Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore (BB) për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, z. Cyrill Muller, gjatë vizitës së tij të parë në Shqipëri, bisedoi me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko mbi projektet e lidhura me konsolidimin, modernizimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar në Shqipëri.
Guvernatori e njohu z. Muller me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend. Në veçanti, Guvernatori u ndal në trajtimin e sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, kuadrin e politikave makroekonomike dhe reformave strukturore të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të thithur sa më shumë investime të huaja në Shqipëri.
Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori theksoi se sot ky sistem shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë, duke lënë pas edhe një vit të vështirë që tregoi aftësinë e tij për të përballuar situata të stresuara financiare, siç ishte rasti i krizës greke. Dëshmi e suksesit të këtij sistemi është edhe besimi që tregojnë investitorët e huaj me interesin e tyre për t’u bërë pjesë e tij.
Në këtë drejtim, prioritetet e punës së Bankës së Shqipërisë janë orientuar më së shumti drejt identifikimit të masave për nxitjen e kreditimit, reduktimit të kredive me probleme dhe forcimin e stabilitetit financiar.
Gjatë takimit, pjesë e diskutimeve ishte dhe zhvillimi i institucioneve financiare jobankare, të cilat po rrisin gradualisht peshën e tyre në sistemin financiar shqiptar. Duke vlerësuar rolin e këtyre institucioneve në diversifikimin dhe zhvillimin e tregut financiar në Shqipëri, Banka e Shqipërisë ka pasur në fokus të punës së saj forcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të tyre në drejtim të qeverisjes dhe kontrollit të brendshëm.
Nga ana e tij, z. Muller vlerësoi Bankën e Shqipërisë për politikat e ndërmarra prej saj, të cilat kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe konsolidimin e vazhdueshëm të sistemit financiar në Shqipëri. Në përfundim, ai shprehu angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë, nëpërmjet asistencës teknike për zhvillimin e mëtejshëm institucional të saj si autoriteti rregullator dhe mbikëqyrës i sistemit bankar shqiptar.
Gjatë qëndrimit në Bankën e Shqipërisë, z. Muller zhvilloi dhe një tur të shkurtër në Muzeun e Bankës së Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.