Banka Qendrore e Serbisë ka ulur papritur normën e saj bazë të interesit për herë të parë në katër muaj, duke lënë mënjanë shqetësimet mbi dobësimin e dinarit për të trajtuar inflacionin vazhdimisht të ulët.
Norma e interesit, e reduktuar në 4.25%, ishte e para që nga rritja e normave të Rezervës Federale të SHBA-së në dhjetor, që mund të forcojë furnizimin me dollarë të lirë dhe t’i nxisë investitorët të jenë më të kujdesshëm në lidhje me aktivet më të rrezikshme në tregjet në zhvillim si Serbia.
Vendimi ‘theu’ shpresat e shumicës së 18 tregtarëve të anketuar nga Reuters, 15 prej të cilëve thanë se prisnin që banka t’i mbante sërish të pandryshuara normat.
Tre nga tregtarët kishin parashikuar reduktim të normës së interesit.
Inflacioni janarit qëndroi në 1.5% nga viti në vit, shumë më poshtë objektivit të bankës mes 2.5 dhe 5.5%. Në një deklaratë, Bordi ekzekutiv i bankës përmendi presionin e ulët të inflacionit në vend dhe jashtë vendit, kryesisht për shkak të çmimeve më të ulëta të naftës.
Ai tha gjithashtu se ritmi më i ngadaltë i rritjes në Kinë do të rëndojë aktivitetin ekonomik në Europë dhe Shtetet e Bashkuara.
“Në rrethana të tilla, është e mundur që normalizimi i politikës monetare të Rezervës Federale do të ndodhë në një ritëm më të ngadaltë se sa pritej”, tha banka në një deklaratë.
“Banka qendrore pret që lehtësimi i politikës monetare të pasohet nga normat e ulëta të interesit (të bankave komerciale) dhe vazhdimësia e rimëkëmbjes së aktivitetit të kredisë, që të gjithë së bashku do të kontribuojnë në investime më të larta”. Takimi i ardhshëm i politikës monetare është planifikuar për më 17 mars.
Banka qendrore i reduktoi normat në një nivel të ulët rekord prej 4.5% nga 8% gjatë vitit 2015, duke iu përgjigjur politikës qeveritare të konsolidimit fiskal të rënë dakord sipas marrëveshjes së kredisë prej 1.2 miliardë euro me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe ndaj inflacionit të ulët dhe lehtësimit sasior në SHBA dhe Europë.
Megjithatë, deri më tani për këtë vit dinari, ka humbur 1.1% në vlerë kundrejt euros, duke e detyruar bankën qendrore të shtrëngojë politikën monetare dhe të shesë 260 milionë euro deri sa viti i ri të ngadalësojë rënien.
Monedha u zhvlerësua pak pas vendimit të bankës, duke tregtuar në 122.9 për euro nga 122.7 përpara ndryshimit të normës. Ekonomia e Serbisë parashikohet të rritet me 1.8% këtë vit duke pasuar rritjen e parashikuar prej 0.8% në vitin 2015.
Borxhi i vendit kandidat të BE-së arrin në 77% të prodhimit kombëtar, shumë më lartë se shifra e rekomanduar nga FMN-ja për ekonomitë e ngjashme në zhvillim.
Rreth 80% e borxhit publik është në monedhë të huaj – euro dhe dollarë – ndërsa pjesa tjetër është në dinarë.
“Për sa kohë që pjesëmarrja e letrave me vlerë në dinarë në borxhin e vendit është e ulët, dobësimi i dinarit ndaj euros apo dollarit do të konsiderohet si një rrezik i madh fiskal”, referoi në raportin e tij mujor organi më i lartë ekonomik këshillimor i Serbisë, Këshilli Fiskal.
Vendi pritet të përballet me zgjedhje të parakohshme, në fund të prillit ose fillim të majit, teksa kryeministri konservator, Aleksandar Vucic, kërkon një mandat të ri për të ndjekur integrimin në Bashkimin Euopian, por duke vonuar potencialisht disa nga reformat ekonomike.