Shoqëritë administruese të fondeve të investimeve kanë përmirësuar performancën e tyre financiare gjatë vitit 2020.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se kompania më e madhe, Raiffeisen Invest për 9-mujorin e vitit 2020 arriti një fitim neto prej 153 milionë lekësh, në rritje me 44% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shoqëria tjetër, Credins Invest, këtë vit ka kaluar në rezultat financiar pozitiv prej 15 milionë lekësh, nga një humbje e lehtë prej 787 mijë lekësh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kompania e tretë, WVP Fund Management Tirana, ka reduktuar humbjet në rreth 350 mijë lekë, nga 1.3 milionë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shoqëria më e re në treg, Albsig Invest, është me humbje në vlerën e 12.6 milionë lekëve, por kjo kompani e nisi aktivitetin vetëm në fund të vitit të kaluar dhe humbja është pjesë normale e ciklit të aktivitetit në vitet e para.
Performanca e shoqërive administruese është përmirësuar, pavarësisht se kriza ka ndikuar negativisht tregun, duke sjellë një rënie të normave të kthimit dhe stanjacion të vlerës së aktiveve neto nën administrimin e fondeve.
Burimi kryesor i të ardhurave të këtyre shoqërive janë tarifat e administrimit të fondeve të pensionit dhe investimit, që konsistojnë në një përqindje fikse kundrejt totalit të aktiveve. Gjatë vitit 2020, të ardhurat e shoqërive administruese janë tkurrur, për shkak të ecurisë në rënie të fondeve. Megjithatë, në vitin e krizës shoqëritë administruese kanë ulur shpenzimet, me rezultat përmirësimin e performancës financiare.
Mbështetur në të dhënat e AMF, në fund të shtatorit 2020, këto kompani administronin rreth 70 miliardë lekë asete të fondeve të investimit dhe pensioneve. Vitin e kaluar, në këtë treg u licencua edhe një shoqëri e re, ABI Invest, që pritet të nisë aktivitetin gjatë vitit 2021, me administrimin e fondit të investimeve ABI EIA. Rritja e numrit të shoqërive administruese dhe fondeve të investimit në vitet e fundit krijon premisa për zhvillim dhe diversifikim të mëtejshëm të tregut.
Deri tani, fondet në lekë investohen kryesisht në instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare. Në dhjetor 2020, shoqëria Credins Invest është e para që u licencua edhe për menaxhimin e fondeve alternative të investimit, që mund të përfshijë edhe investime me rrezik më të lartë ose më pak likuide, si për shembull pasuritë e paluajtshme. Megjithatë, kuadri ligjor lejon që investimet alternative të mund t’iu ofrohen vetëm investitorëve të specializuar./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.