Eksportet në të gjithë Europën Juglindore (EJL) do të bien për shkak të rënies së kërkesës dhe ndërprerjeve në zinxhirët e vlerave, si pasojë e përhapjes së koronavirusit, dhe Rumania dhe Serbia pritet të paguajnë koston më të madhe, tha të premten Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
Sektorët e prodhimit të dy vendeve janë më të integruar në zinxhirët e furnizimit global dhe kontribuojnë më së shumti në ekonomitë e tyre për sa u përket vlerës së shtuar dhe punësimit, tha OECD në një raport mbi efektin e koronavirusit në ekonomitë e Europës Juglindore deri në datën 15 prill.
Pandemia e koronavirusit ka ngadalësuar dukshëm ekonomitë e Europës Juglindore, të cilat mund të hyjnë në recesion, pasi mbështeten shumë në tregtinë dhe investimet nga vendet e BE-së, të goditura tashmë nga kriza, siç janë Gjermania dhe Italia, komentoi organizata.
Brenda tregjeve vendase, Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM), sektorët e prodhimit dhe turizmit, do të jenë ndër më të prekurit, vuri në dukje organizata.