Serbia ka nënshkruar një marrëveshje të tregtisë së lirë me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik, të udhëhequr nga Rusia, edhe pse ka marrë paralajmërime të shumta, edhe pse jo publike, nga Bashkimi Europian. Kjo marrëveshje, që u nënshkrua gjatë një vizite të Kryeministres serbe, Ana Brnabic, në Moskë, do të zëvendësojë marrëveshjet ekzistuese të tregtisë së lirë midis Beogradit dhe Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit.
Serbia nuk ka ndonjë marrëveshje të tillë me Armeninë dhe Kirgistanin, që janë dy anëtarët e tjerë të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik.
Sipas Ministrisë serbe të Tregtisë, nënshkrimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik, do të mundësojë që rreth 95.5% e produkteve serbe të eksportohen në këtë grupim rajonal, kundrejt asnjë tarife doganore. Vitin e kaluar, tregtia midis Serbisë dhe shteteve të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, një treg prej më shumë se 180 milionë njerëzish, arriti në 3.4 miliardë dollarë.
Edhe pse Serbia aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, ajo ka vazhduar të mbajë lidhje të ngushta me Rusinë, për të cilën vëzhguesit shprehen se ajo përdor Bashkimin Ekonomik Euroaziatik për të rritur më tej ndikimin e Moskës në ish-Bashkimin Sovjetik dhe të kundërshtojë BE-në dhe NATO-n. Bisedimet për marrëveshjen e tregtisë së lirë të Serbisë me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik kanë filluar që në vitin 2016.
Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijancic tha se BE-ja “po monitoronte” nga afër negociatat, duke deklaruar për Euractive.com se Serbia “pritet të veprojë në përputhje dhe në mënyrë progresive me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së”. Znj. Kocijancic vuri në dukje se BE-ja mbetet partneri më i rëndësishëm tregtar i Serbisë, me tregti dypalëshe që arrin deri në 63 % të tregtisë totale të vendit të Ballkanit.
“Tregtia me Rusinë është më pak se 10 % e tregtisë totale të Serbisë. Për më tepër, investimet europiane në Serbi janë mbi 10 herë më të larta se ato të Rusisë”, shtoi zëdhënësja e BE-së.
Sipas një studimi të bërë nga Zyra Serbe për Kërkime Sociale, BIRODI, 45.5 % e serbëve e konsiderojnë anëtarësimin në BE si arritjen më të rëndësishme të politikës së jashtme, ndërsa 17.6 % e tyre mendojnë se vendi duhet të bashkohet me Bashkimin Ekonomik Euroaziatik. Pak më shumë se një e treta e të anketuarve mendojnë se Serbia nuk duhet të anëtarësohet as në BE, as në NATO dhe as në Bashkimin Ekonomik Euroaziatik.