe shfrytëzimi më i mirë i resurseve ekonomike dhe njerëzore do të shërbejnë për të hartuar një vizion.
Klima e përmirësuar, pritet më shumë nga bankat e Qeveria
Artan HOXHA, president i “Tirana Business University”
Në këndvështrimin tuaj si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare në vitin 2010?
2010 ishte viti i daljes së ekonomisë shqiptare nga efektet goditëse të krizës botërore. Parametrat ekonomikë kryesorë u normalizuan njëri pas tjetrit.
Ndërsa, depozitat u normalizuan në vjeshtën 2009, eksportet u gjallëruan nga fundi i këtij viti dhe shfaqën rritje mjaft të fortë gjatë gjithë vitit 2010.
Importet e morën vetën në gjysmën e dytë të vitit 2010. Kredia bankare duket se u normalizua nga fundi i vitit 2010. Shitjet në sektorët kryesorë të ekonomisë u rritën nga njëri tremujor në tjetrin gjatë vitit 2010.
Investimet private u riaktivizuan në gjysmën e dytë të vitit 2010 përfshirë importin e makinerive e pajisjeve.
Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) ishte pozitiv dhe në ngjitje nga njëri tremujor në tjetrin krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009.
Inflacioni mbeti brenda kufijve të programuar 2-4%, deficiti i llogarisë korrente u zbut ndërsa stoku i borxhit publik nuk e kaloi nivelin e 60% të PBB-së falë edhe politikave të shtrënguara dhe konsoliduese të Buxhetit të Shtetit 2010.
Cilat kanë qenë problemet më të mprehta dhe cilat rendisni si zhvillimet kryesore pozitive? Si ishte klima e biznesit. Ku dhe si mund të përmirësohet ajo?
Dy ndër problemet më të mprehta radhis ngadalësinë e normalizimit të kredisë bankare dhe nivelin e dobët të të ardhurave fiskale. Si zhvillime më pozitive veçoj rimëkëmbjen ekonomike bazuar në energjitë e sektorit privat
dhe mbajtjen në nivel të moderuar të deficitit buxhetor.
Klima e biznesit u rëndua për shkak të sinjaleve pesimiste të emetuara nga tregjet globale e rajonale, përfshirë Greqinë që ndikuan edhe tregjet e brendshme.
Tensioni politik dhe kakofonia e analizave ekonomike të ndikuara nga polarizimi politik ndikoi gjithashtu në rendimin e kësaj klime.
Në një vlerësim paraprak, cila do të jetë ecuria e ekonomisë shqiptare në vitin 2011?
Duke supozuar se ekonomia botërore dhe ajo europiane veçanërisht do të vazhdojnë të rimëkëmben, besoj se ekonomia shqiptare 2011 do të jetë më mirë se ajo 2010.
Rritja e pritshme e kredisë bankare si dhe çlirimi i mëtejshëm psikologjik i konsumatorëve do të rrisin investimet dhe shitjet e bizneseve. Për rrjedhojë pritet që rritja e PBB-së 2011 të jetë më e lartë se ajo 2010.
Çfarë do të duhet të përmirësohet dhe a do të vazhdojnë të ndihen efektet e krizës financiare?
Bankat duhet të jenë më realiste në vlerësimin e riskut. Mendoj se për momentin bankat vlerësojnë një risk më të lartë se ç’është ai në të vërtetë.
Bankat duhet të orientohen më shumë drejt mbështetjes së sektorëve dinamikë si ato të eksporteve, agroindustrisë,
turizmit, shërbimeve me vlerë të shtuar dhe jo aq shumë te kredia për blerje banesash apo automjetesh siç ishin përqendruar para fillimit të kësaj krize.
Qeveria duhet të vazhdojë politikën e nisur të konsolidimit fiskal, si dhe të përmirësojë efikasitetin e administrimit të të hyrave dhe të dalave fiskale ndërsa shpresoj që politika të qetësohet e të bëhet më konstruktive.
Në kuadër të debatit për modelin ekonomik, ku mendoni se duhet të përqendrohet zhvillimi i ekonomisë?
Jam në pritje të një shtjellimi më të qartë të modelit të ri të bërë të ditur nga Banka e Shqipërisë. Ndërkaq, diskutimet e disa aktorëve të tjerë lidhur me një model të ri ekonomik nuk më thonë ende ndonjë gjë të re.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.