SHBA-ja ka ndërmarrë hapin e saj më agresiv deri tani për të dëmtuar ekonominë dhe sistemin financiar të Rusisë, duke shpallur një ndalim të transaksioneve me bankën qendrore të Rusisë dhe sanksione të reja ndaj Fondit të Investimeve Direkte Ruse dhe shefit të tij ekzekutiv Kirill Dmitriev, që është një aleat kyç i presidentit Vladimir Putin.
Lëvizja e Thesarit të SHBA-së të hënën në mëngjes vjen pas një zotimi të përbashkët të vendeve perëndimore, të shtunën, për të bllokuar aftësinë e Rusisë për të pasur akses në rezervat e huaja prej rreth 630 miliardë dollarë dhe për të imponuar kosto të mëdha në ekonominë e saj, pas pushtimit të Ukrainës.
Një zyrtar i lartë i administratës Biden tha se masat e reja do të hynin në fuqi menjëherë. Masat u bënë publike përpara hapjes së tregjeve amerikane, të hënën, për të parandaluar “ikjen e aseteve”, pasi u mësua se banka qendrore ruse po përpiqej të “lëvizte” disa nga rezervat e saj valutore.
“Veprimi i paprecedentë, që po ndërmarrim sot do të kufizojë ndjeshëm aftësinë e Rusisë për të përdorur asetet për të financuar aktivitetet e saj destabilizuese dhe për të synuar fondet nga të cilat varen Putini dhe rrethi i tij i ngushtë, për tu përdorur në pushtimin e Ukrainës”, tha Janet Yellen, sekretare e thesarit të SHBA-së.
Thesari i SHBA tha se Zyra e saj e Kontrollit të Pasurive të Huaja do t’i ndalojë individët amerikanë të angazhohen në çdo transaksion me bankën qendrore të Rusisë, fondin e saj kombëtar të pasurisë dhe ministrinë e saj të financave. Përveç kësaj, SHBA tha se do të vendosë sanksione ndaj RDIF, fondit më të madh të pasurisë sovrane të Rusisë, në mënyrë që të mos i mundësojnë Putinit dhe rrethit të të brendshëm, që të mbledhin fonde jashtë vendit, duke përfshirë SHBA-të./FT