Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave, Kunio Mikuriya dhe Dashgin Aliyev, Drejtori për Zhvillimin Rajonal për Rajonin e Europës në WCO zhvilluan një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri.
Drejtuesit e lartë të WCO fillimisht u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Shqiptare, Genti Gazheli, i cili pas falënderimeve që i bëri z. Mikuriya, për vlerësimin e kësaj vizite, e njohu atë me arritjet e Administratës Doganore Shqiptare, të cilat janë të prekshme dhe i përgjigjen vizionit për të përballuar sfidat në të ardhmen e afërt.
Sipas Gazhelit, përafrimi i legjislacionit me atë të BE-së, ka bërë që në vitet e fundit, ADSH të përmirësojë ndjeshëm shërbimin ndaj qytetarëve dhe biznesit.
“Tashmë deklarimin on-line është realitet dhe ‘Nënshkrimin Elektronik’, është një element thelbësor që i paraprin procesit të gjerë dhe shumë të rëndësishëm të ‘deklarimit pa letra në doganë’, tha Gazheli, duke theksuar se thjeshtimi i procedurave dhe dokumentacionit për dhënien e lejeve dhe licencave për qytetarët dhe bizneset ka minimizuar kostot që lidhen me burokracinë e strukturave shtetërore, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në atë kohor”.
Gjatë dy viteve sfiduese, për shkak të pandemisë Covid-19, u shpreh Gazheli, Drejtoria e Doganave ka qenë në shërbim 24/7 të biznesit, për të lehtësuar eksportet dhe importet, duke bërë përpjekje maksimale në funksionet e saj të kontrollit, duke siguruar trajtim të barabartë, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe lehtësimin e tregtisë së jashtme.
Ndërsa Kreu i OBD, Mikuriya, vlerësoi se Dogana Shqiptare ka shënuar progres në vitet e fundit në termat e standardeve ndërkombëtare dhe të BE, në përmirësimin dhe futjen e teknologjive të reja dhe në zhvillimin e burimeve njerëzore.
“Është e rëndësishme ofrimi i shërbimeve bazuar në besimin e biznesit. Prandaj këtë progres kam vërejtur gjatë vizitës sime, ku në ndryshim nga vizita ime 10 vjet më parë, ndjej se ekonomia shqiptare është më shumë premtuese në kushtet e integrimit europian, në kushtet e tërheqjes së njerëzve dhe investimeve, por gjithashtu edhe tërheqjen e turistëve.
Unë shoh një potencial të madh për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë, prandaj përmirësimi i vazhdueshëm i institucioneve publike, si Dogana është i rëndësishëm për të mbajtur këtë trend pozitiv dhe premtues”, u shpreh Mikuriya.
Gjatë vizitës së tij në vendin tonë, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Doganave Kunio Mikuriya, dhe Dashgin Aliyev, Drejtori për Zhvillimin Rajonal për Rajonin e Europës në WCO, u pritën edhe nga zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj dhe zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.