Aktivitetit i biznesit në Eurozonë vazhdoi rimëkëmbjen muajin e kaluar, ndërsa rritja u përshpejtua në industrinë dominuese të shërbimeve të bllokut, duke dhënë prova se BE do të shmangë recesionin.
Indeksi i Përbërë i Menaxherëve të Blerjeve të S&P Global (Purchasing Managers’ Index, PMI), i parë si një barometër i mirë i shëndetit të përgjithshëm ekonomik, u ngjit në nivelin më të lartë të tetë muajve (52.0) muajin e kaluar, nga 50.3 në janar, pak më i ulët se leximi paraprak 52.3.
Shkurti shënoi muajin e dytë radhazi mbi kufirin 50, që ndan rritjen nga tkurrja.
“Një zgjerim i fuqishëm i aktivitetit të biznesit në shkurt, ndihmon në zbutjen e shqetësimeve për një recesion të zonës së euros, tani për tani,” tha Chris Williamson, drejtues ekonomik në S&P Global.
“Ka shenja të qarta se besimi i biznesit është rritur, nga nivelet më të ulëta të parë në fund të vitit të kaluar, nxitur nga më pak shqetësime në tregun e energjisë, si dhe shenja se inflacioni ka arritur kulmin dhe rreziqet e recesionit janë lehtësuar.”
Indeksi i prodhimit të ardhshëm (future output index), një matës optimizmi për vitin e ardhshëm, u rrit në 61.2, në shkurt nga 60.4, leximi më i lartë i tij në një vit.
Vlera e PMI, që mbulon industrinë e shërbimeve, u ngjit në 52.7 nga 50.8, pak më poshtë leximit të parashikuar prej 53.0.
Kërkesa u rrit dhe firmat ishin në gjendje të krijonin një sasi të madhe pune për herë të parë, që nga tetori. Indeksi i ri i biznesit u rrit në 52.2, nga 50.1.
Së bashku me kërkesën, bizneset e forta në të gjithë rajonin rritën çmimet përsëri, megjithëse me ritmin më të ngadaltë në më shumë se një vit.
“Ekziston një shqetësim, megjithatë, se shenjat e rritjes së vazhdueshme të inflacionit të çmimeve të shitjes, të kombinuara me elasticitetin befasues të ekonomisë, do ta inkurajojnë Bankën Qendrore Europiane për të bërë një shtrëngim më agresiv të politikës monetare, i cili paraqet një rrezik për rritjen e kërkesës në muajt në vijim. ” tha Williamson.
Një tjetër rritje prej 50 pikë bazë në normën e depozitave të Bankës Qendrore Europiane këtë muaj, është e sigurt, sipas ekonomistëve të anketuar nga Reuters, të cilët prisnin një rritje shtesë prej 25 pikë bazë tremujorin e ardhshëm, për të dhënë një normë përfundimtare prej 3.25%./ Reuters