Intervistë me zj. Vilma Rakipi, Drejtoreshë e Përgjithshme e Tatimeve të Tiranës
Ardhja e saj në krye të Tatimeve të Tiranës erdhi natyrshëm pas një përvoje të gjatë mbi 20-vjeçare në sistemin fiskal. Për zj. Vilma Rakipi, kjo është sfida e radhës, që do të plotësonte më së miri punën kërkimore dhe zbatuese që kishte bërë këto vite. Dhe fillimi ka qenë i mbarë. Në muajin e parë të punës, tetor, plani është realizuar e tejkaluar.
Në një intervistë për “Monitor”, zj. Rakipi tregon se si do t’i bëjë Tatimet e Tiranës një organizëm më profesional, duke mbledhur sa më shumë të ardhura dhe duke ulur kostot e administrimit dhe duke ofruar njëkohësisht shërbim më të mirë për tatimpaguesit.
Si ju erdhi propozimi dhe çfarë sfidash ju lindën me pranimin e detyrës?
Unë kam që në vitin 1992 që jam pjesë e sistemit fiskal dhe që nga 1994 kam punuar në pjesën teknike dhe administrative të sistemit tatimor, kam qenë pjesë e të gjitha grupeve që kanë hartuar ligjet e tatimeve dhe dokumentuar procedurat në manual. Kam drejtuar për 6 vite me radhë drejtorinë e reformës në kuadrin e së cilës kam punuar me kompaninë më të madhe angleze në fushën e konsultimeve, PWC, Bashkimin Europian, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore (në kuadër të asistencës teknike të dhënë nga to për reformën). Kam punuar si në politikat tatimore dhe draftimin dhe interpretimin e ligjeve tatimore ashtu dhe në administrimin e tatimeve. Përveç këtyre, për një kohë të gjatë kam qenë dhe pedagoge e lëndës “E drejta tatimore” për studentët e magjistraturës. Të gjithë këta komponentë mund të shihen si pjesë përbërëse e një të tëre dhe meqë unë jam “trajnuar” gjatë gjithë jetës sime profesionale në të gjithë aspektet e fushës së tatimeve, ky propozim nga ana e drejtores së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ishte kurorëzim i karrierës së gjatë më shumë se 20-vjeçare dhe sidomos i punës kërkimore dhe implementuese që kam bërë në këto vite.
Sfida…
Administrimi publik në vetvete ka të bëjë me një sërë rregullash burokratike dhe këto rregulla janë dhe pjesa më e vështirë e sistemit që përbëhet nga procedurat (ligji i procedurave) dhe ligjet teknike ose të substancës (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, tatimfitimi etj). Administrimi i rajonit të Tiranës përfshin si ndjekjen e zbatimit të procedurave tatimore, ashtu dhe atyre rregullave që vendosin ligjet specifike dhe këtë duhet ta bëjë duke respektuar të drejtat dhe detyrimet e tatimpaguesve. Që sistemi të funksionojë duhet që rregullat të kuptohen dhe zbatohen nga inspektorët e tatimeve dhe nga tatimpaguesit njëkohësisht. Kjo është dhe sfida jonë.
Cili është qëllimi juaj kryesor në administrimin e tatimeve të Tiranës?
Qëllimi kryesor i Drejtorisë Rajonale Tatimore të Tiranës është të ndihmojë tatimpaguesit të paguajnë sasinë e duhur të tatimit në përputhje me ligjet, si dhe të sigurojë që të ardhurat nga tatimet, të llogaritura dhe të paguara sipas ligjeve në fuqi, të mblidhen dhe të shkojnë për llogari të qeverisë, duke i ofruar asaj dhe tatimpaguesit një arkëtim dhe sistem pagese eficent dhe efektiv.
Në muajin tetor deklaroj që jo vetëm mblodhëm sasinë e planifikuar të të ardhurave, por dhe i tejkaluam ato, duke plotësuar kështu dhe mungesën e të ardhurave të planifikuara nga lojërat e fatit (rreth 140 milionë lekë) dhe sasinë e rimbursimeve të dhëna në javën e parë të tetorit (rreth 120 milionë lekë) që d.m.th u mblodhën më shumë se plani rreth 260 milionë lekë.
Si arrihet ky qëllim?
1.Sistemi i tatimeve është vetëdeklarativ, d.m.th që tatimpaguesi vetëdeklaron dhe vetëpaguan tatimet që i llogarit në bazë të ligjeve në fuqi. Ky parim kërkon që tatimpaguesit të jenë të edukuar mirë, fiskalisht. Sa më të pranuara që të jenë tatimet nga tatimpaguesit tanë, aq më shumë të ardhura mund të mblidhen dhe aq më e vogël do të ishte kostoja e administrimit. Ky është një qëllim shumë i rëndësishëm për t’u arritur. Kjo do të thotë që do të forcohet roli i drejtorisë së shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve, në mënyrë që ato t’i njohin të drejtat dhe detyrimet e tyre fiskale dhe t’i pranojnë e zbatojnë në mënyrë vullnetare.
2.Puna do të synojnë të ngremë një organizëm më profesional, të aftë për të siguruar shërbime për qeverinë, biznesin dhe popullin shqiptar që të çojnë në një sistem më transparent dhe më të thjeshtëzuar. Drejtoria Rajonale Tatimore do ketë një kuptim më të mirë të detyrimeve për të plotësuar kështu kërkesat e qeverisë dhe të komunitetit, do rrisë profesionalizmin, do luftojë korrupsionin në radhët e inspektorëve dhe evazionin, duke luajtur rolin e saj sa të rëndësishëm aq dhe dinjitoz në furnizimin e buxhetit maksimalisht me të ardhura, në mbajtjen e funksionit rregullator në treg, si dhe në nivelimin sa më shumë të jetë e mundur të shtrembërimeve të konkurrencës.
3.Kapaciteti menaxhues është kufizuar rëndë për shkak të mungesës së aftësive të stafit, qëndrueshmërisë në detyrë, procedurave jo të mira të vlerësimit, të karrierës, të pranimit dhe largimit nga puna. Me ndreqjen e këtyre problemeve dhe me përmirësimin e treguesve të performancës do të përmirësohet administrimi i sistemit dhe rezultatet do të jenë të dukshme.
Pak ditë më parë u publikua nga tatimet dhe financat një skemë e mashtrimit përmes TVSH-së. A mund të na e shpjegoni më konkretisht këtë skemë?
Skema e mashtrimit që rezultoi në vjedhje të miliona lekëve të arkës së shtetit, ose me fjalë të tjera të parave të konsumatorëve shqiptarë që kanë paguar TVSH nëpërmjet blerjeve që kanë bërë, nuk ishte skema e carousel që kemi lexuar në shtyp, sepse kjo e fundit është skemë e njohur e mashtrimit të bërë nga tatimpaguesit e TVSH dhe ka të bëjë me shitjen e mallrave me TVSH nëpërmjet faturës dhe më pas ky tregtar zhduket dhe nuk paguan TVSH.
Kjo skemë ishte një mashtrim nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara të cilat u paraqitën si blerje në shifra shumë të mëdha me TVSH nëpërmjet deklaratave tatimore të bëra pas shumë viteve që tatimpaguesi ishte në “gjumë” d.m.th jo aktiv. Menjëherë me këtë deklarim kanë kërkuar dhe kontroll për mbyllje dhe konfirmim të blerjeve, që konfirmonin dhe shifrën e TVSH në blerje dhe vetë blerjet si të sakta dhe më pas me këtë konfirmim u kalua në rimbursim, d.m.th dhënie parash nga arka e shtetit për një TVSH që kurrë nuk ishte paguar më parë.
Ndërkohë mund t’ju them që organet tatimore kanë për detyrë të jenë rojet e arkës së shtetit duke zbatuar një tërësi rregullash të shkruara dhe në këtë rast, meqë ishin roje dhe kishin çelësin e magazinës e kanë përdorur për ta zbrazur. Ky është shembull sistemi u godit, edhe pse rregullat për kontroll dhe rimbursim ekzistojnë dhe janë të qarta, por njerëzit që duhet t’i njohin dhe zbatojnë i shkelën rëndë.
Cilët janë ata sektorë apo biznese që zënë peshën më të madhe të të ardhurave në kryeqytet
Sektori që kontribuon më shumë është ai i shërbimeve, të paktën për 2013.
Për 9 muaj, ky sektor ka dhënë 2.5 miliardë lekë TVSH nga 3.6 që ka dhënë sektori privat dhe 514 milionë lekë në tatimfitim, ndaj 1.5 miliardë lekëve të sektorit privat.
Pas këtij sektori vjen ai i ndërtimit për TVSH (por jo për tatimfitimin) dhe pastaj transporti dhe tregtia.
Ndërsa për tatimfitimin pas shërbimeve vjen tregtia, ndërtimi dhe pastaj transporti.
Të qenët grua në krye të tatimeve të Tiranës, e shihni si avantazh apo dizavantazh?
Në krye të tatimeve Tiranë uroj që nuk përbën ndryshim gjinia, sepse ky sektor është një tërësi rregullash të përcaktuara qartë që kërkojnë të njihen dhe të zbatohen me korrektësi, profesionalizëm dhe integritet.
Realizmi i planit të tetorit, Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë
-Plani i tetorit për DRTT ishte 3,474,162,000 lekë; realizimi 3,932,311,000 lekë duke rezultuar 458,149,000 lekë më shumë se plani, ose 113.19%.
-Realizimi i vitit që kaloi , tetor 12, ka qenë 3,452,791,000 lekë.
-TVSH është realizuar 116.91% për tetor 2013, ose 579,325,000 lekë të mbledhura ndaj 495,532,000 që ishte plani.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.