Si pritet ecuria e sektorit të naftës, tregtisë me pakicë, mineraleve, ndërtimit, pasurive të paluajtshme e çmimeve të shtëpive, tendencat e konsumit. Bizneset kërkojnë përmirësim të klimës së investimeve dhe ulje të taksave…
Nga Blerina Hoxha
Elona Bedalli
Për përfaqësuesit e sipërmarrjes, viti 2017 pritet të jetë një vit pozitiv për ekonominë shqiptare, duke qenë se do të jetë edhe një vit elektoral, ku pritet të ketë më shumë investime. Për kreun e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, pritet që klima e biznesit të ketë përmirësim gjatë këtij viti. Sipas tij, në ekonomi do të injektohet më shumë para duke qenë se është vit elektoral dhe do të ketë një rritje të investimeve dhe të parasë që do të hidhet në qarkullim. Sipas z. Jaka, është e rëndësishme që qeveria të vazhdojë me reformat dhe të sigurojë një mjedis konkurrues e sa më të qetë për biznesin.
Nafta pritet t’i rikthehet rritjes, Bankers do rifillojë të hapë puse të reja
2016-a ishte një vit i vështirë për industrinë e naftës në Shqipëri, që vuajti jo vetëm çmimet e ulëta në tregjet ndërkombëtare por edhe rënien e interesit për këtë produkt, që ka cilësi të rëndë. Eksportet ranë mbi 30% për 11-mujorin.
Por, 2017, pritet të jetë më pozitive. Burime zyrtare nga Bankers Petroleum, që ka me koncesion fushën më të madhe mbi tokë në Europë, atë të Patos Marinzës, dhe që është eksportuesi më i madh në vend, pohojnë se prodhimi do të rritet, sepse ka rifilluar shpimi i puseve, ndërkohë që dhe çmimi në tregjet ndërkombëtare pritet të jetë më favorizues.
Në shtator 2016 kompania kineze Geo -Jade Petroleum Corporation mori miratimin përfundimtar të Administratës Shtetërore Kineze të Këmbimit Valutor (SAFE) për blerjen e aksioneve të Bankers Petroleum. Burimet zyrtare të kompanisë pohojnë se blerësit e rinj kanë plane ambicioze për rritjen e prodhimit dhe investimeve.
Panajot Soko, analist i tregjeve të naftës në Transoil, thotë se viti 2017 pritet që të jetë viti i rikthimit të industrisë në kurs rekuperimi. Investimet pritet të rikthehen në nivelet e 2015-s. Praktikisht, parashikohen të shpohen rreth 85 puse të reja (75 Bankers dhe 10 Transoil), me një vlerë prej 170 milionë USD. Gjithashtu jane parashikuar dhe investime të tjera dytësore në infrastrukturë dhe depozitim.
Albchrome: Sinjale pozitive pas një 2016 të vështirë
Në vitin 2015, Albchrome, e përqendruar në prodhimin dhe eksportin e bakrit, ishte eksportuesja e tretë më e madhe në vend, pas Bankers Petroleum dhe Kurum International (kjo e fundit shpalli falimentin për arsye ristrukturimi në shkurt 2016).
2016-a ishte i vështirë për kushtet e tregut. Në 6-mujorin e parë, çmimet ishin më të ulëtat në 7-8 vitet e fundit. Burime nga kompania pohojnë se gjithsesi, Albchrome dhe në 2016-n u mbajt me intensitetin e investimeve dhe shitjet ishin në nivel të kënaqshëm, duke bërë që xhiro të rezultojë me rritje. Shpresat janë se ky vit do të jetë më i mbarë.
“Pas një viti të vështirë që kaluam, 2017-a pritet të jetë një vit më pozitiv, më i mbarë, veçanërisht 6-mujori i parë do të vazhdojë të ketë ngritje si në aspektin e sasisë dhe çmimeve të tregut”, thotë z. Luan Saliaj, drejtori ekzekutiv i kompanisë Albchrome.
Ai shton se perspektiva është që tremujori i parë të shënojë rritje, tremujori i dytë mund të ketë një aktivitet të pandryshuar, ndërsa 6-mujori i dytë mund të ketë një rënie të lehtë.
Në vitin 2017, për Albchrome do të shënohet piku i investimeve. “Në njësinë e Bulqizës përfundon pusi i Bulqizës. Një surprizë në këtë industri do të jetë nisja në janar dhe përfundimi brenda 2017-s i furrës së dytë në Burrel, që nuk mendohej se do të arrihej të bëhej brenda një viti”, thotë Saliaj.
Paralelisht me këto dy investime thelbësore do të vazhdojnë dhe përpjekjet në aspektin e mekanizmit dhe modernizimit të njësive aktuale. Në njësinë e Elbasanit, procesi i përpunimit të skorjes do të automatizohet, duke eliminuar rreziqet e faktorit njerëzor.
Në njësinë e Bulqizës vazhdon mekanizimi i përgatitjes dhe shfrytëzimit të minierës. Saliaj përmend fort faktin që në dhjetor, furrës së Burrelit i përfundoi remonti i thellë kapital, i cili nuk i bëhej që nga viti 1994, gjë që ka çuar në një zgjatje të jetës së furrës jo më pak se 20 vjet.
Beralb: Rinisim aktivitetin, nëse bakri kalon 6500 USD për ton
Në fund të vitit 2014, Beralb, kompania e nxjerrjes, pasurimit dhe eksportit të bakrit, ishte eksportuesi i nëntë më i madh në vend, me shitje jashtë vendit prej 2.2 miliardë lekësh, një reduktim prej 50% në raport me vitin e mëparshëm. Performanca negative e kompanisë vazhdoi edhe në 2015-n, duke e detyruar kompaninë të mbyllë aktivitetin në shtator, si rrjedhojë e rënies së ndjeshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Në vitin 2016, kompania ka vijuar të qëndrojë e mbyllur.
Nazmi Kumanova, drejtues i Beralb, pohon se, vetëm nëse çmimi i bakrit i kalon 6500 dollarë për ton, ata mund të marrin në konsideratë rifillimin e aktivitetit, sepse nën këtë nivel rezultojnë me humbje. “Çmimi u rrit për pak kohë në 5900 USD dhe ra sërish në 5500 USD në dhjetor 2016”, thotë Kumanova.
Fabrika është në gjendje pune dhe mund të rifillojë aktivitetin në momentin që koniunktura ndërkombëtare do të jetë e favorshme.
Aktualisht, thotë Kumanova, janë 280 punonjës që paguhen me pagë minimale dhe sigurime shoqërore. “Shoqëria përdor kreditë për të paguar punëtorët që të mos ketë probleme sociale”.
Ata do të vijojnë të paguhen deri në korrik të 2017-s në bazë të kontratës kolektive dhe nëse çmimi i bakrit nuk do të jetë rritur deri atëherë, nuk dihet nëse kontrata do të ripërtërihet.
“Po bëjmë përpjekje për të hapur minierën e Kallmit, në Koman, por kjo kërkon rreth 2-3 vjet të hapet”, thotë Kumanova. Kompania është në negociata për të marrë një hua afatgjatë prej 5 milionë dollarësh për këtë qëllim.
Beralb ka fituar ndërkohë gjyqin e dytë me doganat për të marrë rreth 2 milionë dollarë që i kishte paguar më tepër nga renta minerare, ndërsa i ka arkëtuar tashmë 400 mijë dollarë të fituara në gjyqin e parë, që i ka përdorur për të mirëmbajtur aktivitetin. “Presim që të marrin edhe 2 milionë dollarët që të përballojnë shpenzimet”, thotë Kumanova. Ai shton se ndryshimet e fundit në ligjin për rentën nuk pritet të sjellë ndonjë lehtësim të madh për kompaninë, sepse përfitimi është shumë i vogël.
Një nga masat e reja fiskale të vitit 2017 është reduktimi i Rentës Minerare për mineralin e destinuar për përpunim. Të ardhurat si rezultat i ndryshimit të përqindjes së taksës së rentës nga 4% (2/3 e 6%) në 3% për mineralin krom, të destinuar për përpunim brenda vendit, pritet të jenë 0.1 miliard lekë. Por, nga ana tjetër, do të aplikohen vlera referuese për bazën e taksimit të rentës, bazuar në çmimet e tregut ndërkombëtar dhe shitjet brenda vendit dhe për eksport. Efekti pozitiv i kësaj mase në të ardhura është llogaritur 500 milionë lekë, bazuar në nivelin e vetëdeklaruar nga kompanitë eksportuese të naftës bruto gjatë viteve 2013-2015.
Tregu kombëtar i industrisë minerare prej gati dy vitesh ndodhet në një rënie të theksuar, e cila reflektohet në ulje të theksuar të çmimeve dhe rrjedhimisht në vështirësi të mëdha për një pjesë të subjekteve minerare, deri në falimentimin dhe mbylljen e disa subjekteve të tjera që ushtrojnë veprimtari për nxjerrje, përpunim dhe tregtimin e mineraleve. Nga listëpagesat e tatimpaguesve me aktivitet nxjerrjen e mineraleve joferrore rezulton se në këtë veprimtari janë të punësuar 3,369 punonjës. Për vitin 2017, të ardhurat e parashikuara do të ulen me 10 milionë lekë për ndryshimin e përqindjes së taksës së rentës nga 4% (2/3 e 6%) në 3% për mineralin krom, të destinuar për përpunim brenda vendit.
Por Ministria e Financave analizon se efektet negative për shkak të rimbursimit prej 5% kompensohen nëpërmjet rritjes së rezultatit financiar të kompanive eksportuese në rajon, duke rritur volumet. Në rastin e eksportit të produkteve shqiptare me ambalazhe plastike apo qelqi, për të cilat është paguar taksë ambalazhi në momentin e importit apo shitjes pas prodhimit brenda vendit, propozohet të parashikohet rimbursim pas paraqitjes së dokumentacionit që vërteton pagesën e taksave dhe eksportin. Ndryshimi i propozuar vlerësohet të ketë një efekt pozitiv prej 500 milionë lekësh sipas nivelit të çmimeve të vitit 2016 për të ardhurat nga renta minerare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.