Numri i përdoruesve në rrjetin e celularëve nuk njeh krizë, aq sa Shqipëria po konkurron në mënyrë të habitshme me vendet e BE-së (mesatarja). Në fund të 6-mujorit të parë 2012, numri i pajtimtarëve të telefonisë së lëvizshme (në total) arriti në afërsisht 5.3 milionë në krahasim me 5.2 milionë në fund të vitit 2011, e cila përbën një normë penetrimi afërsisht 187 për qind kundrejt normës së penetrimit 185 për qind, që ishte në fund të vitit 2011 (rreth 55 mijë përdorues më shumë), sipas tw dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Nga të dhënat rezulton se të paktën një përdorues mund të ketë dy apo tre numra celularë , ndoshta po aq edhe aparate. Edhe pse AKEP aplikoi bartjen e numrit, pra ndryshimin e kompanisë, pa humbur numrin, duke e ruajtur atë, sërish tendenca është për të pasur të paktën nga dy aparate. Kjo vjen për shkak të tarifave dhe mungesës së fleksibilitetit për të mbajtur numrin dhe për t’iu përshtatur kushteve të tregut.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike (AKEP) i nxjerr konkluzionet mbi “numrin e përdoruesve” bazuar te numri i kartave SIM aktive. Sipas AKEP, politikat e operatorëve janë që “një kartë SIM mund të jetë aktive për një vit nga momenti i kryerjes së thirrjes së parë, dhe nëse koha e bisedës përfundon para afatit 1-vjeçar, pajtimtari mund të marrë thirrje hyrëse për 6 muaj”.
Nëse do t’i referoheshim numrit të pajtimtarëve që kanë kryer komunikim në tre muajt e fundit (përdorues aktivë), numri i pajtimtarëve celularë në fund të 6-mujorit të parë 2012 është 3,238,369 (norma e penetrimit do të ishte afërsisht 114 për qind), krahasuar me 3,108,087 (norma e penetrimit 110 për qind) në fund të vitit 2011.
Nga të dhënat duket qartë se “Vodafone”, “Eagle Mobile” dhe “Plus Communication” gjatë 6-mujorit të parë 2012 kanë rritje të numrit të pajtimtarëve në rrjetet e tyre, përkatësisht me 1.65 për qind “Vodafone”, 17.5 për qind “Eagle Mobile” dhe 3.5 për qind “Plus Communication”. Sa i takon kompanisë AMC vërehet rënie në numrin e pajtimtarëve në fund të 6-mujorit të parë krahasuar me fundvitin 2011, me rreth 9.5 për qind.
Parapagimi dhe torta e tregut
Përdoruesit me parapagim vazhdojnë të përbëjnë më shumë se 90 për qind të përdoruesve celularë dhe kjo strukturë abonentësh është e ngjashme në të katër operatorët. Struktura e përdoruesve celularë edhe në 6-mujorin e parë 2012, në përdorues me parapagim dhe me paspagim (kontratë), vazhdon të jetë pothuajse e qëndrueshme si në periudhat e mëparshme, me ndryshime të vogla nga njëri rrjet në tjetrin, ku numri i përdoruesve me kontratë në raport me numrin total të përdoruesve celularë, është afërsisht 10 për qind.
Më konkretisht, pesha e përdoruesve me parapagim në strukturën e përdoruesve sipas secilit operator celular, është 90.28 për qind në AMC, 94.08 për qind në rrjetin e “Vodafone”, 86.51 për qind në rrjetin “Eagle Mobile” dhe 86.51 për qind në rrjetin e “Plus”, duke ruajtur pothuajse të njëjtën strukturë si në periudhat e mëparshme.
Pra, tregu i kompanive celulare janë individët “normalë”, aty ku edhe ofertat janë më agresive me anë të paketave javore apo mujore
Tabela paraqet të dhëna për 6-mujorin e parë 2012, mbi numrin e pajtimtarëve celularë të detajuar në abonentë familjarë dhe biznes, si dhe përdoruesit e shërbimeve të aksesit në internet dhe pajtimtarët që kanë ndërruar program tarifor brenda të njëjtit operator, si dhe tregues të numrit të pajtimtarëve që kanë përdorur shërbimin e portabilitetit.
Nga vlerësimi i pjesëve të tregut si tregues për: numër përdoruesish në total, thirrje dalëse në total, si SMS, rezulton që ka një rënie të pjesëve të tregut për AMC në numrin e përdoruesve rreth 4 për qind dhe një rritje të numrit të pajtimtarëve për “Eagle Mobile” rreth 4 për qind, si dhe një rritje të vogël për “Vodafone Albania”.
Ndërsa në lidhje me treguesit për thirrjet dalëse, situata paraqitet pothuajse e njëjtë krahasuar me fundvitin 2011, duke reflektuar një rënie për “Eagle Mobile” si dhe një rritje për “Plus Communication” (kompania e fundit që hyri në treg, rreth tre vjet më parë).
AKEP sqaron se, në vlerësimin e pjesëve të tregut për thirrjet dalëse janë të përfshira edhe thirrjet on-net. Në lidhje me pjesët e tregut për SMS dalëse, rezulton që AMC ka një rënie të ndjeshme prej rreth 17 për qind, ndërsa “Vodafone Albania” në këtë tregues ka një rritje prej 21 për qind. Rritje prej 3 për qind rezulton edhe për “Eagle Mobile”, ndërsa operatori “Plus” reflekton një humbje të pjesëve të tregut të fituara në SMS dalëse në fund të vitit 2011.
Kush “flet” më shumë
Trafiku telefonik dalës në total ka një rritje në rreth 22 për qind, pra shqiptarët kanë bërë më shumë telefonata, në raport me fundin e vitit 2011. Ndërsa e klasifikuar sipas thirrjeve dalëse brenda rrjetit, thirrje dalëse drejt rrjeteve të tjera celulare, thirrje dalëse drejt rrjeteve fikse si dhe thirrje dalëse ndërkombëtare ka një rritje respektivisht në shifrat 21 për qind, 23 për qind, 5.6 për qind dhe 57 për qind, vlera këto të krahasuara me të dhënat e 6-mujorit të parë 2011.
Terminimi i thirrjeve në totalin e thirrjeve të terminuara ka një rritje prej rreth 12 për qind, krahasuar me 6-mujorin e parë 2011, ndërsa terminimi i thirrjeve hyrëse nga rrjetet e tjera celulare si dhe terminimi i thirrjeve hyrëse ndërkombëtare ka një rritje respektivisht sipas vlerave rreth 15 për qind dhe 12 për qind. Sa i takon SMS-ve ka një rritje prej rreth 22 për qind krahasuar me 6-mujorin e parë 2011.
Por si paraqiten kompanitë sa i takon përdorimit, ose më saktë sa shumë komunikojnë shqiptarët me telefon celular.
Në 6-mujorin e parë 2012 vihet re tendenca e rritjes së përdorimit mesatar të thirrjeve telefonike si dhe shërbimit të SMS-së. Një përdorues celular ka kryer mesatarisht 92 minuta thirrje dalëse dhe ka marrë 102 minuta thirrje hyrëse, duke rezultuar në 194 minuta komunikim në muaj (rreth 9.6 për qind me shumë se në vitin 2011) dhe ka dërguar rreth 19 SMS në muaj (58 për qind më shumë se në 2011). Gjithnjë sipas raportit, treguesit në rritje shprehin rritjen e përdorimit të shërbimeve celulare për përdorues gjatë 6-mujorit të parë 2012.
Përdorimi mesatar mujor për përdorues është llogaritur sipas thirrjeve dalëse (thirrje që gjenerohen nga një përdorues) dhe thirrjeve hyrëse (thirrjet e marra nga një përdorues), të matura në minuta. Këta tregues, thotë AKEP, janë llogaritur për të gjithë trafikun e gjeneruar dhe marrë gjatë periudhës pjesëtuar me numrin mesatar të përdoruesve (mesatarja e numrit të përdoruesve në fillim dhe në fund të periudhës). Thirrjet dalëse përfshijnë gjithë trafikun e origjinar nga përdoruesit celularë , ndërsa thirrjet hyrëse përfshijnë thirrjet e marra nga përdoruesit, nga rrjete të tjera dhe nga i njëjti rrjet. Përdorimi mujor i SMS u referohet vetëm mesazheve të dërguar.
Minutat
Sipas raportit të AKEP, për 6-mujorin e parë 2012, një përdorues celular ka kryer mesatarisht 92 minuta thirrje dalëse dhe ka marrë 102 minuta thirrje hyrëse, duke rezultuar në 194 minuta komunikim në muaj (rreth 9.6% më shumë se në vitin 2011) dhe ka dërguar rreth 19 SMS në muaj (58% më shumë se në 2011).
Roaming
E përdorim pak, të huajt nuk kursejnë
Numri i abonentëve të rrjeteve shqiptare që kanë përdorur roaming ndërkombëtar gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2012 ishte mbi 422 mijë, ndërsa numri i vizitorëve (abonentë të rrjeteve të huaja) që kryejnë roaming në Shqipëri (mbi 2 milionë). Të dy treguesit kanë rritje krahasuar me 6-mujorin e parë 2011, por vihet re që shërbimi roaming për vitin 2012/1 krahasuar me vitin 2011/1 ka një rritje të konsiderueshme kryesisht për pajtimtarët e rrjeteve të huaja që përdorin roamingun në Shqipëri me një rritje rreth 44%. Faktorët e rritjes mund të kenë lidhje si me efektin e lëvizjes së lirë, gjithashtu edhe me prezencën e turistëve në sezonin turistik, shpjegon AKEP.
Konsumi i shërbimeve gjatë kohës së qëndrimit në roaming edhe për 6-mujorin e parë 2012 është i vogël, pavarësisht rritjes së numrit të përdoruesve, niveli i përdorimit ka një rënie krahasuar me 6-mujorin e parë 2011. Kryesisht vihet re që përdorimi i shërbimit roaming nga vizitorët e rrjeteve të huaja në Shqipëri është më i madh se përdorimi i roamingut ndërkombëtar nga pajtimtarët shqiptarë.
Përdorimi
MMS-ja, ende tabu
Përdorimi i shërbimeve MMS për vitin 2012 është në nivel shumë të kufizuar me rreth 222 mijë MMS të dërguara dhe të marra nga abonentët gjatë 6 muajve të parë, që përbën konsum shumë të vogël mujor. Krahasuar me vitin 2011, në të cilin MMS të dërguara dhe të marra rezultonin rreth 361 mijë, vihet re një rënie e ndjeshme e përdorimit të shërbimit të MMS-së nga pajtimtarët e telefonisë celulare, një rënie rreth 62 për qind krahasuar me 2011, si 6-mujor i parë.
Zhgënjimi
As 10% me 3G
Kur kanë kaluar më shumë se dy vjet në lançimin e shërbimit 3G, sërish vërehet një penetrim i ulët. Për shkak të politikave joliberale të AKEP në tregun e shërbimeve 3G janë prezente dy rrjete celulare, “Vodafone Albania” dhe AMC. Referuar të dhënave të dërguara për 6-mujorin e parë 2012, rezulton që numri i pajtimtarëve që aktualisht përdorin shërbime 3G është mbi 308 mijë (më pak se 10 për qind), nga të cilët rreth 38 mijë përdorin shërbimet 3G nëpërmjet card/modem, ndërsa pjesa tjetër nëpërmjet aparatit të telefonit celular.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.