Tregu i hidrosanitareve dhe pllakave ka përjetuar zgjerim në vitet e fundit. Zhvillimet në sektorin e ndërtimeve dhe në industrinë e turizmit kanë qenë furnizuesit kryesorë të kërkesës në këtë sektor. Gjatë 2018-s, të ardhurat e kompanive më të mëdha u rritën, duke realizuar 73 milionë euro të ardhura nga aktiviteti i tyre. Operatorët kryesorë flasin për ecuri pozitive edhe në vitin 2019, ndërsa problematikë kryesore mbetet kleringu. Spanja dhe Italia mbeten furnitorët më të mëdhenj të sektorit. Cilat janë tendencat kryesore të konsumatorëve? Sa shpenzojnë shqiptarët për shtëpitë?
Nga Ledina Loga
Kompanitë që operojnë në sektorin e produkteve hidrosanitare dhe të pllakave duket se po përjetojnë një periudhë të artë të shitjeve, ku në disa raste, rritja ka qenë edhe dyshifrore. Vetëm 5 prej kompanive më të mëdha në këtë sektor realizuan 9.1 miliardë lekë të ardhura, apo 73 milionë euro. Për vitin 2018, kompania me qarkullimin më të lartë nga shitjet është Brunes, me një realizim të ardhurash prej 2.9 miliardë lekësh, rreth 23 milionë euro. Në vend të dytë për nga qarkullimi renditet Delta, e cila realizoi rreth 2.9 miliardë lekë nga shitjet, rreth 5% më shumë se një vit më parë.
Përfaqësues të kompanisë Delta ia atribuojnë këtë rritje kërkesës së shtuar në sektorin e hidrosanitareve dhe pllakave. Kërkesa, sipas tyre, vjen kryesisht nga zhvillimi në sektorin e ndërtimit, zhvillimet në industrinë e turizmit, por edhe emigrantëve që rikonstruktojnë banesat që kanë në atdhe.
Billa është kompania e tretë në lidhje me të ardhurat e realizuara në sektor. Gjatë 2018-s, kompania gjeneroi gati 2 miliardë lekë nga shitjet (15 milionë euro), me një rritje dyshifrore prej 17% në krahasim me një vit më parë.
Ndonëse kompania Sinani merret vetëm me tregtimin e pajisjeve hidrosanitare, ajo renditet një ndër sipërmarrjet më të mëdha në sektor. Hidrosanitare Sinani qarkulloi gjatë 2018-s 12.2 milionë euro të ardhura nga aktiviteti. Haki Sinani, administrator i kompanisë, thotë për “Monitor” se deri më tani, ecuria e sektorit ka qenë e mirë. Sipas zotit Sinani, rritja e shitjeve ka ardhur nga realizimi i volumeve më të larta, kryesisht për shkak të bumit të ndërtimeve, por edhe ndërtimit dhe rinovimit të hoteleve në zonat turistike, si dhe kërkesës nga pronarët e shtëpive private.
Porcelanosa renditet e pesta për nga realizimi i të ardhurave, por ajo ka shënuar rritjen më të madhe të tyre gjatë 2018-s. Në vitin që lanë pas, kompania gjeneroi 284 milionë lekë, me një rritje prej 35% në krahasim me një vit më parë. Karolina Janina, përfaqësuese e kompanisë, tha për “Monitor” se kanë pasur rritje të kërkesës për produktet e tyre, ndonëse kompania ka një target-group konsumatorësh me të ardhura mesatare dhe të larta.
Si po ndikon ndërtimi dhe rreziku nga kleringu
Vitin e fundit, kompania Porcelanosa vendosi që të ishte më e hapur edhe ndaj kërkesave të klientëve për të punuar me klering, dhe një pjesë e rritjes së madhe i atribuohet pikërisht këtij vendimi që ndërmori menaxhimi i kompanisë.
Sikurse shpjegon edhe Karolina Janina, një pjesë e mirë e kërkesës së shtuar ka ardhur nga sektori i ndërtimit, por kjo është shoqëruar me një tjetër problematikë, ngërçi që iu krijohet kompanive nga mungesa e likuiditeteve.
Janina shpjegon se është deri diku e vështirë që të arkëtohen menjëherë paratë nga shitjet e realizuara me klering. Kleringu midis kompanive që operojnë në tregun e hidrosanitareve dhe pllakave me kompanitë e ndërtimit bëhet duke shkëmbyer mallin me mallin, pra jo një transaksion me para. Kompanitë e ndërtimit, në mungesë të parave cash, iu japin apartamente kompanive nga ku marrin furnizime bazë, siç janë kompanitë e betonit, hekurit, apo dhe hidrosanitareve dhe pllakave. Mirëpo Janina shpjegon se, nga fillimi i ndërtimit të një pallati dhe deri në përfundim të tij, duhen minimalisht dy vite. Ajo shton se gati 90% e ndërtuesve në Shqipëri kërkojnë që të operojnë me klering, ndërsa numri i atyre që punojnë me para në dorë është shumë i vogël.
Për kompanitë që furnizojnë ndërtimin me lëndë të para është shumë e vështirë që të shesin apartamentet kur pallatet janë ende në gropë dhe nuk ka dalë ende hipoteka. Kjo i bën thuajse të pamundura rastet kur individët kërkojnë që të blejnë shtëpi me kredi hipotekore. Pra kleringu ka rritur kohën nëpërmjet realizimit të shitjes, njohjes së të ardhurave në pasqyrat financiare të kompanive dhe arkëtimit të tyre.
Në të njëjtën kohë, kompanitë kërkojnë likuiditet për të shlyer furnitorët e huaj, duke i vënë ato në vështirësi për të rritur sasitë e importuara nga jashtë. Përfaqësues të kompanisë Delta pohojnë gjithashtu që aplikojnë shitjet me klering. Për të mos pasur ngërç në likuiditete, thonë se mundohen që të zgjedhin prona, apo të pranojnë të bëjnë klering me projekte që kanë siguri që do të shiten.
“Një nga problematikat që ne si sektor hasim në sektorin e ndërtimit është kleringu. Përpiqemi që të zgjedhim apartamentin e duhur në mënyrë që të mos kemi ngërçe. Te firmat e ndërtimit, kërkesa për të punuar me klering është e madhe. Ne synojmë që pronat që zgjedhim të mos na krijojnë probleme në të ardhmen. Mundohemi që të marrim këshilla nga agjentët e pasurive të paluajtshme për zonat që janë më të kërkuara”,- thanë ata për “Monitor”.
Dy vitet e fundit, lejet e ndërtimit kanë shënuar rritje të dukshme në kryeqytet. Për të gjithë vitin 2018 janë dhënë leje me sipërfaqe prej 940 mijë metra katrorë, nga 521 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 80%. Vetëm në tremujorin e katërt janë dhënë leje për një sipërfaqe ndërtimi prej 456 mijë metra katrorë, ose 70% e sipërfaqes së dhënë gjithsej në vend për leje ndërtimi për këtë periudhë. Ritmi i lartë i tremujorit të katërt 2018 vijoi edhe në janar-mars të këtij viti.
Ndikimi pozitiv i turizmit te sektori
Industria e turizmit po i jep një shtysë pozitive sektorit të pllakave dhe hidrosanitareve. Karolina Janina, përfaqësuese e kompanisë Porcelanosa, thotë se krahas rritjes së ndërtimeve në Shqipëri, është shtuar ndërtimi i hoteleve në zonat bregdetare. “Hotelet është vështirë që të bëhen me klering, pasi nuk kanë ndonjë kolateral, për të shkëmbyer”, – shpjegon Janina për “Monitor”. Klientët kanë filluar të kuptojnë cilësinë dhe nuk kërkojnë produktin më të lirë, por atë më cilësor. Këtë e kemi vënë re veçanërisht te sektori i shërbimeve, bar-restorantet dhe hotelet, shton Karolina Janina.
Përfaqësues të kompanisë Delta pohojnë gjithashtu se përveç ndërtimit, në aktivitetin e tyre, ka pasur ndikim edhe sektori i turizmit.
“Zonat turistike kanë kërkuar rinovim të ambienteve, dhe jo vetëm për sektorin e pllakave dhe hidrosanitareve, por edhe të mobilieve. Ne u përballëm me një kërkesë në rritje veçanërisht në muajt mars dhe prill, ku sektori po përgatitej për fillimin e sezonit të ri turistik”, – thanë ata për “Monitor”.
Të dhënat nga INSTAT tregojnë se lejet për hotele janë 15-fishuar në sipërfaqe. Sipërfaqja e lejeve të dhëna është 286 mijë metra katrorë për hotele vetëm për tremujorin e parë të vitit 2019. Sipas të dhënave të INSTAT, në tre muajt e parë të vitit janë dhënë 28 leje ndërtimi. Ndonëse si numër lejesh, rritja ka qenë modeste, 28 nga 25 leje që ishin tremujorin e një viti më parë, sipërfaqja e ndërtimit është 15-fishuar në raport me një vit më parë.
Sipërfaqja mesatare për një leje të dhënë për hotel përllogaritet në 10 mijë metra katrorë, kjo do të thotë që një pjesë e këtyre lejeve janë dhënë për struktura me kapacitete të larta akomoduese. Prej vitit 2016, është rritur interesi për të ndërtuar në sektorin e hotelerisë në vend, me një rritje të shpejtë të numrit të lejeve të dhëna, sikurse tregojnë edhe shifrat e INSTAT.
Në total, për vitin 2016, u dhanë 11 leje ndërtimi, ndërsa në vitet në vijim, 2017 dhe 2018, u dhanë përkatësisht 53 dhe 75 leje. Ritmi i rritjes ka vijuar edhe gjatë 2019-s, sikurse tregojnë të dhënat paraprake, ku vetëm sipërfaqja e dhënë në tre muajt e parë është sa dyfishi i sipërfaqes së dhënë vitin e kaluar.
Spanja dhe Italia, furnitorët kryesorë
Furnitorët kryesorë të Shqipërisë të produkteve qeramike mbeten Spanja dhe Italia. Ndonëse në vitet e fundit është vënë re edhe rritja e pranisë në treg e mallrave nga Turqia dhe Kina. Sipas aktorëve kryesorë të tregut, ndonëse lëndët e para që marrin nga Spanja dhe Italia janë më të shtrenjta, kanë edhe cilësi më të lartë. Lëndët e para që hyjnë nga Kina, Turqia dhe India janë variante më ekonomike për të gjithë ata individë me të ardhura të kufizuara.
Në total, për vitin 2018, importet e produkteve të qeramikës përllogariten rreth 7.5 miliardë lekë, me një rënie prej 4% në raport me një vit më parë. Këtë rënie, aktorët e tregut e argumentojnë me zhvlerësimin e euros, gjë që ka bërë që importet që marrin nga jashtë, kryesisht vende të Eurozonës si Spanja, Italia dhe Greqia, janë bërë më të lira. Sipas përfaqësuesve të kompanisë Delta, nga zhvlerësimi i euros kanë përfituar edhe klientët fundorë, pasi sipas tyre, çmimet kanë qenë më të lira se një vit më parë. Edhe për këtë kompani, pjesa më e madhe e furnizimeve vjen nga vendet e BE-së, veçanërisht Spanja dhe Italia.
“Pjesa më e madhe e importeve vijnë nga këto vende, duke qenë se janë ndër prodhuesit kryesorë botërorë të pllakave dhe përpunimit të porcelanit, si Spanja dhe Italia”, thanë përfaqësuesit e Deltës. “Ne kryesisht operojmë më së shumti me pllakat dhe hidrosanitaret që vijnë nga Italia dhe Spanja, ndonëse në treg tani kanë hyrë edhe mallra nga vendet e Lindjes si Kina, India apo Turqia, të cilat në përgjithësi kanë çmim dhe cilësi më të ulët. Një pjesë e operatorëve të vegjël, të cilët furnizohen nga vendet e Lindjes, për të qenë konkurrentë dalim me çmime më të ulëta”,- shpjeguan ata.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, importet e qeramikës nga Spanja arritën vlerën e 2.4 miliardë lekëve, apo rreth 32% e totalit të importeve. Pas Spanjës renditen importet që vijnë nga Italia. Gjatë 2018-s, vlera e tyre ishte 1.4 miliardë lekë, apo rreth 20% e totalit. Këto dy vende përbëjnë më shumë se gjysmën e importeve për këtë grup. Importet nga Turqia përgjigjen për 12% të totalit, me një vlerë prej 942 milionë lekësh, duke u ndjekur nga importet me origjinë nga Kina me 10% të totalit, apo 804 milionë lekë, ato greke me vlerë 543 milionë lekë, apo 7% të totalit.
Viti 2018 shënoi rritje të madhe të importeve nga India, ku importet në krahasim me një vit më parë u rritën më shumë se 4 herë, duke zënë rreth 4% të totalit të importeve, duke u renditur vendi i gjashtë për nga pesha e importeve.
Emigrantët, rikthehen të rregullojnë shtëpitë
Kohët e fundit, emigrantët kanë qenë ndër furnizuesit kryesorë të kërkesës për pasuri të paluajtshme në vend, veçanërisht në zonat bregdetare. Sipas operatorëve që operojnë në tregun e hidrosanitareve dhe pllakave, një pjesë e kërkesës po vjen pikërisht nga ky segment.
“Ndër të tjera, ne kemi vënë re se ka pasur kërkesë në rritje edhe nga emigrantët, të cilët po rinovojnë shtëpitë e tyre në atdhe”,- thanë përfaqësuesit e kompanisë Delta.
Edhe Karolina Janina, përfaqësuese e kompanisë Porcelanosa, pohon të njëjtën tendencë. Së fundmi janë shtuar kërkesat për produkte nga emigrantët, të cilët kërkojnë të investojnë produkte cilësore në shtëpitë që kanë në vend. Janina shpjegon se një pjesë e tyre kërkojnë që të kenë shtëpi me pajisje cilësore, për të rritur vlerën e pronës, si dhe për të qenë sa më rezistente. Pjesa më e madhe këtyre pronave hidhet në tregun e qirasë.
Janina shton se kërkesa është rritur, veçanërisht në Jug të vendit, në zonat bregdetare.
Tendencat e blerjeve të shqiptarëve, çfarë zgjedhin
Në lidhje me tendencat më të fundit te pjesa e pllakave, operatorët shpjegojnë se trendi i kërkesës ka qenë i orientuar tek pllakat me dimensione të mëdha, që janë variantet më të reja. “Tani po preferojnë pllaka me dimensione të mëdha dhe janë tek imitimet e mermerit që kanë ngjyra, të forta dhe të lehta”, thonë përfaqësues të Deltës. Kur flitet për pjesën e hidrosanitareve ka variante nga më ekonomiket dhe më të thjeshta, e deri te jakuzzi. Një pjesë i kërkojnë me specifika siç janë jakuzzi, hamamet dhe saunat. Sipas operatorëve, tendencat ndryshojnë, p.sh. tani nuk po përdorin më kabinat e dushit, por një xham të thjeshtë që ndan ambientin e dushit nga pjesa tjetër, ose përdorimi i mozaikut në vend të pllakës së dushit. Ka klientë që i ndërrojnë edhe çdo vit pajisjet, por normalja është mesatarisht një herë në pesë vjet.
Karolina Janina nga Porcelanosa thotë se së fundi, tendencë te pjesa e hidrosanitareve kanë qenë kasetat inkaso, si dhe klientët po kërkojnë pajisje hidrosanitare që vendosen në mur. Sipas saj kjo zgjedhje e klientit vjen pasi këto pajisje janë më estetike dhe higjienike.
Shpenzimet për banesë, Dibra rekord në vend; Si krahasohemi me Europën
Shpenzimet për banesë, energji elektrike dhe ujë përbëjnë një nga tre grupet me peshën më të madhe në totalin e shpenzimeve të familjeve shqiptare, duke u renditur pas shpenzimeve për ushqime. Sipas të dhënave në Anketën e Buxhetit të Familjeve 2017, pesha e këtij grupi në totalin e shpenzimeve të familjeve ishte 10.6%. Krahasuar me një vit më parë, këto shpenzime janë rritur me 7%. Në krahasim me Bashkimin Europian, shpenzimet për këtë grup janë rreth dy herë më të ulëta.
Dibra me peshën më të lartë, Berati më të ulëtën
Dibra thyen rekordin për peshën më të lartë të shpenzimeve për këtë grup ndaj totalit të shpenzimeve, me 13.1%. Mbi mesataren kombëtare të peshës së shpenzimeve renditen familjet e kryeqytetit me 11.8% të totalit, Shkodra dhe Vlora me përkatësisht 11.6% të totalit, Korça dhe Kukësi me 11.6 dhe 11.5%, dhe Lezha me 10.7% të shpenzimeve për banesë, energji dhe ujë. Qarqet me shpenzimet më të ulëta janë Durrësi me 10%, Gjirokastra me 9.9%, Fieri me 9.3%, Elbasani me 9.2% dhe Berati me 8%.
Shpenzimet për banesë në BE
Në 2017-n, familjet në Bashkimin Europian shpenzuan mbi 2,000 miliardë euro (e barasvlershme me 13.1% të PBB-së së BE-së) në banesë, energji, ujë dhe gaz. Kjo përfaqësonte rreth 24.2% të peshës së totalit të shpenzimeve të familjeve. Në BE, ky grup ka peshën më të lartë në totalin e shpenzimeve në familjet europiane, sipas Eurostat. Nga të gjitha zërat e shpenzimeve kryesorë të familjeve, strehimi ishte pika që pa rritjen më të madhe të shpenzimeve gjatë dekadës së fundit. Në BE, Finlanda, Danimarka dhe Britania e Madhe shpenzojnë pjesën më të madhe të totalit shpenzimeve të familjeve për banesë, ndërsa Malta ka peshën më të ulët të shpenzimeve.
Në shumicën dërrmuese të shteteve anëtare të BE-së, “banesa, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse të tjera” përfaqësojnë zërin më të rëndësishëm të shpenzimeve të ekonomive familjare. Në vitin 2017, pjesa e shpenzimeve familjare të përkushtuar për banesë ishte më e lartë në Finlandë (28.8%), Danimarkë (28.7%) dhe në Mbretërinë e Bashkuar (26.7%). Ata u ndoqën nga Franca (26.2%), Suedia (26.1%) dhe Çekia (25.4%). Në anën e tjetër, Malta (10.1%), Lituania (14.8%) dhe Qipro (15.4%) kishin peshën më të ulët të shpenzimeve totale të familjeve për banesë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Për periudhën 4-mujore të ardhurat nga doganat arritën në rreth 69 miliardë lekë ose rreth 690 milionë euro duke realizuar planin 101% dhe duke shënuar rekordin e radhës për 4 mujorin e parë në historinë e doganave shqiptare, sipas burimeve zyrtare nga Doganat. Krahasuar me…
Sektori bankar konfirmoi një cikël pozitiv dhe një reagim të mirë ndaj zhvillimeve makroekonomike sfiduese edhe në vitin 2023. Kreditë dhe depozitat u rritën, ndërsa raporti i kredive me probleme pësoi përsëri rënie, pavarësisht ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe normave më të larta të interesit.…
Nga rritja e peshës së bankave me kapital vendas, te ecuria e depozitave e kredive deri te rritja e fitimeve, si ka qenë ecuria sipas bankave në 2023... Bankat me kapital vendas vazhduan të fitojnë pjesë tregu ndaj totalit të aktiveve të sektorit edhe…
Intervistë me Christian Canacaris, Drejtor i Përgjithshëm i Raiffeisen Bank Shqipëri Rritja e rolit të turizmit dhe sektorit të pasurive të paluajtshme ka ndikim të rëndësishëm në sektorin bankar, duke sjellë sfida të reja dhe mundësi të reja për bankat për të shfrytëzuar potencialin…
Intervistë me Maltin Korkuti, Drejtor i Përgjithshëm i Credins Bank Sfidat me të cilat do të përballet sektori mbeten menaxhimi i vazhdueshëm i riskut si rezultat i ndryshimeve ekonomike, përshtatja ndaj teknologjive të reja dhe kërkesave të konsumatorëve për shërbime bankare më të përmirësuara…
Intervistë me Alessandro D’Oria, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Intesa Sanpaolo Shqipëri Vitet e fundit, sektori bankar karakterizohet nga një transformim tërësor, falë teknologjisë. Bankat janë institucione të drejtuara nga të dhënat sipas kuptimit, dhe zhvillimi i mësimit të makinerive dhe e ashtuquajtura Inteligjencë…
Intervistë me Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm i Bankës OTP Albania Në fazën që po kalon turizmi shqiptar, atë të investimit intensiv, mbështetja e bankave është jetike për investitorët. Jo vetëm për projektin e radhës, por dhe në perspektivën e zhvillimit të 10 viteve…
“Në parim, të gjithë do të duhet të japin kontributin e tyre në shpenzimet publike, në funksion të kapacitetit të tyre kontribuues”. Kuptimi i kësaj shprehjeje shpesh varet…
Në prill, profesionistëve të lirë iu publikuan në sistem deklaratat për “Këste paraprake të tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi”. Por njoftimi i kësteve, ashtu siç pritej dhe siç ishte paralajmëruar, u shoqërua me reagime të shumta. Debatet lindën kryesisht për shkak të zbatimit…
Inflacioni i Turqisë, u përshpejtua në 69.8% në vit për muajin prill, njoftoi Instituti i Statistikave Turke. Në baza mujore, çmimet e konsumit në Turqi, u…
Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe institucionet e saj duhet të ndërmarrin masa të balancuara që adresojnë nevojat e ekonomisë dhe të konsumatorëve, duke mbajtur nën…
Banka qendrore e SHBA, Federal Reserve Bank, tha përsëri se do të mbajë të pandryshuara normat e interesit, duke vënë në dukje një "mungesën e përparimit…
Prodhuesi i makinave sportive luksoze Ferrari prezantoi dy modele të reja, 12Cilindri dhe 12Cilindri Spider, që u drejtohen adhuruesve të motorëve të tij më të fuqishëm…
Sipas një studimi të fundit të European Sponsorship Association (ESA) në bashkëpunim me Nielsen Sports, tregu europian i sponsorizimeve u rrit në 30.9 miliardë euro, duke…