Gjatë këtij viti, më shumë se 2600 biznese të reja janë regjistruar në gjithë territorin e Kosovës, apo rreth 18 për qind më shumë krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit paraprak, raporton REL.
Kjo rritje e regjistrimit të bizneseve, sipas ekspertëve të ekonomisë, ndodh për shkak të procedurave të lehta të regjistrimit dhe nuk mund të ketë ndonjë ndikim në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në vend.
Por, ajo çka mbetet shqetësuese për ekonomistët, është fakti se aktiviteti më i preferuar mbetet dukshëm sektori i tregtisë para sektorit të prodhimit.
Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë, thuhet se nga numri i përgjithshëm i bizneseve të reja, 723 janë në sektorin e tregtisë, 300 në sektorin e prodhimit, kurse ndërtimi me 260 biznese të reja.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më shumë se 2500 biznese të regjistruara kanë të punësuar nga 1 deri në 4 punëtorë, deri në nëntë punëtorë kanë 60 ndërmarrje, kurse deri në 20 punëtorë kanë 25 biznese.
Sa i përket shtrirjes të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, vazhdon të mbizotërojë komuna e Prishtinës, Ferizajt dhe Prizrenit.
/RADIO EUROPA E LIRE
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.