Tregu i shërbimeve nga rrjetet fikse të komunikimit u rrit me 4% vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), volumi total i këtij tregu për 2020 arriti në rreth 9.6 miliardë lekë. Shifrat tregojnë se tregu i shërbimeve fikse ka arritur volumin më të lartë që nga viti 2015, i shtyrë sidomos nga zgjerimi i tregut të shërbimit të internetit.
Të dhënat për ndarjen e tregut sipas të ardhurave të operatorëve tregojnë se Albtelecom vazhdon të kryesojë tregun, me të ardhura totale nga shërbimet fikse në vlerën e 3.9 miliardë lekëve. Kjo shifër përbën rreth 41% të volumit të përgjithshëm të tregut për 2020. Megjithëse vazhdon të kryesojë tregun, të ardhurat e Albtelecom kanë pësuar rënie me 12% krahasuar me një vit më parë. E matur për nga numri i abonentëve, pjesa e tregut e Albtelecom ngelet veçanërisht e lartë për segmentin e telefonisë fikse, me rreth 75% të totalit.
Ndërkohë, për numrin e abonentëve të internetit me brez të gjerë pesha në treg e Albtelecom tashmë ka rënë ndjeshëm, në rreth 25% të totalit. Një tjetër element specifik në strukturën e përdoruesve të Albtelecom është pesha e lartë e të përdoruesve që marrin shërbim të trefishtë, telefoni, internet dhe IPTV. Rreth 60% e pajtimtarëve broadband të Albtelecom marrin shërbim të trefishtë. Me rënien e rëndësisë së telefonisë fikse dhe me konkurrencën e lartë në tregun e internetit, sidomos paketat që përfshijnë edhe përmbajtjen televizive janë bërë element i rëndësishëm i konkurrencës mes operatorëve.
Për vitin e kaluar, operatori i dytë më i madh në treg sipas totalit të të ardhurave nga shërbimet fikse ishte sërish Abcom (Vodafone). Abcom realizoi të ardhura totale nga shërbimet fikse në vlerën e 1.67 miliardë lekëve ose rreth 17.5% të tregut. Në vitin e parë nën ombrellën e Vodafone, Abcom pësoi një rënie të ndjeshme të të ardhurave, po të kemi parasysh se për vitin 2019 kishte raportuar një xhiro totale prej rreth 2.1 miliardë lekësh. Që nga data 30 dhjetor 2020, Abcom u shkri zyrtarisht me kompaninë mëmë, Vodafone Albania.
Operatori i tretë më i madh për nga totali i të ardhurave për vitin 2020 ishte ASC (Tring), me 648 milionë lekë, ose rreth 7% të tregut, i ndjekur nga Abissnet me 423 milionë lekë (rreth 4.5% të tregut) dhe Digicom me 385 milionë lekë (4% të tregut) dhe Nisatel me 319 milionë lekë (3.3% të tregut). Mbështetur në vlerësimet e AKEP, operatorët e tjerë të shërbimeve të komunikimit me linja fikse, të marrë së bashku, zotërojnë rreth 23% të të ardhurave totale të tregut.
Numri i pajtimtarëve me akses broadband fiks në fund të vitit 2020 tejkaloi shifrën e 508 mijë pajtimtarëve, duke u rritur me rreth 17% në krahasim me vitin 2019. Që nga viti 2016, numri i pajtimtarëve të internetit me linja fikse pothuajse është dyfishuar./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.