Janë rreth 30 mijë anëtarë që kanë investuar në fondet e pensioneve private në vend deri në fund të muajit mars, sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Në krahasim me fundin e vitit 2019, numri i tyre është rritur me 7.18%.
Pjesa më e madhe e tyre, rreth 52% janë femra, ndonëse në tre muajt e parë të vitit, rritjen më të lartë e kanë shënuar meshkujt (+10.6% në raport me fundin e 2019-s, përkundrejt rritjes 4.2% të femrave).
Sipas AMF-së, “analiza e të dhënave për tregun e pensioneve private vullnetare më 31.03.2020 tregon një total asetesh neto prej 3,087.15 milionë lekë (23.6 milionë euro) dhe me një rritje prej 6.3% krahasuar me 31.12.2019”.
Pavarësisht rritjes, tregu i pensioneve private vullnetare mbetet në nivele të ulëta në raport me tregjet e tjera financiare, për shkak të kulturës së ulët për të investuar në skema private.
Gjatë tremujorit të parë të vitit 2020, në tregun e pensioneve private vullnetare ushtruan aktivitetin e tyre katër fonde pensioni.
Fondi më i madh, sipas aseteve është Sigal, me 45.5% të tregut, i ndjekur nga Credins Pension (29%), Raiffeisen pensions (25.3) dhe Albsig, që ka hyrë së fundmi në treg kishte një peshë me më pak se 1%.
Sipas numrit të anëtarëve, më i madhi është Credins pension (57.5%), Sigal (27%), Raiffeisen (10.2) dhe Albsig (5.4%).
Kompanitë i kanë investuar këto fonde 100% në bono thesari dhe obligacione të qeverisë, që janë letra me vlerë me risk zero.
Operatorët raportojnë norma të larta fitimi në tremujorin e parë, që variojnë nga 27 në 55%, me përjashtim të kompanisë më të re në treg, që është ende me humbje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Jam nje lexues i rregullt i Monitor dhe nuk besoja qe nuk do me kthenit pergjigje.Nuk eshte e veshtire te lexosh me shume per fondet e pensioneve ,por pyeta per te ditur specifikisht per tregun shqiptar ngaqe ju keni shume informacion.Gjithe te mirat
Pershendetje Monitor,si shpjegohet qe operatoret raportojne kaq norma te larta fitimi nga 27-55% ?