Me qindra kompani në të gjithë Rumaninë do të përfitojnë 190 milionë euro financim të sektorit privat, nga Banka Europiane e Investimeve, për të mbështetur sektorët më të prekur nga ndikimi ekonomik, social dhe shëndetësor i COVID-19.
“Mundësimi i ndërmarrjeve në të gjithë Rumaninë për të vazhduar të investojnë është thelbësor për vendin, që të kapërcejë sfidat ekonomike, të punësimit dhe ato sociale, të shkaktuara nga COVID-19. Pas kërkesës së Ministrave Europianë të Financave, banka e BE-së ka reaguar me shpejtësi për të adresuar sfidat lokale në të gjithë Europën. E mirëpres këtë nismë të rëndësishme prej 190 milionë EUR, që do të sigurojë mbështetje financiare për kompanitë në të gjithë vendin, në bashkëpunim me institucionet kryesore financiare.
Skema e re është më e mirë dhe më fleksibël. Ajo lejon shpenzimet e kapitalit qarkullues, duke përfshirë pagesat e pagave, sigurimeve shoqërore dhe taksave, pa një kërkesë minimale të maturimit, për të ndihmuar në zbutjen e ndikimit ekonomik të COVID-19. Banka Europiane e Investimeve është një partner kryesor për Rumaninë në këto kohëra sfiduese”, tha Vasile-Florin Citu, ministri rumun i Financave Publike dhe guvernatori i Bankës Europiane të Investimeve.
Nisma përfaqëson një paketë të posaçme për mbështetjen e rezistencës ekonomike ndaj COVID-19 në Rumani, të siguruar nga Banka Europiane e Investimeve. Sigurimi i aksesit në financim është thelbësor për të mbrojtur punësimin, për të zhbllokuar investimet e biznesit dhe për të mundësuar rritjen ekonomike.
“Që nga fillimi i pandemisë COVID-19, Banka Europiane e Investimeve ka punuar ngushtë me partnerët kryesorë vendorë financiarë, për të identifikuar mënyrën më të mirë për të mbështetur kompanitë më të prekshme nga pandemia. Kompanitë në të gjithë Rumaninë janë në gjendje të aplikojnë menjëherë për mbështetje nga programi prej 190 milionë EUR. Në javët e ardhshme, partnerët tanë rumunë CEC Bank, Intesa Sanpaolo Bank Rumania, Unicredit dhe Sogelease, do të shpjegojnë mënyrën se si kompanitë mund të kenë akses në kapitalin e ri të punës, investimet e biznesit dhe financat e qirasë dhe të mbulojnë pagën, taksat dhe kostot e sigurimeve shoqërore.
BEI është e përkushtuar për të mbështetur investimet e sektorit privat në Rumani dhe në të gjithë botën dhe të punojë së bashku me partnerët lokalë për të forcuar qëndrueshmërinë ekonomike ndaj COVID-19. Si nënkryetar i ri i BEI-së, përgjegjës për operacionet në Rumani, do të mbështes me kënaqësi investimet transformuese në të gjithë vendin në vitet në vazhdim dhe do të forcoj më tej bashkëpunimin e ngushtë të BEI-së me partnerët rumunë”, tha Christian Kettel Thomsen, zëvendëspresidenti i Bankës Europiane të Investimeve.
190 milionë EUR të disponueshme menjëherë nëpërmjet partnerëve financiarë rumunë
Përgjigjja e BEI-së do të sigurohet nga institucionet kryesore financiare rumune CEC Bank, Intesa Sanpaolo Bank Rumania, Unicredit dhe BRD Sogelease dhe mundëson kapital qarkullues, financim me qira dhe investime kapitale nga NVM-të dhe ndërmarrjet me kapital të mesëm në të gjithë vendin. Kompanitë rumune do të jenë në gjendje të përfitojnë nga financimi i ri, si në Leun rumun, ashtu edhe në Euro. Programi prej 190 milionë EUR është në dispozicion menjëherë dhe kompanitë mund të aplikojnë përmes degëve të institucioneve partnere në të gjithë vendin.
Mbështetje specifike për sektorët më të prekur nga COVID-19
Programi i ri i financimit të qëndrueshmërisë ekonomike kundër COVID-19, do të ndihmojë kompanitë më të prekura nga pasiguria e biznesit dhe sfidat e lidhura me pandeminë. Kompanitë e përfshira në prodhim, tregti, bujqësi, turizëm dhe transport, do të përfitojnë nga një sërë produktesh financiare të ofruara nga katër institucionet partnere rumune: CEC Bank, Intesa Sanpaolo Bank Rumania, Unicredit dhe BRD Sogelease. Ndikimi i përgjithshëm i skemave do të përforcohet nga baza e larmishme e klientëve dhe financimi i siguruar nga tre partnerët.
Sigurimi që Rumania të përfitojë nga përgjigjja globale e BEI ndaj COVID-19
Katër institucionet partnere rumune kanë klientë në të gjithë vendin. Më shumë se 85% e investimeve të reja të mbështetura nga skemat e financimit, pritet të ndihmojnë kompanitë e vendosura në rajonet e kohezionit.
Mbështetja e dedikuar e BEI-së për qëndrueshmërinë ekonomike ndaj COVID-19 në Rumani, është pjesë e përgjigjes globale të BEI-së prej 20 miliardë eurosh, për të zvogëluar ndikimin ekonomik të pandemisë.