Flet prof. Adrian Civici, nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë
Pandemia parashikohet të jetë intensivisht e pranishme edhe në vitin 2021, të paktën në 6-mujorin e parë të tij, në këto kushte kthimi në normalitet i ekonomisë do të kërkojë dy vjet, thotë eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë.
Duke iu referuar dhe kurbave apo trajektoreve që shprehin parashikimet për ecurinë e ekonomive në periudhën COVID-19 dhe post-COVID-19, Civici parashikon që në Shqipëri është më e mundshme të ndodhë kurba U, që nënkupton një periudhë stabilizimi 1 ose 2-vjeçare, dhe pastaj rikthim në normalitet të plotë dhe rritje ekonomike intensive 5 – 7% në vit.
Do ishte shumë e dëshirueshme që kurba e ecurisë së ekonomisë sonë të ishte në formë V – rënie e madhe dhe ringritje e shpejtë, por në shumë studime e analiza ekonomike e financiare të specializuara, kjo lloj kurbe duket se është më e mundur për vendet e zhvilluara të botës. Profesori sugjeron se ekonomia shqiptare ka nevojë për një ristrukturim të thellë dhe riorientim të sektorëve të saj prodhues e shërbimeve.
Në tërësi, ne duhet të kalojmë nga një model ekonomik bazuar në importet, konsumin dhe remitancat drejt një modeli që bazohet në prodhimin e brendshëm dhe eksportet; nga një model ekonomik që reflekton ndjeshëm një rritje ekonomike sasiore e përjashtuese, drejt një modeli të një rritje ekonomike cilësore e gjithëpërfshirëse; nga një strukturë ekonomike e model ku mbizotërojnë sektorë e aktivitete me nivel të ulët produktiviteti, me vlerë të shtuar të ulët dhe punësues kryesisht të një force punëtore pa kërkesa të larta kualifikimi, sugjeroi profesori.
Cili është skenari juaj nëpërmjet të cilit do të rimëkëmbët ekonomia shqiptare vitin që vjen?
Duke vlerësuar shkallën shumë të rëndë të goditjes që ka marrë ekonomia shqiptare si nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 dhe pandemia e COVID-19 gjatë pothuajse gjithë 2020-s, mendoj se rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare në vitin 2021 do të jetë e vështirë të ndodhë “normalisht”.
Rimëkëmbja e ekonomisë është në funksion të 4 faktorëve: ecurisë së pandemisë dhe efekteve të saj negative, shoqëruar me një sërë pikëpyetjesh e të panjohurash në lidhje me kohën e mundshme të vaksinimit dhe shkallën e përhapjes dhe intensitetin e pandemisë; aftësisë rigjeneruese të sektorëve të prekur më rëndë nga pandemia, veçanërisht turizmi, industria fason, transporti dhe shërbimet; shkalla dhe trajektorja e sjelljes konsumatore dhe konsumit; politikat ekonomike e financiare që do të aplikojë qeveria shqiptare, duke shtuar këtu dhe vështirësitë që krijon viti zgjedhor.
Duke i analizuar me kujdes këta faktorë thelbësorë të përcaktimit të skenarit të rimëkëmbjes – pandemia parashikohet që të jetë intensivisht e pranishme edhe në vitin 2021, të paktën në 6-mujorin e parë të tij, kryerja e vaksinës dhe efektet pozitive të saj, në rastin më të mirë do të shtrihen gjatë gjithë vitit 2021;
rigjenerimi i sektorëve më të prekur të tillë si turizmi, industria fason, transporti dhe shërbimet pritet të kenë një trajektore relativisht pozitive, por gjithsesi të vështirë për t’u rikthyer në pozitat e viteve 2018-2019;
niveli i kërkesës së brendshme e të jashtme pritet të vazhdojë të jetë anemik edhe për vitin e ardhshëm, si konsumi i brendshëm ashtu dhe eksportet, të cilat varen shumë dhe nga situata ekonomike në partnerët tanë kryesorë tregtarë; ndërsa investimet publike dhe procesi i rindërtimit, mendoj se do të luajnë rol pozitiv në rimëkëmbjen e ekonomisë.
Mbetet për t’u vlerësuar dhe ecuria e IHD-ve, të cilat, vitet e fundit, kanë luajtur rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike dhe punësimin në Shqipëri.
Në një këndvështrim më të përgjithshëm, duke iu referuar dhe kurbave apo trajektoreve që shprehin parashikimet për ecurinë e ekonomive në periudhën COVID-19 dhe post-COVID-19, në Shqipëri është më e mundshme të ndodhë kurba U që nënkupton një rënie ekonomike të konsiderueshme që ka të bëjë me vitin 2020, një periudhë stabilizimi relative dhe rritje ekonomike disi anemike 1 ose 2-vjeçare, dhe pastaj rikthim në normalitet të plotë dhe rritje ekonomike intensive 5 – 7% në vit.
Do të ishte shumë e dëshirueshme që kurba e ecurisë së ekonomisë sonë të ishte në formë V – rënie e madhe dhe ringritje e shpejtë, por në shumë studime e analiza ekonomike e financiare të specializuara, kjo lloj kurbe duket se është më e mundur për vendet e zhvilluara të botës.
Katër faktorët
Rimëkëmbja e ekonomisë është në funksion të 4 faktorëve: ecurisë së pandemisë dhe efekteve të saj negative, shoqëruar me një sërë pikëpyetjesh e të panjohurash në lidhje me kohën e mundshme të vaksinimit dhe shkallën e përhapjes dhe intensitetin e pandemisë; aftësisë rigjeneruese të sektorëve të prekur më rëndë nga pandemia, veçanërisht turizmi, industria fason, transporti dhe shërbimet; shkalla dhe trajektorja e sjelljes konsumatore dhe konsumit; politikat ekonomike e financiare që do të aplikojë qeveria shqiptare, duke shtuar këtu dhe vështirësitë që krijon viti zgjedhor.
Në çfarë sektorësh duhet të riorientohet ekonomia, në mënyrë që humbjet të kompensohen shpejt?
“Riorientimi i ekonomisë në periudhën post-COVID, aktualisht është një nga shqetësimet dhe reflektimet në nivel ndërkombëtar, çka tregon për rëndësinë thelbësore që ka dhënia e një përgjigje shkencore e të mirëmenduar për këtë çështje. Në realitetin shqiptar, kjo korrespondon me dy problematika e debate të mëdha: debatin e 5 apo 6 viteve të fundit, për domosdoshmërinë e një modeli të ri ekonomik për vendin dhe debatin aktual se si duhet riorientuar e ristrukturuar ekonomia, nisur nga goditja dhe “mësimet” që na dha pandemia e COVID-19 në këtë aspekt.
Tani është momenti që të jepet një përgjigje, d.m.th. një zgjidhje për të dy pikëpyetjet e mësipërme. Aq më tepër që edhe sugjerimet, analizat e propozimet edhe nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, BERZH, OCDE, etj., nuk mungojnë, sidomos për një sërë reformash strukturore të rëndësishme që Shqipëria duhet të realizojë pa humbur kohë.
Në vija të përgjithshme mund të thuhet se ekonomia shqiptare ka nevojë për një ristrukturim të thellë dhe riorientim të sektorëve të saj prodhues e shërbimeve. Në tërësi, ne duhet të kalojmë nga një model ekonomik bazuar në importet, konsumin dhe remitancat drejt një modeli që bazohet në prodhimin e brendshëm dhe eksportet; nga një model ekonomik që reflekton ndjeshëm një rritje ekonomike sasiore e përjashtuese, drejt një modeli të një rritjeje ekonomike cilësore e gjithëpërfshirëse; nga një strukturë ekonomike e model ku mbizotërojnë sektorë e aktivitete me nivel të ulët produktiviteti, me vlerë të shtuar të ulët dhe punësues kryesisht të një force punëtore pa kërkesa të larta kualifikimi, drejt një modeli ku mbizotërojnë sektorët e aktivitetet me produktivitet të lartë, me vlerë të shtuar të lartë dhe me kërkesë për punonjës me kualifikim të lartë profesional.
Më konkretisht, mendoj se prioritet duhet të marrin disa sektorë shërbimesh që adoptojnë me shpejtësi teknologjitë moderne, Inteligjencën Artificiale dhe start-up të cilët ofrojnë shërbime në nivel rajonal, europian e ndërkombëtar, të rikthehen sytë seriozisht drejt zhvillimit të disa sektorëve të prodhimit industrial e përpunimit të lëndëve të para vendase, të modernizohet sektori i turizmit, duke i dhënë edhe më shumë përparësi turizmit cilësor, të zgjerohet e modernizohet industria agroushqimore, të zgjerohen e modernizohen sektorët që kanë potenciale e mund të përfshihen më shpejt në procese modernizimi e dixhitalizimi, ashtu siç po bëjnë dhe shumë vende të tjera në këtë drejtim, etj.
A mund të kthehet në mundësi kjo krizë për disa sektorë dhe çfarë politikash mbështetëse duhet të aplikohen?
Brenda çdo krize, a çfarëdo natyre qoftë ajo, ekzistojnë dhe oportunitetet apo mesazhet se si mund të përfitohet prej saj, në kuptimin e recetave të reja për ta kuruar sëmundjen dhe terapinë e mëtejshme drejt shëndetit të plotë e të qëndrueshëm. Në rastin e Shqipërisë, ne besoj se i kemi marrë disa mesazhe të tilla.
Mësimi apo mundësia e parë e reflektimit është dhënë nga sektori fason, i cili në një masë të madhe, rezulton që është treguar mjaft fleksibël e kreativ, duke ndryshuar prodhimet e tij karakteristike të deritashme dhe duke kaluar në prodhim me cikël të mbyllur apo duke ndryshuar produktet e tij, në favor të kërkesave të reja të tregut të lidhura ngushtë me materiale sanitare e shëndetësore. Këtu mund të shtojmë drejtime e sektorë të rinj të lidhur me “ekonominë e gjelbër”, me “ekonominë blu”, me “energjinë e rinovueshme”, “prodhimet biologjike organike”, “ekonominë cirkulare”, etj.
Të gjitha këto kanë nevojë për politika mbështetëse e orientuese konkrete dhe të adresuara konkretisht nga qeveria.
Kjo kërkon, në radhë të parë, koncepte e kuptim të qartë të shprehur në strategji konkrete rajonale e kombëtare, kërkon një përdorim eficient e cilësor të investimeve publike, IHD, kooperimit ndërkombëtar, vënien e buxhetit në funksion të realizimit të tyre, përdorimin mbështetës e stimulues të sistemit fiskal, riorganizimin dhe zgjerimin e të gjithë sistemit të formimit profesional e universitar, dhe mbi të gjitha, krijimin e një fryme dhe mobilizimi të përgjithshëm kombëtar, jashtë rivalitetit të verbër politik e subjektivizmit që vjen nga mosdija e klientelizmi politik e krahinor, në funksion të modernizimit të ekonomisë me fokus “revolucionin 4.0” që mesa duket është rruga e vetme eficiente e zhvillimit ekonomiko-social në të ardhmen e afërt.
Duhet bërë gjithçka në emër të masivizimit të përdorimit të teknologjive të reja moderne në shkallë të gjerë në ekonominë tonë, Inteligjencës Artificiale, startup, Big Data, robotizimit, dixhitalizimit masiv, etj.
Ku duhet të fokusohen politikat e qeverisë me qëllim që t’i bëjnë më të lehta efektet e krizës?
Politikat e qeverisë për lehtësimin e efekteve të krizës mendoj se duhet të përqendrohen në tre drejtime kryesore:
-Së pari, në zbutjen e efekteve sociale dhe mbështetjen e punësimit dhe konsumit për sektorët më të prekur të ekonomisë dhe shtresat më vulnerabël të shoqërisë. Kjo ka të bëjë me zgjerimin e përmasave dhe efekteve të dy paketave ndihmëse të ndërmarra deri tani nga qeveria shqiptare, ndoshta duke ndërtuar dhe duke aplikuar edhe një paketë të tretë apo të katërt në këto drejtime;
-Së dyti, në ndihma konkrete, kryesisht injektim likuiditeti në një shumicë biznesesh e aktivitetesh të prekura më rëndë nga kriza, si dhe atyre që po vazhdojnë të preken edhe aktualisht, apo parashikohet të preken në muajt në vazhdim. Kjo kërkon një studim real e të imët të situatës konkrete të bizneseve dhe vështirësive të tyre, duke u shoqëruar me një bashkëbisedim e dialog të zgjeruar me këto biznese, për të adresuar sa më drejt nevojat e tyre. Shumë masa e politika të ndërmarra deri tani në këtë drejtim, nuk kanë rezultuar eficiente dhe të mirë adresuara;
-Së treti, të zgjerohet paketa dhe masat me natyrë “lehtësuese” për bizneset në vështirësi, të cilat kanë të bëjnë me sistemin fiskal e tatimor, detyrimet e pagesat e natyrave të ndryshme, lufta ndaj evazionit fiskal dhe informalitetit, etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.