Rritja e shpejtë e sektorit call center në Shqipëri, në vetëm pak vjet tregoi që ky vend ka avantazhe konkurruese të larta, që duhen shfrytëzuar. Por, tashmë ka ardhur koha të kalohet në një fazë më të lartë, të iket nga industria fason dhe call center, që janë skllavëruese dhe shfrytëzojnë vetëm koston e lirë të fuqisë punëtore. I këtij mendimi është Armand Frangu, drejtor ekzekutiv i kompanisë B360 dhe anëtar i Shoqatës Shqiptare të Teknologjisë së Informacionit (AITA), që është zëri i sektorit të teknologjisë dhe komunikimit. “Është koha që vendi të shkojë drejt ofrimit të shërbimeve profesionale”, thotë ai.
Frangu është i mendimit se Shqipëria, ndonëse ka një zhvillim më të vonuar të teknologjisë së informacionit në raport me rajonin, madje edhe me Kosovën, ka potenciale në këtë drejtim. Vendi mund të eksportojë shërbime IT në tregun e bashkimit Europian dhe atij amerikan, ku sipas rëndësisë sektorët që mund të përparojnë janë:
-zhvillimi i programeve
-zhvillim web/design
-aplikacione mobile/zgjidhje mobile
-testim programesh
-modelim 3D dhe animacion
-programim dhe mbështetje e sistemit të IT
-platformat EPR dhe CRM
-Cloud CCTV
-Data Centers dhe Cloud hosting.
Ka disa raste pozitive të kompanive shqiptare që po shkojnë drejt shërbimeve të integruara. Deloitte Albania, kompani audituese dhe konsulence, ka 100 të punësuar për platformat e biznesit ERP dhe CRM, që punojnë kryesisht për tregun italian. Gener 2, grup i diversifikuar në ndërtim por dhe shërbime IT, ka disa vjet që po investon në Data Centers dhe Cloud Hosting.
Frangu thotë se avantazh i Shqipërisë është niveli i lartë i kualifikimit të personelit nga njëra anë, por nga ana tjetër këtu kemi një dobësi, pasi numri i programuesve në Shqipëri llogaritet me qindra, që nuk do të mjafton as për të përmbushur kërkesën e një kompanie gjermane p.sh., “Zakonisht për të bërë kontrata me zhvillues të mëdhenj të programeve, kërkohet minimalisht një skuadër prej 50-100 personash, por më e preferueshme është mbi 100”.
Gjithsesi, ka zhvillime pozitive në këtë drejtim. “Reformat e fundit të qeverisë në fushën e edukimit profesional (rigjallërimi i edukimit profesional), reforma në sistemin e lartë të edukimit dhe rritja domethënëse e numrit të studentëve të rinj të regjistruar në profilin e ICT tregojnë se po bëhen hapat e duhura për të korrektuar këtë problem, duke shtuar numrin e diplomuarve në IT”. Por, e rëndësishme mbetet cilësia e edukimit, që ka qenë një problem vitet e kaluara. “Do të duhen 5-10 vjet, që të shihen rezultatet e para pozitive në tregun e punësimit të IT”.
Vetë firmat e IT po investojnë vazhdimisht në trajnime për të përgatitur zhvillues të mirë, por sërish kjo kërkon kohë dhe investimi është i konsiderueshëm.
Avantazhe të tjera që mund të nxisin kompanitë e huaja të punojnë me kontraktorë shqiptarë janë çmimet konkurruese për të optimizuar strukturën e kostos në zinxhirin e vlerës, specializimi në tregjet europiane për sa i përket aftësive teknike, aftësive të gjuhëve dhe metodologjisë, fokusi te klientët e vegjël dhe të mesëm dhe nevojat e tyre specifike.
Frangu pohon se të huajt janë të pasionuar pas kulturës shqiptare dhe aftësive të personelit, ndërsa dhe afërsia gjeografike ndihmon.
Një pengesë, por më e vogël, është mungesa e ndërlidhjes (networking). Kompanitë shqiptare nuk janë pjesë e rrjetit të biznesit global. AITA ndërkohë po përdor rrjetin e saj dhe aktivitetet ndërkombëtare për të promovuar kompanitë programuese më me eksperiencë në Shqipëri te partnerët që janë të fokusuar te klientët e vegjël e të mëdhenj dhe t’u mundësojnë atyre që të rriten në vijim.
Bullgaria është një model që ka ecuri shumë mirë në eksportet e IT-së dhe tashmë ajo ka problem në gjetjen e fuqisë punëtore të kualifikuar. Një tjetër përparësi e Shqipërisë është se në vendet jashtë Europës ka rrezik më të lartë, si rrjedhojë e konflikteve sociale, çka do të favorizonte ardhjen e sipërmarrjeve të BE-së në Shqipëri. Gjithsesi, “mosqenia në BE është një element negativ dhe shpejt a vonë do e nxirrte kokën, siç ndodhi me call center”. Në Bullgari dhe Rumania, p.sh., qeveria italiane nuk mund të vendosë kushte, pasi ato janë pjesë e tregut europian.
Frangu është optimist se potencialet e Shqipërisë janë shumë të mëdha, por se sa do të arrihet zhvillimi varet nga fakti sa programues të mirë do të prodhohen në vitet e ardhshme. Biznesi e gjen rrugën vetë, pohon ai, ndërsa shteti duhet të kujdeset të rrisë cilësinë e arsimit, të zhvillojë arsimin profesional dhe të nxjerrë në treg sa më shumë IT të kualifikuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.