Banka dhe shoqëritë e sigurimit shënojnë numrin më të lartë të të punësuarve. 1 i punësuar në sektorin financiar i shërben 734 vetëve në ShqipëriSektori financiar shqiptar punëson rreth 5 mijë njerëz. Bankat e nivelit të dytë dhe shoqëritë e sigurimeve janë institucionet që shënojnë numrin më të lartë të të punësuarve në sektorin financiar. Arsyeja kryesore e rritjes së vazhdueshme të numrit të punonjësve në sektorin financiar, kryesisht atë bankar dhe të sigurimeve, është zgjerimi i rrjetit të tyre me degë dhe agjenci në të gjithë territorin e vendit. Në fund të vitit 2004, sipas raportit të mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, në sistemin bankar shqiptar ishin të punësuar 2816 persona, nga 2236 persona që rezultoi të ishin një vit më parë. Kjo përbën një rritje prej 26% në vit dhe shpreh qartë përparësinë që po i japin bankat rritjes së kapaciteteve njerëzore, si kusht i domosdoshëm për rritjen e veprimtarisë në të ardhmen. Ndërkohë që rritja e numrit të të punësuarve në sistemin bankar në vitin 2005 përllogaritet të jetë rreth 19%, e cila ka ardhur sërish si rrjedhojë e zgjerimit të rrjetit të degëve në të gjithë vendin. Kështu, në fund të vitit 2005 rezulton që të punësuarit në sistemin bankar të ishin 3479 idividë. Rritje ka pësuar numri i punonjësve për një njësi bankare dhe për bankë me përkatësisht 23.1 dhe 205 punonjës në fund të vitit 2005. Rreth 30% e të punësuarve në sektorin bankar i përket Bankës Raiffeisen. Ndërkohë një punonjës i sistemit bankar është në dispozicion të 891 vetëve. Të njëjtën tendencë rritëse të numrit të punonjësve e kanë pasur edhe shoqëritë e sigurimit, të cilat jo vetëm janë zgjeruar në agjenci dhe degë, por janë shtuar edhe në numër. Kështu, sipas raportit statistikor mbi tregun e sigurimeve në Shqipëri gjatë vitit 2004, numri i punonjësve të shoqërive të sigurimeve është rreth 698, ku numri i punonjësve për çdo shoqëri sigurimi është 69.8. Sipas përllogaritjeve rezulton se numri i punonjësve për çdo degë dhe agjenci është 1.56 dhe totali i degëve dhe agjencive të hapura në gjithë vendin arrin në 447. Ndërsa numri mesatar i punonjësve për çdo shoqëri është 44.7 individë. Hapja e degëve dhe agjencive të reja pritet të sjellë rritjen e numrit të shoqërive të sigurimeve. Ndërkohë një rritje domethënëse kemi edhe në numrin e punonjësve në institucionet e tjera financiare, ndërkohë që parashikohet që gjatë vitit 2006 të ketë rritje të numrit të punonjësve në institutet private të pensioneve suplementare, të cilat sapo kanë filluar aktivitetin e tyre dhe pritet të zgjerohen me degë dhe agjenci në të gjithë vendin. Aktualisht, në vend sapo kanë filluar të operojnë tre institute private pensionesh me 28 të punësuar gjithsej. Përsa i takon autoriteteve mbikëqyrëse më tepër të punësuar ka Banka e Shqipërisë me 416 vetë. Më pas janë Autoriteti Mbikëqyrës i Sigurimeve me 29 punonjës, Bursa e Tiranës me 13 punonjës, Komisioni i Letrave me Vlerë me 12 punonjës, Agjencia e Sigurimit të Depozitave me 14 punonjës dhe Inspektoriati i Instituteve Private të Pensioneve me 8 punonjës
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.