Flet Rigela Gegprifti, Drejtore e Përgjithshme e Statkraft për Shqipërinë
Shqipëria mund të amortizojë goditjet ndaj krizave që shfaqen në horizont sa i takon energjisë, duke rritur kapacitetet prodhuese nga burimet e rinovueshme.
Rigela Gegprifti, Drejtoreshë e Përgjithshme e Statkraft për Shqipërinë, nënvizon se kjo do të sillte diversifikim, duke krijuar një lloj sigurie për vendin edhe në kohë të vështira.
Kriza globale e energjisë, sipas znj. Gegprifti, ka sjellë para sfida si për sa i takon menaxhimit, ashtu edhe planifikimit, duke rritur njëkohësisht rreziqet financiare në tregje.
Si ishte aktiviteti i Devoll Hydropower në vitin 2021, lidhur me prodhimin, xhiron dhe ecurinë e përgjithshme?
Parë nga aspekti i prodhimit të energjisë, 2021-shi ishte viti i parë që hidrocentralet tona të Banjës dhe Moglicës kanë qenë në prodhim të plotë gjatë gjithë vitit. Prodhimi vjetor i realizuar i është afruar planit tonë të prodhimit vjetor, megjithëse situata hidrike ka qenë disi e pafavorshme, sidomos në gjysmën e dytë të vitit.
Kjo ka sjellë rezerva të kufizuara hidrike në fund të vitit 2021. Në total, gjatë vitit 2021 kemi prodhuar rreth 683 GWh energji elektrike të rinovueshme, krahasuar me rreth 700 GWh që është parashikimi mesatar i prodhimit vjetor nga hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës. Për krahasim, në vitin 2020, kemi pasur prodhim vjetor rreth 294 GWh.
Lidhur me xhiron vjetore, vlen për t’u theksuar se baza themelore për të ardhurat e shoqërisë përbëhet nga çmimet e energjisë të përfituara dhe ndërthurja e aktiviteteve të tregtimit të energjisë (optimizimi) dhe prodhimit.
Të ardhurat nga prodhimi optimizohen nëpërmjet tregtisë financiare të energjisë dhe DHP angazhohet në aktivitete tregtimi të lidhura me energjinë. Në vitin 2021, realizimi i të ardhurave ka qenë brenda pritshmërisë sonë në nivel vjetor. Shfrytëzimi i plotë i dy hidrocentraleve tona gjatë vitit ka sjellë rritjen e të ardhurave bruto. Rritja e të ardhurave është shoqëruar edhe me rritje të shpenzimeve operative.
Si rezulton viti 2022 dhe cilat janë pritshmëritë tuaja deri në fund të tij?
Sa i përket prodhimit, viti 2022 ka nisur me situatë të pafavorshme hidrike, si dhe me rezerva të kufizuara hidrike nga viti 2021. Mungesa e gjatë e reshjeve në periudhën e dimrit/pranverës ka sjellë, si pasojë, reduktimin e prodhimit krahasuar me planin mesatar vjetor dhe situata e pafavorshme hidrike ka vijuar edhe gjatë verës 2022.
Sipas të dhënave të publikuara së fundmi, prodhimi i hidroenergjisë në Bashkimin Europian ka shënuar rënie prej rreth 26%, për shkak të thatësirës së tejzgjatur dhe efekteve të ndryshimit të klimës.
Pasoja të ngjashme janë hasur edhe nga ne në Shqipëri, me nivele të prurjeve të ujit nga lumi Devoll në rezervuarët tanë ndjeshëm nën mesataren historike, apo krahasuar me një vit më parë. Prodhimi ynë varet tërësisht nga kushtet hidrike dhe aktualisht jemi duke menaxhuar burimet e disponueshme, duke konsideruar prurjet e kufizuara.
Lidhur me aspektin e të ardhurave, efekti i prodhimit më të ulët, është reduktuar disi nga çmimet më të larta nga tregtimi i energjisë së prodhuar. Pritshmëria jonë, deri në fund të vitit 2022, është se mund të kemi prodhim vjetor më të ulët se vitin e shkuar apo planin mesatar vjetor, ndërsa pritshmëria e të ardhurave është brenda parashikimeve.
Kriza e energjisë, me përmasa globale, ka vënë nën presion tregjet. Cilat janë disa nga aspektet pozitive (çmimet e larta) dhe negative që ka dhënë kriza për prodhuesit privatë të mëdhenj siç jeni edhe ju? Si ka ndikuar kriza te negociatat dhe shitjet?
Çrregullimet në tregjet e energjisë, për shkak të mungesave në furnizimin me volumet e kërkuara të energjisë, kanë nisur mbi një vit para dhe efektet apo pasojat e krizës vazhdojnë të ndihen dita-ditës.
Në vlerësimin tonë, ndikimi i krizës në tregun e lirë të energjisë ku ne marrim pjesë (tregun pa kontrata me çmim fiks afatgjatë) ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e nivelit të rrezikut. Luhatja e shpeshtë dhe në nivele të konsiderueshme, e çmimit të energjisë në tregun e lirë, ka shtuar nivelin e rreziqeve financiare përkundrejt ekspozimit në këtë treg.
Një tjetër ndikim negativ i krizës është shtimi e pasigurisë në angazhimet apo transaksionet disavjeçare, duke luhatur një nga shtyllat kryesore të tregut të energjisë, që janë kontratat afatmesme apo afatgjata të shitjes së energjisë.
Vërejmë se pasiguria dhe paparashikueshmëria e ecurisë në afat të mesëm apo të gjatë në këtë treg, ka reduktuar më tej afatet e kontratave dhe uljen e volumeve të shitjeve së energjisë, si te shitësit, ashtu edhe te blerësit.
Me gjithë problematikat që ka shkaktuar kriza, modeli i tregut të lirë të energjisë elektrike është i duhuri dhe tërheqës për prodhuesit e pavarur dhe aktorët e tjerë të domosdoshëm, dhe ky treg ofron oportunitete.
Si e vlerësoni në përgjithësi tregun e energjisë në vend me zhvillimet e liberalizimit të pjesshëm, kur në janar dolën në tregun e lirë 7500 biznese të tjera?
Ne i kemi ndjekur me shumë interes hapat e liberalizimit të tregut të energjisë në vend e rajon.
Vlerësojmë se zhvillimet drejt një liberalizimi të thellë, nisur nga rritja e numrit të klientëve/konsumatorëve që sigurojnë energjinë e nevojshme në tregun e lirë janë pozitive dhe demonstrojnë vendosmërinë për vazhdimin e ndërtimit të tregut të ditës në avancë dhe atij brenda ditës (day ahead/intraday “Bursa Shqiptare”).
Shohim pozitivisht hapat konkretë të ndërmarrë së fundmi për operacionalizimin e Bursës Shqiptare të Energjisë dhe mirëpresim funksionimin e saj. Mendojmë se kjo do të ndihmojë në zhvillimin e një sektori energjie të shëndetshëm.
Si e parashikoni ecurinë e krizës globale të energjisë dhe çfarë mund të bëjmë për të minimizuar ndikimet nga goditje të kësaj natyre, duke qenë se flasim prej vitesh për diversifikim?
Tregu i lirë i energjisë elektrike, si pjesë përbërëse e tregjeve rajonale dhe kontinentale, është i ekspozuar ndaj ndryshimeve që janë duke ndodhur në të gjithë sektorët e ekonomive dhe çmimi i energjisë elektrike në këtë treg është siç e ofron tregu rajonal, e më gjerë.
Ajo që shohim tek aktorët e industrisë energjetike është një thirrje e vazhdueshme rreth domosdoshmërisë për rritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë me shpejtësi, shoqëruar me nevojën e përmirësimit të kuadrit rregullator për ta përshpejtuar procesin e rritjes së investimeve në kapacitetet e reja gjeneruese.
Orientimi i politikave si në nivel europian, ashtu edhe rajonal, është të rriten ndjeshëm investimet dhe kapacitetet e prodhimit të energjive të rinovueshme për të sjellë sigurinë energjetike dhe diversifikim të qëndrueshëm.
Sfidat që ka sjellë kjo situatë e tregut përfshijnë edhe oportunitete që mund të jenë impuls për të rritur investimet në kapacitetet gjeneruese të energjisë së rinovueshme dhe mund të përkthehen në një shans pozitiv për të ardhmen.
Si ka ndikuar gjendja e emergjencës në furnizimin me energji në treg në këndvështrimin tuaj, nëse ka pasur ndonjë ndikim në mënyrën sesi funksionojnë marrëdhëniet mes palëve?
Gjendja e emergjencës në sektorin e energjisë shtrihet përtej kufijve të Shqipërisë dhe problematikat në vend janë të ngjashme me problematikat rajonale. Shpallja e emergjencës në Shqipëri solli edhe ndryshimin e përkohshëm të praktikave standarde të aktorëve kryesorë publikë të këtij tregu në vend.
Rrethanat në të cilat erdhën këto ndryshime janë të pazakonta dhe ne po përpiqemi të përshtatemi me këto dinamika në vazhdimësi. Përkundër ndryshimeve të përkohshme që janë diktuar nga gjendja e emergjencës, shohim që përpjekjet drejt liberalizimit të tregut vazhdojnë dhe ka progres pozitiv.
Rreziqet në tregun e energjisë
Çrregullimet në tregjet e energjisë, për shkak të mungesave në furnizimin me volumet e kërkuara të energjisë, kanë nisur mbi një vit para dhe efektet apo pasojat e krizës vazhdojnë të ndihen dita-ditës. Në vlerësimin tonë, ndikimi i krizës në tregun e lirë të energjisë ku ne marrim pjesë (tregun pa kontrata me çmim fiks afatgjatë) ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e nivelit të rrezikut. Luhatja e shpeshtë dhe në nivele të konsiderueshme, e çmimit të energjisë në tregun e lirë, ka shtuar nivelin e rreziqeve financiare përkundrejt ekspozimit në këtë treg.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.