Sot në shumë qytete të Kosovës, një bukë është bërë 50 cent. Gjithashtu, rritje kanë pësuar edhe çmimi i produkteve të tjera ushqimore bazë si perimet dhe produktet e qumështit. Sa i përket muajit shtator, sipas ASK ngritje e çmimeve është vërejtur tek produktet e mishit, të qumështit, perimet e lëndët djegëse, ndërsa ka pasur rënie të çmimit të perimeve.
Ditëve të fundit është vërejtur një rritje e theksuar e çmimeve për produktet bazë të konsumit. Ku sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), norma vjetore e inflacionit në muajin shtator ka arritur në 4.9 për qind.
Agjencia thotë se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere.
“Bukë dhe drithëra me 1.5 për qind, mish me 1.9 për qind, qumësht, djathë e vezë me 7.7 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.2 për qind, perime me 19.7 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1 për qind, pijet alkoolike me 3.8 për qind, duhan me 2.7 për qind, gaz me 10.6 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 4.6 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 26.7 për qind, shërbime për transport me 2.2 për qind, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20.3 për qind, pushime të organizuara turistike me 8.9 për qind, shërbime hoteliere me 2.3 dhe shërbime financiare me 6 për qind”.
Sipas ASK-së, një litër vaj ushqimor në muajin shtator 2020 kushtonte 1.06 euro, ndërsa një vit më vonë ky produkt shitet për 1.55 euro. Gjatë shtatorit të vitit të kaluar, një kilogram oriz ka kushtuar 1.38 euro ku sivjet blihet për 1.44 euro, kurse 30 copë vezë gjatë muajit shtator janë shitur 2.61 euro nga 1.95 euro.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.1% në muajin shtator 2021, krahasuar me muajin gusht 2021. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: mish (0.8%); qumësht, djathë dhe vezë (0.6%); perime (2.8%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.5%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (1.3%); shërbime hoteliere (0.8%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.3 për qind në IHÇK. Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-4.7%); shërbime për transport (-3.0%)-(rënie e çmimeve të biletave të transportit ajror), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.2 për qind) në IHÇK.”, thuhet në raportin e ASK-së.
Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shtator 2021 me muajin shtator 2020 ishte 4.9%.
Rritje e çmimeve është paralajmëruar deri në janar të vitit 2022, ndërsa deri më tani kjo rritje e çmimeve po shihet si e papërballueshme për qytetarët.
Qytetarët këto rritje i kanë shpjeguar si katastrofale për të gjithë, duke thënë se rritjet nuk mund të mbulohen me paga të tilla në nivel vendi edhe në kohë pandemie.
E disa të tjerë thonë që kjo është rritje e çmimeve botërore, mirëpo në Kosovë nuk do të duhej të ndodhte për shkak se ka me vite që pagat dhe pensionet nuk janë ngritur.
Përveç këtyre rritjeve në produkte ushqimore, është paralajmëruar edhe rritja e çmimit të faturave të energjisë elektrike. E për këtë gjë qytetarët që ngrohen me rrymë thonë që do ta kenë shumë të vështirë pasi që, do t’iu duhet që ta ndërrojnë komplet sistemin e ngrohjes, nga ajo me rrymë ta bëjnë me lëndë tjera djegëse, sepse nuk mund t’i përballojnë kostot.
Selatin Kaçanikun nga organizata “Konsumatori” rritja e shpejtë e çmimeve në Kosovë më shumë i ngjason mashtrimit ekonomik sesa që është një përgjigje ekonomike.
Kaçaniku është shprehur se rritja e tyre nuk vjen nga tregu botëror, por nga teket e bizneseve.
“Ne iu nënshtrohemi një rritje stihike të çmimeve që më shumë i ngjason mashtrimit ekonomik se sa që është një përgjigje ekonomike që janë të ndikuara nga pandemia COVID-19 apo ndryshimet stinore të çmimeve”.
Sipas tij, ka pasur rritje të çmimeve deri në 40 për qind dhe se nuk po monitorohet aspekti nominal i çmimeve.
Kaçaniku thotë se deri sa jemi në këto rrethana, qeveria duhet ta dëgjoj popullin, duke i dhënë mbështetje financiare.
“Deri sa ne jemi në këtë rrethanë, shteti detyrimisht apo në mënyrë obligative duhet ta dëgjoj popullin. Te jepen para nga buxheti që ne e financojmë, për disa biznese që janë ligsht fiskalisht performuese, do të thotë se ato nuk paguajnë taksa dhe abuzojnë më Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, duke e fshehur, ndërsa shteti i mbështet. Me këtë ne duhet të dyshojmë se është fjala për biznese që financojnë partitë politike”.
Nga të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ka pasur rritje të çmimeve për produktet bazë të konsumit. ASK thotë se inflacioni i matur në muajin gusht 2021 ishte më e lartë në një mesatare prej 4.7 për qind, ndërsa inflacioni për vitin 2020 ishte 0.2 për qind.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.