Shpenzimet buxhetore u rritën me 5.4% me bazë vjetore për 10 mujorin, duke arritur në 338 miliardë lekë, sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave.
Dy janë zërat kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e shpenzimeve. Së pari, shpenzimet për fonde speciale (subvencionimi i skemës së dështuar të pensioneve), të cilat u rritën me 8 miliardë lekë, apo rreth 8%. Ky zë zë gati një të tretën e shpenzimeve totale buxhetore, duke përbërë një barrë të rëndë për buxhetin dhe duke bërë emergjente fillimin e zbatimit të reformës së pensioneve.
Zëri i dytë që ka rritur shpenzimet në raport me dhjetëmujorin e një viti më parë është ai i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, megjithëse ky proces ka ndalur që nga muaji korrik, duke mbetur në shifrën e rreth 26 miliardë lekëve, nga 35 miliardë lekë që është plani për gjithë vitin.
Një faktor që ka “lehtësuar” shpenzimet buxhetore, por kjo ekonominë është tkurrja e shpenzimeve kapitale. Për 10 mujorin ato ishin rreth 37 miliardë lekë, nga 67 miliardë lekë që ishte plani fillestar i gjithë vitit, që është rishikuar tashmë në 55 miliardë lekë dhe rreth 17% më pak se 10 mujori i një viti më parë.
Në rënie kanë qenë dhe shpenzimet për interesat e borxhit, me 5.6%, si rrjedhojë e uljes së interesave të letrave me vlerë afatshkurtër gjatë këtij viti.
Zërat e tjerë nuk kanë shënuar ndryshime.
Rritja e të ardhurave me ritme më të larta se e shpenzimeve ka sjellë dhe një ulje të deficitit buxhetor, që ishte 38.3 miliardë lekë për janar-tetor 2014, nga 54.5 miliardë lekë të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.