Intervistë me Klaidi Çitozi, kryetar i Shoqatës së Siguruesve Shqiptarë dhe Drejtor i Përgjithshëm i Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group (SIVIG)
Rritja e ndjeshme e kostove në disa drejtime do të ushtrojë trysni në rritje për shtrenjtimin e primeve të sigurimit.
Klaidi Çitozi, kryetar i Shoqatës së Siguruesve Shqiptarë dhe Drejtor i Përgjithshëm i Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group (SIVIG), thotë për “Monitor” se tërmeti dhe lufta në Ukrainë kanë rritur primet e risigurimit, ndërkohë që inflacioni në rritje do të ndikojë ndjeshëm shpenzimet për dëme dhe do të ulë kthimet reale të kompanive nga investimet financiare.
Sipas tij, ulja e kërkesës për sigurime, veçanërisht për policat vullnetare, si dhe rritja e kostove të trajtimit të dëmeve do të çojë në rritje të detyrueshme të primeve të sigurimit.
Prej muajsh, ekonomia po përballet me një valë të fortë inflacioniste, që po përshkallëzohet më tej pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Çfarë ndikimesh mund të ketë një situatë e tillë në tregun e sigurimeve?
Shqipëria, në vitin 2019, përjetoi një tërmet i cili i ka kushtuar tregut të sigurimeve rreth 40 milionë euro. Tregu i sigurimeve e përballoi me sukses këtë situatë, falë kontratave të risigurimeve dhe kapaciteteve teknike të kompanive të sigurimit.
Por, ende pa e harruar mirë tërmetin, ndodhi dhe pandemia, e cila gjithashtu ka një lidhje të drejtpërdrejtë me industrinë në të cilën operojmë. Kontratat e risigurimeve u ndikuan ndjeshëm këtë vit, jo vetëm prej tërmetit, por edhe për efekt të pandemisë, dhe kjo e fundit jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën. Sigurisht që lufta në Ukrainë nuk e ndihmon situatën aktuale për zhvillim dhe forcim të tregut të sigurimeve.
Inflacioni ka ndikim në çdo aspekt të ekonomisë, dhe këtij fenomeni nuk mund t’i shpëtojë as tregu i sigurimeve. Ndikimi ndihet në sigurimet e jetës të lidhura kryesisht me fondet e investimeve, duke qenë se ul përfitimin real nga kontratat e kursimeve dhe pensioneve. Por, ndikim jo të vogël ka edhe në sigurimet e jo-jetës, pasi kemi rritje të konsiderueshme të shpenzimeve për trajtimin e dëmeve.
Është rritur kostoja e riparimit të automjeteve dhe pjesëve të këmbimit me mesatarisht 25%. Gjithashtu, edhe çmimi i shërbimeve mjekësore është rritur herë pas here në fasha të ndryshme shërbimesh dhe së fundmi, jemi njoftuar se do të aplikohet një rritje e përgjithshme në shërbimet mjekësore që ofrojnë spitalet private.
Të gjithë e kanë ndier së fundmi edhe rritjen e kostos së ndërtimit, me të paktën 35%. Pra, ne kemi përllogaritur primin e policave të sigurimit, duke marrë parasysh kostot e mëparshme të këtyre mallrave dhe shërbimeve dhe aktualisht ndodhemi përpara situatës ku do të paguajmë dëmet me kosto të rritura. Edhe investimet financiare, të cilat zënë një vend të konsiderueshëm në bilancin e çdo shoqërie, nuk kanë më kthimin real të pritshëm. Kështu, duke qenë se kosto e jetesës bëhet më e shtrenjtë, edhe kërkesa për sigurime vullnetare është në rënie.
Në ç’masë dhe në çfarë afatesh të pritshme inflacioni i lartë mund të ndikojë në shtrenjtimin e tarifave të sigurimit në tregun shqiptar?
Siç e përmenda edhe më lart, nuk priten efekte në primet e sigurimit në periudha afatshkurtër, duke qenë se dhe kontratat e risigurimit janë nënshkruar tashmë me një afat njëvjeçar.
Rritja që është bërë në kontratat e risigurimit për efekt të pandemisë nuk është reflektuar në rritjen e primeve për konsumatorin, por nëse ky efekt do të thellohet në të ardhmen, do të jetë e vështirë të mbahen primet e sigurimit në të njëjtat nivele. Duke qenë se sigurimet janë një industri që bazohet në numrat e mëdhenj, ulja e kërkesës për sigurime, veçanërisht për policat vullnetare, si dhe rritja e kostove të trajtimit të dëmeve, do të çojë në një rritje të detyrueshme të primeve të sigurimit.
Nga fillimi i këtij viti, kanë hyrë në fuqi limitet e reja të përgjegjësive për sigurimet e detyrueshme motorike, por edhe kufizimet në përqindjet e komisioneve të shitjes. Në ç’mënyrë do ta ndikojnë këto ndryshime tregun dhe sidomos nivelin e primeve?
Ligji i ri dhe rregulloret që kanë dalë për zbatimin e këtij ligji kanë rritur limitet e dëmshpërblimit për përfituesit, për sigurimin TPL dhe klientët e dëmtuar paguhen më shumë se më parë.
Ligji ka ulur në mënyrë të ndjeshme paqartësitë dhe ambiguitetet që ka pasur në ligjin e vjetër dhe kjo e bën marrëdhënien me kompaninë e sigurimit më të thjeshtë dhe më direkte.
Eliminimi i ambiguiteteve dhe pasja e një ligji të qartë, ka rritur vlerën e dëmshpërblimit për të siguruarin apo përfituesin, dhe njëkohësisht janë ulur dhe shpenzimet administrative të procesit. Klientët nuk kanë nevojë t’i drejtohen gjykatës, e cila, në vetvete është një rrugë e gjatë dhe e kushtueshme për të gjitha palët.
Kufizimet e komisioneve janë një hap për t’u përshëndetur, pasi janë në kuadër të ndryshimeve legjislative që po ndërmerren kohët e fundit nga AMF për rregullimin dhe mirëfunksionimin e tregut të sigurimeve dhe përshtatjen me praktikat më të mira të komunitetit europian.
Po punohet me të gjithë aktorët e tregut, Byronë Shqiptare të Sigurimeve dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, për një sistem bonus malus dhe kategorizimin e mjeteve sipas kubikazhit, që do të thotë se, makinat me kubikazh më të vogël, do të paguajnë më pak prim sigurimi dhe ato me kubikazh të madh, prim më të lartë. Kjo do të çojë dhe në kategorizim më të drejtë të primit të sigurimit, në varësi të fuqisë motorike dhe historikut të dëmeve, nëse do të arrihet të krijohet një databazë e mirë e dëmeve për të gjithë tregun.
Strategjia afatmesme e të ardhurave e qeverisë shqiptare, mes të tjerash, përfshin edhe konsiderimin e një sugjerimi të FMN për rivendosjen e TVSH në sektorin e sigurimeve të jo-jetës. Si do ta vlerësonit një vendosje të mundshme të TVSH-së në sigurime dhe çfarë ndikimesh do të kishte në treg një masë e tillë?
Aktualisht sigurimet janë të përjashtuara nga TVSH, por aplikohet një taksë mbi primin në masën 10%. Sipas përllogaritjeve të bëra, efekti që do të kishte në rritjen e GDP së vendit, në rastin më të mirë, do të ishte vetëm 0.05%. Përfshirja e sigurimeve në skemën e TVSH do të ndikojë në rritjen e primit për konsumatorët, me të paktën 10%.
Ne kemi një treg sigurimesh ende të pazhvilluar mirë, kompanitë e risigurimit pritet që të rrisin tarifat e tyre, për shkak të pandemisë, si dhe inflacioni do të ndikojë në uljen e fuqisë blerëse.
Përthithja e produkteve vullnetare të sigurimit nga individët dhe bizneset është ende në nivele shumë të ulëta. Vlerësoj se vendosja e TVSH në sektorin e sigurimit të jo – jetës, do të ndikojë negativisht në këtë industri.
Duke qenë se aktualisht ka shumë faktorë të tjerë të cilët nuk e favorizojnë këtë treg, por edhe ndikimi në GDP nuk do të ishte i konsiderueshëm, do të ishte me vend që përfshirja e sigurimeve në skemën e TVSH të mos ishte pjesë e planeve afatshkurtra dhe afatmesme të qeverisë.
Nëse shtimi i TVSH në sigurime shihet si një masë e domosdoshme, ajo që do të sugjeroja është që produktet vullnetare të përjashtohen nga TVSH, por dhe taksa, e cila aktualisht është 10%, të bëhet 3%. Në këtë mënyrë, sigurimet vullnetare bëhen më të përballueshme nga konsumatori dhe shteti nuk ka barrën që të ndihmojë në rast fatkeqësie.
Deri tani, përpjekjet për të ngritur një skemë kombëtare të sigurimit nga fatkeqësitë kanë dështuar. Në këndvështrimin e kompanive të sigurimit, cili mund të jetë modeli më efikas për ngritjen e një skeme të tillë?
Për ekonomi të brishta si kjo e jona, skema kombëtare e sigurimeve është domosdoshmëri. Duke qenë të gjithë individët të siguruar, qeveria transferon të gjithë riskun në kompanitë e sigurimeve, duke ngarkuar më pak edhe buxhetin e shtetit. Në fund të fundit, nuk është përgjegjësi e shtetit që të rindërtojë shtëpitë e të gjithë qytetarëve pas katastrofave të tilla.
Kompanitë e sigurimit treguan se mund të përballojnë me sukses tërmete, si ai i fundvitit 2019. Arritën të bëjnë vlerësimin e rastit në kohë, si dhe të paguajnë shumë shpejt. Partnerët ndërkombëtarë iu përgjigjën në kohë. Nga ana logjistike, kompanitë e sigurimit i kanë të gjitha aftësitë dhe kapacitetet që të përballojnë më së miri situata të tilla.
Skema më e mirë, sipas gjykimit tonë, do të ishte një skemë kombëtare ku mund të përfshihen tërmeti dhe rreziqe të tjera natyrore, e shtrirë në shkallë kombëtare. Shtrirja në shkallë kombëtare do të bënte që kompanitë e sigurimit të siguronin çdo klient me të njëjtin prim, pavarësisht riskut që ka. Për shkak të përvojës së gjatë, kompanitë do të siguronin transferimin e riskut në tregje ndërkombëtare, me çmim shumë të favorshëm.
Në aplikimin e një skeme të tillë, çdo kompani do të merrte përsipër rreziqe në bazë të kapitalit dhe aftësive të mbajtjes së riskut. Tregu i sigurimeve është konsultuar herë pas here edhe me AMF, partnerë dhe brokerë ndërkombëtarë, si dhe konsulentë që merren me krijimin e produkteve të tilla dhe ju vijnë në ndihmë tregjeve si yni.
Ky projekt paraqet mjaft vështirësi, si në aplikimin e tij, përcaktimin e primit të saktë, ashtu edhe në limitet e dëmshpërblimit për rastet. Mendojmë që zgjidhja më e mirë është angazhimi i kompanive të huaja ndërkombëtare për të na asistuar në modelimin e produktit, risqeve dhe primit.
Nuk ekziston një kontratë sigurimi që mbulon çdo gjë dhe pa limit, ndaj hartimi i një skeme të tillë kërkon ekspertizë për t’u siguruar që, në rast fatkeqësie, të ketë mbulim të mjaftueshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.