Rritja e numrit të punëtorëve, tejkalimi prej 25 për qind të buxhetit për mallra dhe shërbime, mosrealizimi i investimeve kapitale dhe rritja e mëditjeve, janë evidencuar në raportin nëntëmujor të Radiotelevizionit të Kosovës, të paraqitur të martën në Komisionin për Buxhet dhe Financa, shkruan sot Koha Ditore.
Gjatë kësaj mbledhjeje, me gjithë vërejtjet dhe kritikat e shumta që iu bënë këtij raporti nga anëtarët e Komisionit, si nga pozita ashtu edhe nga opozita, me 5 vota për dhe 4 kundër u aprovua kërkesa e Ministrisë së Financave për transferim të 1.7 milionë eurove për RTK-në për periudhën 1 tetor-30 nëntor.
Të pakënaqur me raportin e sjellë nga përfaqësuesit e RTK-së, anëtarët e Komisionit kanë kërkuar që të krijohet një standard tjetër i raportimit dhe të futet në sistem, gjë për të cilën u shprehën skeptikë edhe vetë ata. Dyshime të shumta u ngritën te tejkalimi i buxhetit për shërbime, duke thënë se “RTK-ja po blen programe nga punëtorët e vet”. Raporti vë në pah se është rritur numri i të punësuarve me kontratë të rregullt nga 741 në 766 veta.
/Koha Ditore/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.