Rritja të orientohet nga inovacioni dhe teknologjia

19/10/2019 10:08 PM 0 komente
Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Selami Xhepa

Flet presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Selami Xhepa

 

Do të ishte e dobishme që të mbështeten aktivitetet e kërkim-zhvillimit dhe të mbështetet sofistikimi i bizneseve që përdorin teknologji të reja, procese prodhimi inovative që sjellin risi në tregje. Këto janë fushat që sjellin produktivitet të lartë dhe rritje ekonomike të qëndrueshme, tha presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Selami Xhepa.

Sipas tij, investimet e huaja janë domosdoshmëri e pazëvendësueshme për ekonominë tonë dhe e vetmja mundësi që ekonomia jonë të integrohet në zinxhirin global të prodhimit.

 

Cilat janë, sipas jush, shkaqet kryesore që kanë sjellë përgjysmimin e rritjes ekonomike këtë vit?

Ngadalësimi i rritjes ekonomike gjatë vitit aktual, mendoj se mund t’i atribuohet si faktorëve rastësorë (thatësira që ka pasur ndikime të forta në sektorin e energjisë), por edhe faktorëve më fondamentalë, që lidhen me klimën politike të destabilizuar në vend dhe efektin që ajo ka dhënë si mbi treguesit e kërkesës së brendshme, ashtu dhe në ecurinë e investimeve private, qoftë të brendshme apo të huaja.

Edhe ekonomia europiane gjithashtu nuk ka qenë mbështetëse, për shkak se cikli ekonomik në Eurozonë dhe veçanërisht në Itali, që është partneri kryesor ekonomik për ne, mbetet i dobët. Por, shqetësimi kryesor në gjykimin tim, nuk janë këto zhvillime afatshkurtra të këtij viti, por fakti se edhe në afat të gjatë, nuk shikoj përpjekje për të shëndoshur bazat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe shmangien e vulnerabiliteteve, të cilat vazhdojnë të mbeten të larta dhe po shtohen.

A mendoni se duhet rishikuar modeli ekonomik në drejtim të burimeve më produktivë të rritjes?

Modelet ekonomike përvijohen nga forcat e tregut, të cilat nëse funksionojnë në kushtet e konkurrencës së drejtë dhe të padeformuar të tregut, alokojnë burimet drejt sektorëve/produkteve më fitimprurëse. Në këtë kuptim, modeli ekonomik përvijohet vetiu dhe roli i politikës ekonomike do të ishte thjesht forcimi i këtyre lidhjeve dhe rrjetit të aktorëve. Por, në kontekstin e ekonomisë sonë, fatkeqësisht deformimet në tregje janë të forta, kapja e tregjeve, deformimi i rregullave të lojës, informaliteti dhe evazioni fiskal – mbeten shqetësime serioze.

Në këtë kuptim, të flasësh për një model ekonomik mendoj se është e tepërt. Por, mendoj se ka një rol të rëndësishëm të politikës për të mbështetur inovacionin dhe kreativitetin në ekonomi dhe, në vend që të fokusohemi tek ekstraktimi pasurive të nëntokës, do të ishte e dobishme që të mbështeten aktivitetet e kërkim-zhvillimit dhe të mbështetet sofistikimi i bizneseve që përdorin teknologji të reja, procese prodhimi inovative dhe sjellin risi në tregje.

Këto janë fushat që sjellin produktivitet të lartë dhe rritje ekonomike të qëndrueshme. Sigurisht që tregjet e huaja mbeten objektivi parësor, pasi tregu i brendshëm është shumë i kufizuar dhe po tkurret gjithnjë e më shumë, për shkak të rritjes së emigracionit. Shkurt: politika dhe burimet financiare duhen orientuar drejt industrive të vlerës së lartë të shtuar dhe të orientuara për të shërbyer tregjet e huaja.

Rënia ekonomike dhe treguesit e tjerë ekonomikë

Rritja ekonomike, sigurisht që ndikon fort në treguesit e tjerë ekonomikë, veçanërisht në treguesit fiskalë e buxhetorë, në treguesit e punësimit dhe të ardhurave të qytetarëve – pra efekti është zinxhir. Ritmet më të ulëta të rritjes po shoqërohen me të ardhura më të ulëta në buxhet: statistikat fiskale tregojnë se të ardhurat janë më poshtë planit dhe perspektiva deri në fund të vitit është se mosrealizimi do të jetë më rreth 8-10%. Po kështu, edhe treguesit e punës dhe të ardhurave, të cilat edhe pse nuk janë të disponueshme në mënyrë operative dhe të sakta, ka arsye të besueshme të themi se konsumi i familjeve ka rënë.

Çfarë mund të bëjë qeveria në drejtim të përmirësimit të ambientit të rritjes?

Përmirësimi i klimës së biznesit mbetet me rëndësi jetike. Shqipëria fatkeqësisht ka një klimë të të bërit biznes shumë më të pafavorshëm edhe se fqinjët tanë. Në disa nga elementet thelbësorë të klimës së biznesit: lejet e ndërtimit, regjistrimet e pronës, furnizimi me energji elektrike, sistemi i taksave, respektimi i kontratave dhe zgjidhjes së mosmarrvëshjeve – vendi ynë renditet ndër vendet e fundit sipas klasifikimeve që bën Banka Botërore.

Korrupsioni në prokurimet publike dhe në procedurat burokratike për lejimin dhe operimin e investimeve private, janë tashmë barrierat më serioze për të tërhequr investitorë seriozë në ekonominë tonë. Mendoj se investimet e huaja janë domosdoshmëri e pazëvendësueshme për ekonominë tonë dhe e vetmja mundësi që ekonomia jonë të integrohet në zinxhirin global të prodhimit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of