Samsung do të prezantojë gjeneratën e re Galaxy S në muajin janar. Ky informacion është bërë i ditur nga një media koreane, e cila citon një burim të afërt me kompaninë. Meqë Galaxy S6 dhe S6 Edge u prezantuan më 1 mars të këtij viti, do të thotë që S7 do të prezantohet një muaj më parë. Kjo si duket ka të bëjë me konkurrencën e fortë me të cilën po përballet Samsung, sidomos nga Apple dhe telefonat e saj inteligjentë iPhone 6s dhe iPhone 6s Plus.
Në raport thuhet se Galaxy S7 do të ofrohet në dy versione: “premium” dhe “sub-premium” dhe do të prezantohet më 19 janar 2016. Nëse ky informacion është i saktë, atëherë telefoni mund të hidhet në treg pak javë para zhvillimit të Kongresit Botëror të Telefonave 2016. Gjeneratat e mëparshme, Galaxy S, janë prezantuar gjatë Kongresit Botëror të Telefonave, që zhvillohet në fillim të muajit mars.
Meqë nuk kemi ndonjë konfirmim zyrtar nga Samsung, nuk mund të themi me siguri që këto informacione janë të vërteta.
Galaxy S7 thuhet se do të ofrohet në tri variante, ku secili do të ketë një procesor të ndryshëm në bazë të tregut. Telefoni do të ketë gjithashtu një portë USB të tipit C, një teknologji të ngjashme me 3D Touch dhe ndoshta një kamerë të dyfishtë në anën e pasme me sensor 20 megapiksel.