Rumania është midis shteteve anëtare të BE-së, që janë në favor të një takse dhe pakti buxheti, por i duhet të ndryshojë Kushtetutën që të plotësojë këto sfida
Nëntë nga dhjetë shtetet e BE-së që nuk janë anëtarë në zonën e përbashkët euro – Rumania midis tyre
kanë shprehur vullnetin për t’iu bashkuar 17 anëtarëve të Eurozonës në hartimin e një traktati të ri që synon të arrijë një bashkim më të thellë fiskal dhe të merret me zgjidhjen e problemeve të krizës së borxheve,
pas një takimi të BE-së të pak ditëve më parë.
Marrëveshja do të përfshijë gjoba për shtetet që thyejnë rregullat e shtrënguara të deficitit dhe do të mbështetet nga një traktat midis qeverive, jo një traktat të BE-së, duke qenë se Britania përdori veton për të mohuar këtë mundësi.
“Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania dhe Suedia kanë sinjalizuar se kanë mundësi që të marrin pjesë në këtë proces pasi të konsultohen me Parlamentet e tyre atje ku është e nevojshme”,
thuhej në projekt-konkluzionet në fund të takimit.
Mbretëria e Bashkuar ka thënë se nuk do të jetë pjesë. Kryeministri britanik, David Cameron, vuri veton në marrëveshjen e BE-së, duke thënë se ajo kërcënon interesat kyçe britanike, veçanërisht pozicionin e Londrës si një qendër botërore financiare.
Por në mënyrë që të plotësohen kushtet e marrëveshjes së BE-së, përfshirë objektivin e një deficiti vjetor strukturor që nuk e kalon 0.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), Rumanisë do t’i duhet të ndryshojë Kushtetutën e saj.
“Rumania duhet të përshtasë rregullat e reja financiare me Kushtetutën e saj. Në mënyrë që të bëjë këtë, është i nevojshëm një konsensus midis partive politike në Parlament, ndaj unë i ftoj ata për konsulta sa më shpejt që të jetë e mundur”,
ka pohuar Presidenti i vendit, Traian Basescu.
Ai shtoi se Rumanisë nuk do t’i duhet të kontribuojë në shumën prej 50 miliardë eurosh që duhet të sigurohet nga shtetet që nuk janë në Eurozonë, si hua dypalëshe dhënë FMN-së për të ndihmuar krizën e borxheve,
megjithëse ai i përmbahet idesë se vendi mund të jetë në gjendje ta bëjë këtë.
Marrëveshja e arritur nga anëtarët e BE-së pak ditë më parë do të zbardhet nga ekspertët europianë deri në fund të dhjetorit dhe duhet të nënshkruhet deri në fund të marsit 2012.
Në mënyrë të habitshme, edhe pas krizës së rëndë që ka goditur monedhën europiane, zyrtarët rumunë janë ende shumë të prirë që vendi i tyre të bëhet pjesë e Eurozonës.
“Ne i qëndrojmë objektivit për të hyrë në Eurozonë në 2015-n”, ka pohuar Presidenti Basescu muajin e kaluar. “Objektivi është realist dhe një nxitës për të pasur buxhete të balancuara në vitet në vijim”.
E goditur rëndë nga kriza ekonomike globale, Rumania gjatë dy viteve të fundit i është nënshtruar një sërë reformave të ashpra në kuadër të një programi që synon të reduktojë shpenzimet publike në nivele të qëndrueshme.
Në vitin 2009, FMN, e cila i dha Rumanisë 20 miliardë euro në një kredi emergjente, do që Bukureshti të vazhdojë me shkurtimet e ashpra publike, pavarësisht ndikimit që mund të ketë kjo në rritjen ekonomike.
Fondi gjatë kohëve të fundit ka ulur parashikimin e rritjes për Rumaninë për vitin e ardhshëm në rreth 2.1% të PBB-së. Vendi ka përjetuar rimëkëmbje shumë të ngadaltë ekonomike në 2011-n, me rritje të vlerësuar për këtë vit në rreth 1.5% të PBB-së.
Rumania dhe FMN kanë rënë dakord për një objektiv deficiti prej 4.4% të PBB-së në 2011-n dhe rreth 2.1% të PBB-së në 2012-n.