Rritet frika për një Brexit kaotik

09/12/2020 10:55 AM 0 komente

Kryeministri britanik Boris Johnson u nis në Bruksel të Mërkurën për bisedime me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një përpjekje për të shmangur një Brexit kaotik pa një marrëveshje tregtare, për të cilin ka edhe vetëm tre javë kohë, shkruan Reuters.

Takimi në mbrëmje do të tentojë të shmangë këtë dalje kaotike.

Një burim i qeverisë britanike tha se një marrëveshje mund të mos jetë e mundur. Të njëjtën gjë tha dhe negociatori i Be për për Brexit Michel Barnier. Irlanda sinjalizoi gjithashtu se ishte pesimiste në lidhje me perspektivat.

“BE duhet të lëvizë”, tha Michael Gove, një ministër i lartë në qeverinë e Johnson që merret me çështjet e Brexit. Ai shtoi se shpesh një takim kokë më kokë midis udhëheqësve mund të rezultojë në një përparim të negociatave.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, udhëheqësja më e fuqishme e Evropës, tha se kishte ende një shans për një marrëveshje por që duhet të ruhej integriteti i tregut të BE-së.

Dështimi për të arritur një marrëveshje do të trazojë kufijtë, do të tronditë tregjet financiare dhe do të sjellë kaos përmes zinxhirëve të furnizimit në të gjithë Evropën dhe më gjerë, ndërsa bota përballet me koston e madhe ekonomike të pandemisë COVID-19.

Të dy ekipet janë ende larg marrëveshjes, duke pasur “diferenca të konsiderueshme” në tre çështjet kryesore, ato të peshkimit, rregullat për konkurrencën e ndershme dhe qeverisjen e çdo marrëveshje, sipas një deklarate të përbashkët të hënën në mbrëmje. Mosmarrëveshjet për këto tema i kanë ndikuar negociatat që kur ato filluan, tetë muaj më parë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of