Çmimi Nobel për Letërsinë këtë vit iu dha shkrimtarit Abdulrazak Gurnah “për depërtimin e tij të pakompromis dhe të dhimbsur mbi efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatit në hendekun midis kulturave dhe kontinenteve.”
Gurnah lindi në vitin 1948 dhe u rrit në ishullin e Zanzibarit, në Oqeanin Indian, por mbërriti në Angli si refugjat në vitet ’60.
Para se të dilte në pension, Gurnah ka qenë Profesor i Anglishtes dhe Letërsisë Post-koloniale në Universitetin Kent në Canterbury, duke u përqendruar kryesisht në shkrimtarë si Wole Soyinka, Ngũgĩ ëa Thiong’o dhe Salman Rushdie.
Si studiues ai i është përkushtuar kërkimeve mbi rrëfimet post-koloniale dhe çështjeve të lidhura me kolonializmi, veçanërisht për sa i përket Afrikës, Karaibeve dhe Indisë.
Ai nisi të shkruajë në moshën 21-vjeçare, në kohën e mërgimit në Angli, dhe, edhe pse Swahili ishte gjuha e tij e parë, anglishtja u bë mjeti i tij letrar. Gurnah ka publikuar 10 romane, si dhe një numër tregimesh. Komiteti i Nobelit tha se “tema e shqetësimit të refugjatit përshkon gjithë veprën e tij”.
Përkushtimi i Gurnah ndaj së vërtetës dhe kundërshtia ndaj thjeshtësisë spikasin. Kjo mund ta bëjë atë të zymtë dhe në të njëjtë kohë të pakompromistë, kur ai ndjek fatet e individëve me dhembshuri të madhe dhe angazhim të paepur.
Romanet e tij largohen nga përshkrimet tipike dhe na hapin sytë drejt një Afrike Lindore me larmi kulturore dhe të panjohur për shumë, në pjesë të tjera të botës.
Në universin letrar të Gurnah, gjithçka po ndryshon – kujtimet, emrat, identitetet. Kjo me shumë gjasa pasi puna e tij nuk mund të arrijë fundin në asnjë kuptim përfundimtar. Eksplorimi i pafund i nxitur nga pasioni intelektual është i pranishëm në të gjithë librat e tij, dhe po aq i spikatur tani, në veprën e fundit ‘Afterlives’ (2020), ashtu si kur filloi të shkruajë si një refugjat në moshën 21-vjeçare.
Ndër librat më të njohur janë “Paradise” (1994), “By the Sea” (2001) dhe Desertion (2005).
Fituesi i Çmimit Nobel zgjidhet nga 18 anëtarë të Akademisë Suedeze – një organizatë prestigjioze dhe misterioze e cila ka bërë përpjekje për t’u bërë më transparente pasi u përfshi në një skandal abuzimesh seksuale dhe keqmenaxhimi financiar në vitin 2017.
Çmimi Nobel për Letërsinë është dhënë 118 herë, por vetëm 16 gra janë cilësuar të denja për ta fituar këtë çmim, 7 nga të cilat në shekullin XXI. Në vitin 2019, Akademia Suedeze premtoi se çmimi do të ishte më pak “i orientuar nga meshkujt” dhe “eurocentrike”, por dy çmimet e mëpasshme iu dhanë dy europianëve, Handke dhe shkrimtares polake Olga Tokarczuk.
Sot Gurnah është shkrimtari i pestë afrikan i cili fiton Çmimin Nobel për Letërsinë, pas Wole Soyinka (Nigeri, 1986), Naguib Mahfouz (Egjipt, 1988), Nadine Gordimer (Afrika e Jugut, 1991) dhe John Maxwell Coetzee (Afrika e Jugut, 2003).