Angazhimi i Theresa May për ata që “me zor e shtyjnë muajin”, që në Britani janë pagëzuar me (JAM- “just about managing”), kishte si synim vetëm individët.
Por, përpara publikimit të plotë të buxhetit të parë të qeverisë, që pritet të ndodhë më 8 mars, disa nga kompanitë kryesore në këtë kategori kanë protestuar kundër saj. Grupe të ndryshme punëdhënësish i janë drejtuar qeverisë duke u kundërshtuar ndryshimet “mizore” të normave të biznesit, që priten të hyjnë në fuqi më 1 prill.
Normat e biznesit (taksa për pronën tregtare- dyqane, zyra, pube, depo, fabrika, shtëpi që jepen me qira për pushime, ose guest houses) sigurojnë 26 miliardë paund çdo vit, ose rreth 5% të totalit të të ardhurave nga taksat. Ato llogariten si përqindje e qirasë me të cilën mund të jepet një pasuri tregtare, e njohur si vlera e taksueshme)
Disa firma në qendër të Londrës janë duke pritur që shpenzimet e tyre të dyfishohen këtë vit (ndonëse rritja është e kufizuar në 42% vitin e parë).
Në zonat më pak të pasura, ato do të bien. Rivlerësimi duhet të ndodhë çdo pesë vjet, por ai ka që prej 2010 që nuk po bëhet.
Këto grupe punëdhënësish shfryjnë duke thënë se Anglia ka taksën më të lartë mbi pronën tregtare krahasuar me të gjitha vendet e pasura dhe se normat e biznesit janë rritur nga një e treta e vlerës së qirasë në vitin 1990 në një të dytën në ditët e sotme. Të tjerë ankohen duke thënë se taksimi vendoset pa marrë fare si referencë fitimet që mund të ketë një firmë dhe mbi të gjitha shënjestrimi i tatimorëve janë dyqanet tradicionale.
Shitësit online kanë mundësi që t’i mbajnë mallrat e tyre në magazina që ndodhen në vende ku taksimi është më i ulët. Ndërsa kompanitë e leasing-ut po taksohen mbi asete që ata nuk i kanë. Këto firma janë edhe më të zemëruara me faktin që këto taksa do të rriten edhe më shumë gjatë viteve të ardhshme.
Megjithatë në total, numri i bizneseve që do të ndihmohen nga një ndryshim i tillë është më i lartë në krahasim me ato që mund t’u shkaktohen dëme. Zyrtarët shprehen se faturat për tre të katërtat e taksapaguesve do të jenë më të ulëta ose nuk do të kenë fare ndryshim.
Sipas Colliers International, 77% e firmave të shitjes së pronave me pakicë do të vënë re ulje, 18% rritje dhe 5% nuk do të kenë asnjë ndryshim.
Këto propozime për ndryshimin në sistem janë më shumë në kuadër të marrjes së masave në matjen e shpenzimeve të energjisë sesa të vlerës së pronës.
John Webber i Colliers thotë se sistemi i tanishëm ka nevojë për reforma, për rishikime dhe për rivlerësime vjetore. Ai ka funksionuar shumë mirë për 400 vjet, deri sa politikanët vunë dorë mbi të, më shumë duke e ngatërruar sesa duke e përmirësuar.