Flet Zamir Stefani, drejtor i Drejtorisë së Privatizimit /Parashikohet injektimi i miliona lekëve në ekonomi
Shteti ka bërë një listë të gjatë pronash të vjetra e të reja, nga të cilat është gati “të heqë dorë”, për të siguruar shfrytëzimin e duhur dhe ca miliona në buxhet, shumë të nevojshme në kohë të vështira. Një strategji që monitorohet nga afër edhe nga të huajt dhe që mendohet se këtë herë, do të funksionojë, për shkak të garancive që janë vënë
Nga Elona Bedalli
Në planin kombëtar për integrimin europian 2014-2020, miratuar nga qeveria, si pjesë përbërëse është edhe inventarizimi i pronave publike që së shpejti do të hidhen edhe online, me qëllim që të përmirësohet administrimi i tyre. Sa i takon procesit të privatizimit, ai do të jetë strategjik dhe jostrategjik. Plani i privatizimit për vitin 2014 përfshin shitjen e disa ndërmarrjeve shtetërore ose shoqëri aksionere me kuota shtetërore, me të dhëna negative ekonomike dhe financiare. Nga ky proces, shteti synon të injektojë në ekonomi miliona lekë e në disa raste, edhe euro. Investitorët e huaj janë ata që joshin më shumë dhe interesimi i tyre nuk ka munguar, veçanërisht për ato objekte që mund të merren me qira simbolike “1 euro”.
Parashikohet injektimi i miliona lekëve në ekonomi
Flet Zamir Stefani, drejtor i Drejtorisë së Privatizimit
Qeveria ka hartuar një strategji të re në lidhje me procesin e privatizimit, ku konsiston ajo?
Një nga objektivat e qeverisë është edhe administrimi dhe privatizimi i pronës publike, dy procese që janë konceptuar të lidhura. Nuk mund të bëhet privatizimi pa administrimin, sepse ky i fundit ka të bëjë që nga identifikimi i pronës e deri te mënyrat e përdorimit të saj nga ana e subjekteve shtetërore apo private, të huaja apo shqiptare. Në këtë kontekst, duhet bërë dhe lind si domosdoshmëri identifikimi i saktë i pronave që janë në territorin e vendit. E që kjo të ndodhë, kërkohet kohë. Është një proces që edhe më parë ka ndodhur, por është shoqëruar me pasaktësi, probleme, mbivendosje, pretendime pronësie nga privatët dhe një pjesë janë në gjendje të amortizuar. Një evidentim i tillë nuk mund të bëhet nga një ministri, por ne si përfaqësues ligjorë të pronarit të pronës private organizojmë dhe koordinojmë punën me organet e tjera, siç është Zyra e Pasurive të Paluajtshme, me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe ato vendore që kanë në menaxhim, por edhe në pronësi këto prona shtetërore. Në periudhën e parë të 300 ditëve kemi mundur të evidentojmë për efekt shfrytëzimi dhe privatizimi rreth 1,760 objekte të shërbimeve të ndryshme, që nga periudha e mëparshme e shtetit e deri tek ndërtimet e fundit që janë bërë, por që nuk përdoren. Bëhet fjalë për objekte ushtarake, qoftë të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, por edhe të Bujqësisë, të Turizmit, Shëndetësisë, Arsimit etj., e që janë në inventarin e shtetit. Me evidentim duhet të kuptojmë jo vetëm vendndodhjen dhe numrin e tyre, por edhe elementet, si sipërfaqja, ka ose jo objekt dhe statusi i tyre, private ose shtetërore, nëse ka ose jo vendim për kthimin dhe kompensimin. Një pjesë e pronës shtetërore gjithashtu është e organizuar si kontribut i shtetit shqiptar në kohën kur ish-ndërmarrjet shtetërore u transformuan dhe u krijuan shoqëritë tregtare (sh.k.p. dhe sh.a.) dhe shteti në këtë rast ka kontribute, nëpërmjet aseteve, ku sh.a. janë evidentuar 25, ndërsa sh.p.k. numërohen 24. Të gjitha këto janë të evidentuara me harta dhe gent-plane dhe gjendjen fizike ose të amortizimit. Bazuar në këtë panoramë është hartuar një program, i cili ka si qëllim që të vërë sa më mirë në funksion pronën shtetërore në interes të shtetit, qytetarit dhe sipërmarrjes. E në këto kushte, i rëndësishëm është forcimi dhe zgjerimi i partneritetit publik-privat. Në të ardhmen, ne synojmë që të diversifikojmë mënyrat për përdorimin e pronave shtetërore.
Ne po evidentojmë ato prona që janë të përshtatshme jo vetëm si vendndodhje, por për shkak të aksesit të shërbimeve, të zhvillimit të zonës, rregullimit mjedisor, etj. Ne kemi përcaktuar se cilat do të jepen me qira në të ardhmen, me emfiteozë, me koncesion, si zona ekonomike industriale, me fason me çmimin simbolik “1 euro” etj. Të gjitha këto do të ofrohen në bazë të kërkesë–ofertës që vjen jo vetëm nga brenda, por edhe jashtë, për zhvillimin e bizneseve në të gjitha fushat, si në industri, bujqësi, transport, turizëm etj. Ky evidentim do të shërbejë si një fillim për të bërë një politikë efikase dhe të drejtë. Kemi hartuar një listë me të gjitha pronat fizike dhe asetet për shoqëritë (ish-ndërmarrjet) ku shteti ka 100% të aksioneve dhe ku është në minorancë (nën 50%).
Cilat prona (objekte) dominojnë dhe si do të mund të përdoren?
Natyrisht mbizotërojnë ato ku shteti është aksioner në minorancë, shumë pak janë shoqëri me kapital 100% shtetëror. Janë më shumë të përqendruara në zonat industriale, në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër, Vlorë, Sarandë, Elbasan, Korçë, etj., dhe po shihet se në çfarë forme mund të garantohet ecuria e tyre. Ne mendojmë se ato prona ku shteti ka paketa të vogla aksionesh të kalojnë në privatizim, sepse vlera e aseteve sa vjen dhe ulet. Përvoja e deritanishme ka treguar se shteti nuk ka marrë asnjë benefit, pra janë administruar keq. Gjithashtu, edhe kontrolli nga ana e shtetit nuk ka qenë në nivelin e duhur, gjë që ka rezultuar me pasoja jo të vogla. Në kushtet e vështira ku ndodhet buxheti i shtetit dhe duke i dhënë më shumë prioritet investimeve nga sektori privat, i huaj ose vendas dhe partneritetit publik-privat, është parë më e arsyeshme që të ndiqet një politikë më koherente dhe t’i jepet prioritet shitjes së atyre aseteve që nuk kanë preferencë ose nuk janë të përshtatshme për t’u dhënë me forma të tjera (qira, emfiteozë, etj.).
Në këtë proces do të synohet më shumë që të tërhiqen investime të huaja?
Sipas programit të qeverisë, prioritet do të ketë nxitja e investimeve të huaja dhe vendase, nuk ka një vijë ndarëse në lidhje me zotërimin e tyre. Ne dëshirojmë që edhe kompanitë vendase të kenë po atë potencial, sikundër edhe ato të huaja. Megjithatë, duke parë edhe tendencën që kanë ndjekur investimet e huaja në vendet e tjera, ku janë tërhequr kompani prestigjioze me përvojë dhe kanë pasur sukses, ne u kemi dhënë shumë rëndësi tërheqjes së sipërmarrjeve të huaja, por pa anashkaluar ato vendase.
A ka shfaqje interesi nga kompanitë private për t’u bërë pjesë e këtij procesi? Dhe nga vijnë ato?
Ka shfaqje interesi nga kompani vendase, të përbashkëta dhe të huaja. U jepet prioritet investitorëve të huaj për efekt të shumë aspekteve.
Vijnë kryesisht nga Europa (Austri, Gjermani, Francë), nga rajoni, por edhe Kina, Japonia, Kanadaja, SHBA-ja, Lindja e Mesme (Kuvajti, Izraeli).
A do të mund të përdoren një pjesë e këtyre aseteve si zona ekonomike?
Ne jemi duke përgatitur një zonë të tillë, siç është ajo e Spitallës, që është rreth 800 hektarë. Në bazë të ligjeve të miratuara më parë, ne kemi të evidentuara 9 zona ekonomike, por që nuk kanë funksionuar. Jemi duke përgatitur riorganizimin e tyre dhe me ligj të rregullohen që të hapen edhe zona të tjera. Saktësimi i evidencave do t’i shërbente më mirë planit që ka qeveria.
Koncepti i zonave ekonomike përfshin: ato të lira, industriale dhe do të futet edhe një koncept i ri që janë ato zhvillimore. Zonat industriale janë ato që zhvillohen në të gjithë sektorët e ekonomisë, ndërsa ato të lira dallohen për lehtësitë fiskale dhe doganore. Ndërsa për të futur konceptin e zonave zhvillimore duhet të bëhen ndryshime në ligjin ekzistues. Do të synohet të futen sipërfaqe të mëdha tokash që janë nën administrimin e Ministrisë së Bujqësisë, por që janë ende të pashfrytëzuara, kuptohet që do të hiqen ato toka që janë dhënë me ligjin 7501 dhe ato që janë planifikuar për kthim dhe kompensim. Pjesa e mbetur do të përdoret për zona zhvillimore. Natyrisht, të gjitha këto, në kuadër të partneritetit publik–privat.
Po në lidhje me privatizimet, cilat janë planet e qeverisë?
Privatizimi do të kryhet për ato zona që do të mbeten pa ndonjë funksion. Ne kemi planifikuar që për këtë vit të privatizohen kuotat shtetërore në 10 sh.p.k. dhe rreth 40 shoqëri anonime. Kjo është paketa e parë. Kanë përfunduar procedurat dhe tashmë kemi caktuar ekspertët për të bërë vlerësimet e tyre, për të marrë dokumentacionin përkatës. Për qiratë dhe emfiteozën janë planifikuar një numër i madh asetesh, që shkon në dhjetëra, ndërsa me fason kemi planifikuar një shifër minimale prej 15, ku për 9 janë shfaqur edhe kërkesat dhe që do të mbyllen brenda 300 ditëve të ardhshme.
Duket se fasoni po tërheq më shumë vëmendje…
Ka shumë arsye, për shkak të lehtësive në trajtim, krahut të lirë të punës. Për ne, ky është një aspekt i rëndësishëm, pasi do të nënkuptojë zhvillim edhe për zonën përkatëse ku do të merret në pronësi sipërfaqja apo objekti, por edhe për punësimin.
Kërkesat kanë ardhur kryesisht nga kompani italiane, por edhe kineze, por ka edhe kompani të përbashkëta me italianë. Me VKM-n nr. 54 që u miratua në shkurt, ne kemi parashikuar dhënien me qira dhe emfiteozë të pasurive shtetërore sektorit të fasonit. Ato kompani fasoni që janë ngritur prej vitesh do të stimulohen duke ua kthyer qiranë nga për metër/katror në qira simbolike “1 euro”, për shkak të investimeve që kanë kryer dhe punësimit që kanë gjeneruar. Natyrisht do të duhet të keni përmbushur të gjitha detyrimet si biznese fasone (investim, punësim), pra të kenë realizuar ciklin dhe të mos kenë ndryshuar destinacion.
Nga i gjithë ky proces, ca është parashikuar vlera që do të mund të futet në buxhet?
Në një periudhë afatshkurtër, ne parashikojmë që nga privatizimet të grumbullohen rreth 400 milionë lekë, ndërsa nga fasoni, qiraja etj., mendohet se do të mund të grumbullohen rreth 10 milionë euro. Para që do të përdoren kryesisht për investime. Ndërsa sa i përket punësimit, shifra vlerësohet në minimalisht 3,000 persona për një periudhë të shkurtër që llogaritet nga 5-6 muaj për të vënë në eficiencë objektet që ne kemi evidentuar. Ndërsa sa u përket zonave ekonomike, investimi llogaritet në qindra milionë euro (50-600 milionë euro) dhe punësimi nga 5,000–40,000. Këto zona janë provuar që kanë ndikim shumë të madh jo vetëm për zhvillimin e zonës, por edhe të ekonomisë në tërësi. Sipas studimeve, këto zona do të zhvillojnë në brendësi të tyre edhe burimet njerëzore.
Cilat janë garancitë se, këtë herë, strategjia do të funksionojë?
Ai që garanton një investitor është kuadri ligjor, më pas vjen stabiliteti ekonomik dhe politik, jo vetëm i vendit, por edhe më gjerë. Një tjetër garanci është vullneti që ka qeveria për të mbikëqyrur procesin dhe për të ndjekur përmbushjen e të gjitha detyrimeve kontraktuale.
1760 objekte të evidentuara në të gjithë Shqipërinë
400 milionë lekë, shuma që parashikohet të grumbullohet nga privatizimet
10 milionë euro shuma që parashikohet të grumbullohet nga emfiteoza, qiratë, fasoni etj.
“1 euro”
Ato kompani fasoni që janë ngritur prej vitesh do të stimulohen duke ua kthyer qiranë nga për metër/katror në qira simbolike “1 euro” për shkak të investimeve që kanë kryer dhe punësimit që kanë gjeneruar. Natyrisht do të duhet të keni përmbushur të gjitha detyrimet si biznese fasone, pra të kenë realizuar ciklin dhe të mos kenë ndryshuar destinacion
Brenda vitit do të privatizohen:
10 sh.p.k.
40 sh.a.
Zonat ekonomike
Një nga pikat ku projektohet rritja e cilësisë dhe shërbimeve mund të jenë edhe zonat ekonomike dhe industriale. Aktualisht kemi nëntë parqe industriale (ku një prej tyre ka statusin e zonës së lirë ekonomike), si në Koplik (Shkodër), Shëngjin (Lezhë), Spitallë (Durrës), Vlorë, Rashbull (Durrës), etj., që janë përcaktuar me vendim nga qeveria e mëparshme, por nuk kanë qenë funksionale. Nga verifikimet në terren ka rezultuar se ka pasur abuzime në lidhje me koncesionet e dhëna.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik është duke hartuar një plan strategjik për rikthimin në funksion të këtyre zonave. Janë përcaktuar edhe ndarjet që do të bëhen me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, pasi kemi të bëjmë me zona të lira ekonomike dhe industriale.
Qeveria shqiptare do të synojë zhvillimin e tyre me bazë PPP.
Plani kombëtar
Plani Kombëtar për Integrimin Europian 2014-2020 reflekton gatishmërinë e Shqipërisë për të arritur qëllimet e saj prioritare afatshkurtra dhe afatmesme në procesin e përafrimit me BE-në. Në seksionin ekonomik jepet një vlerësim dhe tablo e punës, arritjeve dhe përparimit të Shqipërisë në zbatimin e reformave ekonomike, si parakusht për përmbushjen e kritereve të Kopenhagës. Këtu vihet theksi te prioritetet për periudhën në vijim, me qëllim forcimin e konkurrueshmërisë dhe funksionimit të ekonomisë së tregut. Që Shqipëria të integrohet me sukses në BE, është tepër e rëndësishme që të zbatohen plotësisht reformat e nevojshme ekonomike, politike dhe institucionale. Aderimi në Bashkimin Europian kërkon përgatitje efikase dhe përshtatje të ekonomisë shqiptare. Reforma e sistemit ekonomik bazohet në një numër dokumentesh strategjike të hartuara në sinkronizim me rekomandimet dhe konstatimet e Komisionit Europian. Kështu, Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2014-2020 që është planifikuar të miratohet në dhjetor 2014, përcakton përmirësimin e infrastrukturës bazë dhe krijimin e një kuadri biznesi favorizues si parakusht për forcimin e konkurrueshmërisë. Strategjia konfirmon objektivin e qeverisë shqiptare për krijimin e një ekonomike më dinamike dhe konkurruese, e aftë të garantojë rritje ekonomike të qëndrueshme dhe kohezion social. Një ekonomi moderne dhe, rrjedhimisht, zhvillimi ekonomik në vetvete, kërkojnë investime në kapital njerëzor, zbatimin e suksesshëm të reformave në sistemin arsimor dhe lidhje më të mirë shkencore me reformat e tregut të punës, si dhe nxitjen e sipërmarrjes dhe novacionit për të forcuar konkurrueshmërinë. Objektivat makroekonomikë kryesorë të qeverisë në planin afatmesëm janë: rritja dhe zhvillimi ekonomik shoqëruar me rritjen e standardit të jetesës; rritja e punësimit dhe kohezionit social; rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë për të garantuar pjesëmarrje të barabartë të Shqipërisë në tregun europian. Parakushtet kryesore për arritjen e këtyre objektivave janë vijimi i rritjes ekonomike dhe përmirësimi i kushteve për rritje të qëndrueshme në planin afatgjatë. Një tjetër çështje e rëndësishme është edhe realizimi i reformave strukturore në ekonomi, përkrah ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe të kursit të këmbimit. Këto objektiva arrihen me investime në infrastrukturë, vazhdimin e procesit të liberalizimit dhe privatizimeve, uljen e deficitit fiskal dhe borxhit publik (të brendshëm dhe të jashtëm), mbështetjen e sektorëve eksportues dhe Investimeve të Huaja Direkte, si dhe me një politikë fiskale të favorshme për biznesin. Sidoqoftë, zbatimi i reformave ekonomike duhet të shoqërohet me reforma cilësore në administratën publike dhe sistemin ligjor.
Historiku
Prej fillimit të viteve ‘90, Shqipëria ka filluar të zbatojë një numër të madh reformash në mjaft fusha të jetës politike dhe social-ekonomike, një nga të cilat gjatë periudhës së tranzicionit ishte privatizimi i Ndërmarrjeve Publike ose Shtetërore (NSH).
“Privatizimi është përkufizuar si transferimi i tre lloj të drejtash nga shteti te sektori privat:
– së drejtës së pronësisë
– së drejtës së përdorimit
– i së drejtës së zhvillimit
Në vitet 1990-1991, ndërmarrjet shtetërore të sektorit të shërbimit ishin pothuajse të falimentuara. Ato nuk ishin në gjendje të siguronin cilësinë dhe sasinë e shërbimeve të kërkuara nga popullsia. Privatizimi i shpejtë i tyre ishte e vetmja rrugë për të përballuar kërkesat e tregut. Ndërmarrjet iu shitën pjesërisht punonjësve.
Me daljen e ligjit nr. 7512, datë 10.08.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarur dhe privatizimit” dhe VKM nr. 307, datë 29.08.1991, u krijuan Agjencia Kombëtare e Privatizimit (AKP) dhe Komiteti Përgatitor i Përgatitjes së Privatizimit (KPPP), si institucionet përgjegjës për ristrukturimin dhe privatizimin e NSH-ve. Kështu, që në fillim, privatizimi i NSH-ve u bë i hapur për të gjithë ata që kishin punuar dhe kontribuar në to, meqenëse ata ishin të vetmit që zotëronin aftësitë teknike dhe drejtuese për të menaxhuar biznesin. Më vonë, procesi filloi të orientohej më tepër drejt arritjes së një vlere më të qartë dhe reale të tyre.
Pas një pauze të gjatë, shitja direkte për punonjësit rifilloi pas daljes së VKM nr. 203, datë 03.05.1995, deri në fillim të vitit 1997 (pas këtij viti u ndërpre shitja direkte për punonjësit). Pagesa në këtë fazë bëhej në para, në lekë, dhe pas qershorit të 1995-s me bono privatizimi.
Në fillim të 1998-s, shitja është kryer vetëm në lekë dhe përmes ankandit, përveç objekteve që i kishin filluar procedurat në vitin 1997. Kjo shitje vazhdoi deri në miratimin e VKM nr. 1638, datë 17.12.2008. Sipas kësaj të fundit, vetëm ish-pronarët që gëzojnë të drejtën e parablerjes në privatizim, kanë të drejtën e përdorimit të bonove të privatizimit dhe letrave me vlerë për privatizimin.
Pas vitit 2000, procesi i privatizimit në sektorët strategjikë ka ecur me ritme më të shpejta.
Tanimë kanë mbetur shumë pak objekte apo ndërmarrje publike apo shtetërore pa u privatizuar, por shumë prej tyre nuk kanë privatizuar ende truallin nën objekt dhe truallin funksional të ndërmarrjes.
Në vitin 2006, Agjencia Kombëtare e Privatizimit u shkri dhe u krijua Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike brenda strukturës së Ministrisë së Financave, e cila aktivitetin e saj e ka vazhduar deri në muajin tetor 2013.
Nga shtatori 2013 e në vazhdim, procesi i privatizimit të pronës publike shtetërore realizohet nga Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike në Ministrinë e Financave.
Kjo drejtori administron arkivën për të gjitha privatizimet e kryera nga data 10.08.19991 e deri sot.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.